I nderuar lexues! Trevat shqiptare e kanë njohur që herët shkëmbimin e prodhimeve. Një rrjet i dendur urbanistik u ngrit në Dyrrah, Apoloni, Bylis, Skodër etj., si qendra të rëndësishme prodhimi e shkëmbimi. Ato prenë monedhat e tyre që patën një përhapje të gjerë dhe shërbyen si një dëshmi e veprimtarisë së dendur tregtare të këtyre vendeve. Nga ana tjetër, prania e produkteve të importit dhe e monedhave epirote, maqedonase e më vonë të Romës, dëshmon se në periudhën helenistike trevat ilire ishin përfshirë në shkëmbime tregtare që i lidhnin me vendet e Mesdheut. Që në atë kohë, u krijua edhe një sistem i tërë rrugësh tregtare e tokësore që lidhnin Perëndimin me Lindjen.
