Luante me çiften e xhaxhait në pulari, vret aksidentalisht shokun 15-vjeçar

anazapta

Luanin në magazinën e braktisur, vret aksidentalisht bashkëmoshatarin me armën e gjahut të xhaxhait. Një 15-vjeçar humbi tragjikisht jetën orët e vona të së premtes në fshatin Selenicë të Vlorës. Mësohet se dy fëmijët kishin shkuar tek një magazinë në pronësi të xhaxhait të 15-vjeçarit Fatmir Ademaj. Gjatë kohës që ishin brenda në pulari, të miturit morën një çifte, duke luajtur me të dhe arma është shkrehur aksidentalisht duke qëlluar për vdekje Endri Malaj. Të dy fëmijët janë banorë të fshatit Selenicë. Burimet zyrtare të policisë vendore thanë se i mituri Malaj ka humbur jetën në vend, pasi plaga ka qenë e madhe, ndërsa shoqëruan dhe morën në pyetje me psikolog të dyshuarin. Sipas të dhënave paraprake është bërë me dije se autori i vrasjes Ademaj dhe viktima Malaj, po luanin me armën e gjahut brenda magazinës në momentin e shkrepjes së armës. Arma ka qenë në dorën e të dyshuarit, por pa ditur mirë funksionimin e saj dhe dëmin që shkaktonte, i mituri e ka shkrehur në mënyrë të pavullnetshme. I mituri ka thënë se shkoi te pularia bashkë me shokun edhe për t’u hedhur ushqim pulave. Grupi hetimor ka bërë këqyrjen e vendngjarjes, mori dëshmitë e pjesëtarëve të të dy familjeve për të mësuar nëse ka pasur konflikte të mëparshme dhe mblodhi provat, një gëzhojë, armën e krimit dhe gjurmët e barutit. I dyshuari pranoi se kishte shkrehur armën, por pa dashje. Çiftja mësohet se është gjetur në ambientet e godinës së braktisur, por hetimet e mëtejshme do të zbardhin plotësisht rrethanat.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *