Paris SG rrezikon seriozisht të ndëshkohet rëndë nga UEFA për shkak të moszbatimit të rregullave të Fair Play-t Financiar (FFP). Sipas një studimi të publikuar nga Sportmediaset, skuadra kampione e Francës ka një bilanc negativ që mund ta detyrojë institucionin e futbollit evropian të marrë masat ndëshkimore. Sigurisht që PSG paraqet shembullin tipik të klubit që ka shpenzuar shuma marramendëse, duke krijuar një hendek të madh mes fitimeve dhe shpenzimeve. Bilanci i PSG në dy vitet e fundit, 2012 dhe 2013, duhet të jetë pozitiv, i kushtëzuar nga shumat marramendëse të sponsorizimeve të Qatar Tourism Authority. Kontrata 4-vjecare me këtë sponsor duhet të garantojnë 125 deri 200 milionë euro në sezon, në varësi të rezultateve, por në bazë të rregullave të UEFA-s, paratë që vijnë nëpërmjet sponsorizimeve nga shoqëritë tjera që kanë fuqi vendimmarrëse në klub duhet të përfshihen te shpenzimet. Në këtë kontekst, humbjet gjatë dy sezoneve të fundit, për shkak të blerjeve të shtrenjta, ku përfshihet ajo e Zlatan Ibrahimoviç, Tiago Silvës dhe Edinson Kavanit, kapin shifrën e 200 milionë eurove, ndërsa që sipas UEFA-s diferenca mes përfitimeve dhe shpenzimeve nuk duhet të shkojë më shumë se 45 milionë euro minus, përndryshe, sanksionet do të jenë të pashmangshme. Në rastin e PSG, UEFA duhet ta përjashtojë nga Champions League, kompeticioni ndërkombëtar ku ka marrë pjesë gjatë dy sezoneve të fundit. Kjo vështirë se do të ndodhë, megjithatë UEFA mund të marrë sanksione të tjera, si mosdhënien e premiove të përfituara nga pjesëmarrja në Champions, duke ua shpërndarë klubeve të tjera, bllokimin e merkatos së futbollistëve dhe mbi të gjitha kufizimin e numrit të lojtarëve që klubi mund të regjistrojë në kompeticionet e UEFA-s, duke përjashtuar futbollistët më të kushtueshëm, që rrjedhimisht janë edhe më cilësorët.
