Në tokën e bekuar shqiptare ku Zoti është treguar bujar i pakursyer, luleshtrydhet rriten gjithandej. Ky frut i shijshëm kultivohet bollshëm në fermat e vogla fshatare…por edhe në kopshtin e egër të politikës shqiptare. Ato rriten pa bujë në serat e partive ku kryetarët kopshtar kujdesen zellshëm për t’i përshtatur sipas llojit. A doni shembuj? A nuk vlen si i tillë presidenti aktual një nga luleshtrydhet më të përdorura të Berishës? A nuk ishte Jozefinka që kur u pyet për grevën tonë të urisë u përgjigj “no koment” ? A nuk ishte ajo një e persekutuar që të paktën duhet ti dhimbseshim sado pak ne të përbashktët e saj? Ajo e kishte përjashtuar vetveten nga shtresa e të persekutuarve ose më mirë e kishte detyruar kryetari i saj që të jepte dorëheqjen nga origjina e vet! Po E. Halimi, A. Bumçi etj gjithashtu edhe ata . Kryetari i ka klonuar të gjithë ata që rriten në serën neokomuniste të P.D-së. Në të gjitha diktaturat partitë kthehen në detashmente ushtarake ku rregulli, disiplina e veprimi diktohen nga komandanti. Ai i bën fillimisht bashkëpuntor në krim pastaj në pushtet…ndaj frika e përbashkët për krimet e kryera krijonte unitetin e “çeliktë” rreth partisë. Kryetari historik apo histerik i PD-së deri më sot e ka realizuar suksesshëm këtë proçes.
Saliu vazhdon dhe sot të prodhojë akoma luleshtrydhe të llojit të vet në serën e vet të shpartalluar. Jetëgjatësia në pushtet me sa duket të kthen në një Makiavel sa të pashpirt aq edhe dinak. Luleshtrydhet e rritura në serën berishiane do të mbeten gjithmonë të gatshme për të shuar orekset perverse të luleshtrydhësit si një shembull i qartë i shpërfytyrimit karakterial e njerëzor.
Berisha ua rrëmbeu tokën pronarëve me ligjin famëkeq 7501 si dhe pronat e tjera me antiligjet e veta të paskrupullta. Në mungesë të plotë morali paraqiti “pendesën” e tij të vonuar me një kërkimfalje për ligjin 7501 i cili me pasojat e veta negative po gërryen ekonomine e këtij vëndi si dhe paqen sociale. Mos harroni mijëra të vrarët dhe ata që vriten përditë për çështje pronësie! Shumë pushtues ka parë toka shqiptare por askush prej tyre nuk është sjellë në këtë formë çnjerëzore, barbarie,imoraliteti dhe pangopsie ndaj pronës. Askush nuk ka djegur e shkatërruar si në 91 e 97, askush nuk preu e dogji barbarisht pyjet shekullore të tyre. Askush duke pasur parasysh dhe aktet ekstreme qe prodhojnë luftrat ku segmete te caktuara të reparteve ushtarake dalin jashtë kontrollit.
Italianët pavarësisht se ishin fuqi pushtuase në këtë vënd tokat e nevojshme për përdorimet ushtarake i blenë, ndërsa gjermanet edhe sanën për kuajt e tyre e kanë blerë me flori tek fshatarët shqiptarë, si dhe u pagunin detyrimet financiare qeverive të kohës për aerodromet dhe portet e atëhershme shqiptare që ata kishin në përdorim për nevojat e luftës. Nuk kemi asnjë histori të dokumentuar që italianët dhe gjermanet të kenë pushkatuar e burgosur shqiptarë për t’u marrë floririn e pronat e tyre.
E di fare mirë që disa nuk mund të jenë kurrë dakort për ketë që shkruaj unë sepse ata do të vazhdojnë të dergjen deri në vdekje në moçalin e qelbur të indoktrinimit, po kështu dhe luleshtrydhet berishiane që unë guxoj t’iu prezantoj gabimet e fajet tragjike të luleshtrydhësit të tyre. Lulebasha, Lulehalimi,Lulebumçi etj do të vazhdojnë të pranojnë akoma të jenë krijesa butaforike të një klonimi tërësor.
Në një intervistë timen me gazetarin Mero Baze në maj të 2010 tek Vision Plus kam deklaruar se: dhe Enver Hoxha që kishte ndërtuar atë diktaturë aq të tmerrshme, ku çdo kundërshtim ndaj tij paguhesh me jetë njerëzore përsëri kishte ndonjë që e kundërshtonte, ndërsa Sali Berisha ka grumbulluar një tufë lepujsh rreth vetes së tij që po u tha të mos flënë me gratë e tyre për një javë ata rrinë dy javë pa fjetur me to për të qënë në rregull me komandantin. Si përfundim luleshtrydhësi do vazhdojë t’i shtrydh deri në fund këta të paaftë për të prodhuar “eliksiri”, nektarin apo lëngun e përjetësisë së pushtetit. O Zot! Sa më pak luleshtrydhe dhe luleshtrydhës të këtij lloji në Shqipërinë e lodhur nga brengat e hallet e saj të pafund.
*Ish i burgosur politik, pjesëmarrës në grevën e urisë ku u vetëflijua Lirak Bejko

luleshtrydhe eshte nje emer interesant,ne shqip mund ta interpretosh ne dy-tre kuptime.Njera mund te jete fare banale,duke qene se lule perdoret edhe per organet gjenitale.Interesant qe u ka vajtur mendja kaq larg.