Barazim në baltë midis Partizanit e Skënderbeut

anazapta

Partizani nuk mundet t’i imponohet Skënderbeut në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, duke marrë vetëm një barazim pa gola përballë kampionëve. Të kuqtë shpresonin që të ishin ata skuadra që do të frenonte korçarët e do të rihapte kampionatin, por kjo nuk ka ndodhur. Barazimi ishte rezultati më i drejtë, pasi asnjë prej skuadrave nuk ishte në gjendje të dominonte tjetrën, ndërkohë që loja la vërtet shumë për të dëshiruar, kryesisht për faj të terrenit të rënduar në “Qemal Stafa”. Balta nuk lejoi dy skuadrat të luanin me topin, ndërkohë që topat e gjatë ishin pothuajse gjithmonë jo në adresën e duhur. Skënderbeu ishte diçka më mirë në pjesën e parë, ndërkohë që Partizani pati pretendime për një gol të shënuar nga Memelli, në fakt i nisur nga pozicion i parregullt. Në pjesën e dytë të kuqtë ngulmuan më tepër, por korçarët nuk patën shumë probleme për t’i mbajtur larg zonës. Përgjithësisht një takim i varfër, pas të cilit Partizani ka kaluar me një pikë Laçin, por është kapërcyer nga Kukësi. Sokol Cikalleshi ishte njeriu i takimit, me golin e shënuar që në minutën e tretë kundër Laçit. Në dispozicion ishte praktikisht e gjithë ndeshja, por nuk u shënua asnjë gol tjetër, ndërkohë që Laçi ishte tepër pasiv dhe nuk reagoi mjaftueshëm për të barazuar. Tani skuadra e Starovës ka kërcyer nga vendi i pestë në të dytin, duke qenë ndjekëse e Skënderbeut, megjithatë është një situatë që mund të ndryshojë çdo javë. Pa gola edhe në Ballsh, midis Bylisit e Vllaznisë, ku miqtë morën një pikë të çmuar. Vendasit janë në krizë të plotë, pasi nuk janë më në gjendje të fitojnë prej shumë javësh, as në fushën e tyre. Për 45 minuta, Tirana e pa veten jashtë zonës së ftohtë, për herë të parë në këtë kampionat. Bardheblutë ishin në epërsi ndaj Flamurtarit, falë golit të shënuar nga Ndikumana, në minutën e 23-të. Përpjekjet e vlonjatëve u shpërblyen në minutën e 68-të, kur Shehaj barazoi. Asnjë prej skuadrave nuk ishte dakord me barazimin dhe kërkoi të rrëmbente fitoren, duke krijuar raste, por jo gola. Bardheblutë mbeten në zonën e ftohtë, por tani gjendja nuk është më aq alarmante si më parë, pasi zona e shpëtimit është plotësisht e arritshme. Lufta për mbijetesë është e ndezur, pasi ka disa skuadra të rrezikuara dhe njëkohësisht asnjëra nuk e ka prerë biletën për një kategori më poshtë.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *