Ka një terr të plotë mbi nivelin e shitjes së shtypit të përditshëm në Tiranë.
Gazetat i ruajnë me fanatizëm këto shifra (po t’i pyesësh drejtpërdrejt japin shifra të ekzagjeruara) por edhe angazhimi i organizatave të ndryshme me fokus median, ka qenë minimal nëse vjen në pyetje niveli i shitjeve.
Mund të merren vesh tirazhet në shtypshkronjat e printit shqiptar, por sa përqind e këtij tirazhi shitet?
Ditët e fundit qarkullon në forumet online një material me autor Migena Aleksi që njihet në publik si aktiviste e te drejtave te njeriut, ku shkruhet: “Për një botim studimor qe del se shpejti ne treg me titullin “Shtypi dhe tranzicioni në Shqipëri” më është dashur të bëjë një survejim një mujor mbi nivelin e shitjes së gazetave në tregun e shtypit në Tiranë dhe më duhet të pranoj që shifrat kanë qenë befasuese për mua. Në maksimumin e shitjeve, të gjitha gazetat në kryeqytet shesin jo më shumë se 12 deri në 14 mijë kopje në ditë. Sipas shitësve të intervistuar rreth 5 vjet më parë kjo shifër ishte normale vetëm për një gazetë, kurse para 10 vjetësh dyfishi ishte normal për një gazetë të vetme”.
Autorja thotë se disa nga të intervistuarit i pohuan në konfidencë se tirazhet mbahen detyrimisht të larta pavarësisht nivelit të shtypjes ose rënies së shitjeve sepse reklamuesit e mundshëm nëse duan të kuptojnë sa shitet një gazetë pyesin për tirazhin. “Tirazhi nga shumë gazeta mbahet fiktivisht i lartë, ndërkohë që mund të shitet vetëm 50 përqind e tij dhe pjesa tjetër rishitet për riciklimin e letrës (mbetjet blihen me copë ose peshë nga depot dhe magazinat e redaksive)” shkruan Aleksi. Ajo ka bërë edhe vetë një anketim në kioskat dhe tezgat e kryeqytetit (gabimet mund të jenë me 100 ose 200 kopje jo më shumë, sepse tregu ka luhatje të forta sidomos kur kanë qenë ditë shiu, dhe shumica e tezgave nuk dalin për shitje – thotë ajo).
Më pas jep disa shifra sipas të cilave gazeta më e shitur rezulton gazeta Panorama me rreth 4 mijë kopje të shitura në ditë në Tiranë, pas saj renditet gazeta Dita me rreth 3 mijë kopje, e më pas gazeta Shekulli me diçka mbi 1 mijë kopje të shitura në kryeqytet. Të gjitha të përditshmet e tjera nuk i afrohen as shifrës 1 mijë sipas autores në fjalë, madje ka prej tyre që janë në nivele 200 apo 300 kopje e jo më shumë. Autorja thotë se “shtypi është në rënie të plotë” dhe se “shitja në rrethet e vendit është e ndarë në të paktën 7 segmentime që prodhojnë si rregull shitje afërsisht sa Tirana plus një përqindje mbi shifrën e Tiranës që nuk e kalon në asnjë rast nivelin 20-30 përqind”.
Megjithatë ajo shton se “numri i kopjeve të shitura nuk përfaqëson domosdoshmërisht nivelin e lexueshmërisë, sepse një kopje e shitur lexohet nga minimalisht 5 deri në 10 vetë sepse futet në ambiente familjare ose shoqërore”.
Një tjetër pikë e prekur në studimin në fjalë, është për lexueshmërinë online: “Vihen re edhe fenomene ekstreme si p.sh rasti i gazetës Tema, e cila megjithëse nuk shet më shumë se 200 kopje print në tezga e kioska, është më e lexuara online”, thotë autorja.
TEMA

Une di vetem nje gje, ndenja disa dite ne Shqiperi vjet ne vere, kur ishte ndeshja Shqiperi Norvegji dhe disa dite rresht ne plazh, ku edhe plazhi nuk kishte ate fluksin e madh, gazeten Dita, mu desh ta blej, duke korruptuar djalin e vogel gazetashites, qe ma siguronte, duke e paguar 20 leke me shtrenjte.
Kete shqetesim, ja kam thene edhe me koment zotit Thano.
Per gazetat e tjera, kishe mundesi ti bleje edhe ne darke, kurse gazeten Dita, mbas ores 8-9, nuk kishe asnje shanc ta bleje, pervecse kur vete gazetashitesi, ta ruante si ne rastin qe tregova.