Nuk ka qenë vetëm ekzotika, por edhe bukuritë e rralla, që kanë çuar në Pukë, në zemër të Malësisë së Veriut, udhëtarë të huaj si Nopça, Edit Durham, Rose Lain, por edhe shumë shkodranë gjatë shekullit të kaluar etj. Dhe më pas, megjithëse komunizmi e zhveshi me sharrat e famshme, përsëri një kujtim, një relikte, një copë Puke a Fush Arrësi e gjen në çdo objekt apo shtëpi në Shqipëri në formën e kapriatave, tavanëve e dyshemeve prej dërrase pishe apo në formën e mobilieve prej druri ahu. Por Puka është më shumë se aq. Ajo është atje, e me të gjitha, me bjeshkë të larta, me pllaja e lugina si piktura të gjalla, me pyje e burime pa një të dytë, kur thoshte Lasgush Poradeci, me shpella e pista skish, me një qytet të vogël malor të pastër, me njerëz mikpritës dhe zemër bardhë, me dy muzeume me vlera të rralla, siç është muzeu i Migjenit dhe Muzeu Etnografik, me ato kishat katolike, njëra me bukur se tjetra, me hanet që tani po marrin famë e emër.
Për turistët e malit dhe të ujit
Kush shkon në Pukë një herë, ka dëshirë që të mos e lërë me aq, pasi do që të shkojë gjithmonë. Resurset e saj turistike janë të shumta dhe nuk mund të shfrytëzohen në pak kohë. Psh, qyteti të mban më shumë se një ditë, por po të shkosh në mal, do ditë të tëra të eksplorosh shpellat. Janë 85 të tilla. Një ditë e do me Shpellën e Kaurit, nga më të mëdhatë, më të bukurat dhe më enigmatiket në Shqipëri. Shpella e Kaurit ka qenë e banuar që në lashtësinë e hershme. Por edhe më pas, për periudhën bizantine ka gjurmë jete, me mure të ndërtuar në shekullin VII-VIII të erës sonë. Natyrisht kjo shpellë ka qenë një vend ideal për murgjit, të cilët më të qetë dhe më të vetmuar se aty nuk kishin ku të gjenin vend tjetër. Shumë pranë kësaj shpelle ka kaluar dikur rruga që lidhte Shkodrën me Prizrenin. Një shpellë tjetër po si ajo e Kaurrit është edhe Shpella e Shqelit. Pranë këtyre shpellave natyra të ofron një tjetër mrekulli, liqenin madhështor të Komanit, me ata fjordet e vegjël piktoreskë që bashkohen dhe zbusin grykëderdhjet e përrenjve që zbresin zhurmshëm nga alpet.
Projekte dhe ide
Puka është atraktive për turizmin, ajo do dëshirë, pasion, vlerësim dhe patjetër para dhe investime në infrastrukturë. Të tjerat vijnë vetë. Këtu ka vend për turistët aventurierë të udhëtimeve dhe eksplorimeve, turistëve të malit, por edhe të ujit, të historisë dhe legjendave, por edhe atyre që duan të zgjerojnë mushkëritë dhe të përmirësojnë metabolizmin me aromën e pishave dhe klimën malore. Puka e provoi, me pyjet nuk i doli gjë, ata u shkatërruan dhe duhen vite të rikthehen në gjendjen e mëparshme; minierat po prishen. E vetmja gjë, është të zhvillojë turizmin. Por është për të ardhur keq, se nuk gjen një guidë orientuese, nuk gjen një doracak të vogël historiko-gjeografik të të orientojë. Mirë projektet e mëdha, por as kaq nuk bëhet?!…
Hanet
Falë natyrës dhe relievit që ka, hanet e Pukës ofrojnë gatime tradicionale të zonës si: fli dhe tave dheu, mish në gaca, qumësht, bulmet, mjaltë, vezë fshati, kërpudha, reçel nga më të ndryshmit si reçel kumbulle, fiku, molle etj. Fruta të thata dhe tre lloje salcash. Në dhomat e hanit për shkak të komoditetit, por edhe të qetësisë dhe ajrit të pastër, gjumi bëhet i lehtë dhe zgjimi me një ndjesi të këndshme dhe optimiste për një ditë të bukur. Personeli i haneve, i specializuar, të orienton dhe të ndihmon që ta organizosh ditën sa më mirë me aktivitete si shëtitje në pyll, gjueti, shëtitje me varkë, në dimër rrëshqitje me ski etj.
Qyteti
Qyteti i Pukës ndodhet në veri të Shqipërisë në një lartësi prej 838 metrash mbi nivelin e detit, duke përbërë një prej qyteteve më të lartë të vendit. Pranë qytetit ndodhen pika malore me mundësi për zhvillimin e këtij lloji turizmi. Ka një popullsi prej 6000 banorësh. Qyteti shquhet për ajrin e pastër duke qenë se rrethohet edhe nga një pyll pishash prej 400 hektarësh. Pranë qytetit ka dhe një pistë natyrore ku mund të ushtrohen rrëshqitjet me ski. Gjithashtu ajo shërben si një bazë e mirë për ushtrimin e alpinizmit në malin e Munelles dhe në bjeshkët e Tërbunit.
Verimi në Pukë, që në vitet ’30 të shekullit të kaluar
Nxitje për këtë shkrim u bënë shënimet e studiuesit shkodran, Ahmet Bushati. Nga kujtimet e Bushatit, mësohet se Shkodra gjatë fillimeve të viteve ‘30-të, veronte veç vendeve të tjera si në Bogë, Shirokë, Razëm, edhe ne Pukë. Puka ka qenë si një lagje e Shkodrës. Kot nuk ka ngelur edhe ajo shprehja “shkodran prej Puket”. Në lulishten e bukur të ndërtesës së nënprefekturës së Pukës, shkruan Bushati, çdo mbasdreke e deri në orët e vona të natës, qëndronin ndër tavolina nëpunës e ushtarakë, shume prej të cilëve nga Jugu, por dhe shumë pushues të ndryshëm nga Shkodra. Ja si vazhdon ai më tej: Puka, një qytezë e vogël simpatike, me rreshtin e dyqaneve poshtë rrugës dhe në vazhdim me disa shtëpi të ulëta të shpërndara aty-këtu, me çezmën e re në qendër të qytetit dhe pak më sipër, në të përpjetën e qytezës rreshti i barakave verore, ndërtuar me dërrasa të reja që kundërmojnë aromë të këndshme pishe, me hotelin e ri dykatësh të Abdullah Salihit, ndërtuar me gurë të gdhendur mali, si dhe një tjetër përdhese të vogël që quhej hoteli i grave, kishte filluar të tërhiqte gjithnjë e më tepër pushues nga Shkodra. Binin në sy mjaft të rinj shkodranë të asaj kohe që pasditeve luanin futboll në fushën e shkollës së Pukës, ku jepte mësim edhe Migjeni. Në Pukë, shkonte për të veruar nga Shkodra së bashku me familjen e saj, edhe vajza e dytë e Bajram Currit. Në Pyll të Hoxhës bëheshin piknikë të gëzueshëm nga gratë shkodrane. Ndryshe nga zonat e tjera piktoreske klimaterike të Shkodrës, Puka nga ana e saj, si qënder administrative kishte banorët e saj vendas, por pushimet e shkodranëve në atë zonë, u bënë si shkak që disa familje shkodrane të shpërngulen atje me tregti. Ndër këto familje, përmenden familjet Hafizi, Kraja, si dhe ato të disa nëpunësve të ndryshëm. Familjet e dala nga Shkodra për verim në Pukë kanë qenë me dhjetëra, por në kujtimet e Ahmet Bushatit, përmenden familjet e vëllezërve Ymer e Abaz Dervishit, Fetah Metës, të së vesë së Bajram Currit, Elez Mukës, familjet e Hamza e Man Jukës, të Asllan Bekteshit etj.

Me te vertete eshte nje vend shume shume i bukur , e kam vizituat vjet…
mikepritja e pukjaneve te linte pa fjale..
Bravo, jeni njerez per tu pasur zili !!!!
Me te vertete eshte nje vend shume shume i bukur , e kam vizituar vjet…
mikepritja e pukjaneve te linte pa fjale..
Bravo, jeni njerez per tu pasur zili !!!!