Provimi i shtetit do të zhvillohet më dy turne më 10 mars

redaktor

Plot 03 kandidatë do të garojnë në datën 10 mars për të fituar licencën profesionale në një nga specialitetet mjekësore. Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) ka detajuar tashmë listën e kandidatëve të diplomuar gjatë viteve të fundit në fusha të ndryshme mjekësore, të cilët përmbushin kushtet për të hyrë në provimin e shtetit, rezultatet e të cilit u sigurojnë të drejtën për të ushtruar profesionin sipas specialitetit ku janë diplomuar. Një pjesë e mirë e kandidatëve do të hyjnë në provim për të dytën, apo tretën herë, pasi në raundet e mëparshme nuk kanë mundur që të marrin pikët për të kapërcyer pragun minimal si kalues. Ekspertët e agjencisë theksojnë se provimi do të zhvillohet me dy turne. Në faqen zyrtare të internetit www.akp.gov.al, AKP ka zbardhur listën e 54 kandidatëve që do t’i nënshtrohen provimit gjatë paradites, teksa më pas gjendet e detajuar edhe lista e 49 kandidatëve të tjerë që do të japin provimin e shtetit në turnin e dytë të orës 13:00. Në ditën e provimit secili kandidat duhet të ketë me vete detyrimisht kartën e identitetit dhe një fotokopje të saj, si dhe mandat pagesën e tarifës së provimit të shtetit dhe faturën, e publikuar nga AKP-ja, të vulosur mundësisht nga Posta Shqiptare ose në pamundësi nga çdo bankë e nivelit të dytë. Mungesa e njërit prej këtyre dokumenteve ju përjashton nga provimi, duke vënë në rrezik edhe marrjen e licencës për të ushtruar profesionin gjatë këtij viti, pasi ju duhet të prisni sezonin e radhës për të ridhënë provimin. Tarifa që duhet të paguajnë kandidatët që e japin provimin për herë të dytë apo të tretë është më e lartë, se sa ajo e aplikuar në raundin e parë. Në faqen online gjenden të detajuara edhe programet orientuese, në të cilat janë veçuar temat mbi përgatitjet që do të bëjë secili nga kandidatët që kërkon marrjen e licencës profesionale në mjekësi. Bashkë me programet gjendet i zbardhur edhe fondi i pyetjeve rreth të cilave do të përzgjidhen pyetjet finale të testit që do të zhvillohet në datën 10 mars. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish do të duhet të paguajë një tarifë më të lartë. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar. Provimet e zhvilluara në sezonet e vitit të shkuar kanë treguar problematika të shumta sa i takon njohurive të fituara gjatë viteve të studimit, si dhe gjatë ndjekjes së praktikës profesionale, çka është faktuar edhe me numrin e lartë të kandidateve që kanë mbetur në provim. Sa i takon specialiteteve mjekësore mungesat më të theksuara janë shfaqur tek personeli infermieror, dhe kryesisht tek ata kandidatë që janë diplomuar në strukturat private të arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *