Po shkruaj duke marrë shkas nga “përkrahja” që këto ditë po trumpetojnë Berisha dhe ish-ministrat e tij për “punëtorët e varfër”. Kam punuar në një fabrikë në Lezhë, ku në muajn shkurt të vitit 2011 bazuar në ligjet sindikaliste morëm një lëvizje me kërkesa thjeshtë ekonomike. Që pas ardhjes në pushtet për herë të dytë të Sali Berishës na u përgjysmua rroga, nuk na pagoj kush pushimet vjetore, vetëm një shumë qesharake 2000 lek të reja, nuk na pagoj kush raportat mjeksore, më shumë se gjysma e puntorëve edhe pse ju mbaheshin paratë e përqindjes së kontributeve të Sigurimeve Shoqërore nuk rezultonin të siguruara faktikisht. Në fillim të shkurtit 2011, kur nuk na u dëgjua zëri, as nga inspektoriati i punës, po ashtu dhe nga organet përgjegjëse, nën drejtimin e sindikalistit të ndierit Gëzim Qato paralajmëruam një grevë. Edhe pse zhvilluam një grevë paralajmëruese, as që na e vuri veshin njeri. Më pas u detyruam që të udhëtonim drejt Tiranës me paratë tona për të protestuar para ministrisë së punës të qeverisë së Sali Berishës, jo pak por rreth 200 gra dhe vajza, por heshtje dhe kërcënime. Pas kësaj indiference kërcënuese, vendosëm që të bllokonim aksin Tiranë-Shkodër në segmentin afër fabrikës tonë për një orë. Aty u përballëm me një dhunë të ashpër nga forcat speciale të ardhura nga Shkodra, nga ku pati edhe gra e vajza të plagosura. Pas kësaj u përdor përçarja e grevisteve, ku ato punëtore që nuk ishin të siguruara u stimuluan për tu kthyer në punë, por hasën në rezistencën e pjesës tjetër të grevisteve. Në këto rrethana qeveria zbrazi gjithë arsenalin e makinës shtypëse shtetërore, kundër 120 grave dhe vajzave u vunë në dispozicion rreth 30 automjete të policisë, përfshi dhe një autoblindë, kjo për të mundësuar futjen në punë të grevëthyseve. Gratë dhe vajzat që nuk u thyen të kryesuara nga sindikalistja e fabrikës u përjashtuan nga puna. Sindikalisti Gëzim Qato e paditi në gjyqë administratorin e fabrikës, por kur pritej që ta fitonin gjyqin gratë dhe vajzat e përjashtuara nga puna, pa pritur vdiq sindikalisti Gëzim Qato, pra u shua edhe jeta e tij, ashtu siç u shua edhe greva.
Sot çuditemi se si vetë Sali Berisha me klanin e tij hajdut po u “qan” hallin shqiptarëve për bukën e gojës, për një llojë pune të paligjëshme, ndërsa kur vetë ishte në pushtet, jo vetëm që na hoqi bukën e gojës, por të vriste pas shpine. Në kohën e Sali Berishës së dytë fabrikat ku punojnë gratë dhe vajzat u shndërruan më keq se kooperativat e Enver Hoxhës dhe për më tepër po dhunoheshim nga makineria shtetërore. Me plot gojën mund të themi edhe pse jemi në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit XXI, qeveria e Sali Berishës na ka dhunuar si gratë e Çikagos në mesin e shekullit të XIX-të.
Si përfundim, si ka mundësi që një njeri që ka vrarë njerëz në bulevardin e Tiranës, ka vrarë edhe me anë të shërbimit sekret, ka vjedh vota, ende livadhis, madje duke destabilizuar vendin?! M’u duk se po xhirohej ndonjë film i viteve 40 kur dëgjova në Tiranë thirrjen “Duam Bukë”!!!, pra një demostratë tipike komuniste, kjo e bashkërenduar me lëvizje guerilase, me lëndë shpërthyese. Qeveria duhet të vihet në lëvizje, pasi opozita e sotme nuk mund të jetojë pa pushtet sepse nuk dinë të punojnë, por të vjedhin, ndaj kërkojnë që nëpërmjet terrorit të destabilizojnë vendin, për t’u kthyer në pushtet mbi gjakun e këtij populli.
Letër e nënshkruar
Remzie Ahmeti
