Statusi, është i mundur, por “duhet koordinim i plotë institucional”

anazapta

“Prioritetet e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian për vitin 2014”. Kjo ishte tema e uorkshopit të zhvilluar dje,  i organizuar  nga  Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me projektin SMEI III. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zv. Kryeministri, Niko Peleshi, Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Ettore Sequi, eksperti i asistencës teknike të Bashkimit Evropian SMEI III, Adam Lazouski si dhe të ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar. Ministrja e Integrimit Evropian,  Klajda Gjosha theksoi se tashmë për Shqipërinë, integrimi në Bashkimin Evropian është një rrugë pa kthim. “Duhet të vazhdojmë intensifikimin e reformave. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është i mundur vetëm kur ka një pjesëmarrje aktive dhe një koordinim të plotë institucional”, theksoi ministrja Gjosha në fjalën e saj.  Ajo theksoi domosdoshmërinë e një  bashkëpunimi intensiv nga ana e ministrive të linjës, pasi kjo do të jetë thelbësore për suksesin e këtij procesi dhe për përmbushjen e shpejtë të hapave të mëtejshëm të integrimit. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi shprehu mbështetjen dhe inkurajimin për vijimësinë e procesit. Sequi  theksoi se është i domosdoshëm veç të tjerash  vullneti politik. “Në përvojën time në mënyrë që të jemi të suksesshëm në çfarëdo përpjekje që bëjmë kërkohen 3 gjëra: e para është vizioni, burimet dhe jo vetëm burimet financiare, dhe vullneti politik. Jam shumë i lumtur që shoh këtu në këtë sallë të gjithë përbërësit e duhur për të pasur vizionin dhe Bashkimi Europian bashkë me burimet që mund të japim duke pasur edhe ato burime njerëzore të mrekullueshme që ka Shqipëria dhe ne e ndiejmë edhe vullnetin e fortë politik që ekziston”, u shpreh ambasadori Sequi.

Eksperti i asistencës teknike të Bashkimit Evropian,   Adam Lazovski  listoi disa prej prioriteteve që duhet të zbatohen në funksion të procesit të integrimit, duke u ndalur edhe në nivel teknik ku përafrimi i legjislacionit shihet me mjaft përparësi. Zv Kryeministri Niko Peleshi, u shpreh se projekti i integrimit është më i madhi në Shqipëri  dhe se vullneti politik nuk mungon nga qeveria.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *