Të ardhurat nga administrata doganore gjatë muajit shkurt kanë shënuar rritje, duke ndryshuar kështu ecurinë negative të një viti më parë. Të dhënat e detajuara se ku janë shënuar këto rezultate nuk jepen, por drejtoresha e doganave, Elisa Spiropali në një dalje për mediat raporton rritje të të ardhurave. Sipas saj, gjatë muajit shkurt 2014 u arkëtuan rreth 1.2 miliardë lekë më shumë se muaji shkurt 2013, gjatë së cilit u mblodhën 8.9 miliardë lekë. Ndërsa, plani i të ardhurave për këtë muaj u realizua me 104 për qind, duke arkëtuar 393 milionë lekë më shumë se parashikimi. Kështu, nga 9.7 miliardë lekë të planifikuara, gjatë këtij muaji u mblodhën 10.1 miliardë lekë. Këto shifra vijnë në ndryshim nga performanca e ulët në realizimin e të ardhurave, e cila ka shoqëruar administratën fiskale gjatë gjithë vitit të kaluar. Ndërkohë, Administrata e Doganave prej rreth një muaji po mbikëqyret dhe asistohet nga kompania britanike “Croën Agents”, e cila mori përsipër ndryshimin e imazit, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e të ardhurave për llogari të qeverisë shqiptare. Pritshmëritë e qeverisë janë që nga kjo marrëveshje, të ardhurat për buxhetin e shtetit të rriten në masën 90 milionë euro në vit.

Shume mire dhe komplimenta,per punen e mire te doganeve,por pyetja eshte ku shkojne keto pare.A mund te ngrini pensionet po mundet,qe te pakten dhe pensionistet,dhe populli bashke me ta te kuptojne qe keto pare kane nje vlere.