“The New York Times” botoi sot, një ndreqje gabimi për një artikull që ka botuar 161 vjet më parë. Shkrimi i kushtohej historisë së Solomon Northup, autobiografia e të cilit “Skllav për 12 vjet” shërbeu si themel për skenarin e filmit me të njëjtin titull që fitoi Çmimin Oskar dy ditë më parë.
Filmi tregon historinë e një bujku dhe violinisti afrikano-amerikan që ka lindur dhe jeton i lirë, në veri të New York-ut, por që rrëmbehet nga tregëtarë skllevërish në vitin 1841 dhe shitet si skllav në Louisiana.
Solomonit iu deshën 12 vjet të rifitonte lirinë e humbur dhe gjatë asaj periudhe jetoi jetën e një skllavi.
Gazeta e njohur njujorkeze zbuloi se e kishte shkruar gabimisht dy herë në dy forma të ndryshme emrin e Solomon Northup dhe tha se ishte njoftuar nga një lexues për këtë gabim.
Ja shënimi i plotë i botuar so, e martë, 4 mars 2014 në “The New York Times”.
“Në një artikull të botuar në 20 janar 1853, që tregonte historinë e Solomon Northup, autobiografia e të cilit ‘12 Years a Slave’ u bë film 160 vjet më vonë dhe fitoi, të dielën në mbrëmje, Oskarin për filmin më të mirë në Akademinë e 86 të Çmimeve, ka cituar dy herë gabim mbiemrin e tij si ‘Northrop’. Edhe në titullin e shkrimit është shënuar gabimisht si ‘Northrup’. Gabimet dolën në dritë ditën e hënë kur një përdorues i Twitter-it na vuri në dukje artikullin në arkivat e ‘The Times’”
Pavarësisht nga gabimet “The Times” e përshkroi artikullin si një nga regjistruesit “më plotësues dhe autentikë që janë botuar ndonjëherë” për këtë histori./r.a.
Leave a Comment
