Shqiptarët 300 vjet në Ukrainë, sa pak dihet për ta!

anazapta

Flasin toskërishten e vjetër, ruajnë kostumet popullore qindravjeçare, festojnë Shën Gjergjin në kujtim të Gjergj Kastriotit.. Si kanë mbijetuar në tre shekujt e fundit 5.000 shqiptarët e Ukrainës? Ja një histori që nuk duhet harruar

Ngjarjet e fundit në Ukrainë janë prej ditësh në faqet e para të medias botërore. Konflikti i hapur me Rusinë për shkak të Krimesë (gadishullit ukrainas më shumicë ruse) duket se po i drejtohet pikës së moskthimit me aksionet e dyanshme ushtarake, ku nuk përjashtohet mundësia e një lufte.  Dhe në fakt luftërat dhe pushtimet kanë qenë historikisht shkaku që ka detyruar popullata të tëra të zhvendosen në krahina të tjera, e në rastin më të keq në shtete të largëta për t’i shpëtuar persekutimit dhe shfarosjeve. I tillë është rasti i minoritetit shqiptar që jeton në Ukrainë prej 300 vjetësh.

Të shpërngulur nga Korça dhe Pogradeci 500 vjet më parë si pasojë e përndjekjes osmane u nisën në një rrugëtim të gjatë 2 shekullor duke kaluar nëpër Maqedoni, Bullgari e Rumani, derisa  nga shek XVIII u vendosën në katër fshatra në jug të Ukrainës: Karakurt, Devneskoje, Gjeorgjevka, dhe Gamovra. Studiuesi kosovar, Baki Ymeri, ai rus  Aleksandër Novik, por edhe të tjerë shqiptarë që kanë hulumtuar mbi historinë e këtij komuniteti, pohojnë se rreth 5000 banorë të këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë. Gjuha që flitet sot në to është një përzierje e shqipes toske me rusishten, ndërsa zakonet, folklori dhe veshjet janë ato të trashëguara nga stërgjyshërit e tyre.

Pak histori

Disa burime thonë  se në fillim të shek XVIII, në anën e majtë të liqenit Jallpug, të shpërngulurit shqiptarë nga viset bullgare, themeluan koloninë Karakurt në stepat e Buxhakut të Ukrainës dhe në kufi me Rumaninë. Në dekadat që pasuan, një pjesë e fshatit u shpërngul në rajonin e detit Azov, rreth 10 km larg brigjeve të tij, ku u themeluan 3 fshatra, Devnenskoje, GJeorgjevka, Gamovra, në të cilat jetojnë ende shqiptarë.

Sot, Karakurti  ka rreth 2.700 banorë dhe 80 për qind e tyre janë me origjinë shqiptare, të tjerët janë rumunë dhe bullgarë. Me  8 mijë hektarë tokë ai është një nga fshatrat më të varfër në Ukrainë, ku banorët mund të nxjerrin jetesën kryesisht nëpërmjet blegtorisë dhe më pak bujqësisë.

Në vitin 1911, Fan Noli vizitoi Odesan dhe u takua aty me anëtarë të këtij minoriteti, ndërsa mbajti në kishën lokale një meshë. Po kështu, në vitin 1979,  At Artur Liolini, kancelari i Kishës Ortodokse  Shqiptare nga Bostoni, meshoi në të njëjtën kishë për ta.

Përpos këtyre dy ngjarjeve të pazakonta për një komunitet të lënë në harresë, shumë pak është shkruar dhe shumë pak është bërë për këta shqiptarë që prej më shumë se 300 vjetësh jetojnë larg vendlindjes, mes 48 milionë ukrainasve.

 

Është koha për vëmendje

Vetëm në vitin 2006 një shoqatë, “Lidhja e Shqiptarëve në Botë”, mori nismën e dokumentimit për herë të parë të realitetit dhe mbijetesës së komunitetit shqiptar të Ukrainës.

Agim Xhemali, i dërguari i saj gjatë vizitës së parë në Odesë, mbeti i befasuar nga fanatizmi me të cilin shqiptarët kishin konservuar gjuhën dhe zakonet e vjetra të paraardhësve. “Duke studiuar mbi spostimin e popullsisë shqiptare të hershme arritëm në përfundimin se kishte shqiptarë si në Bullgari dhe në Ukrainë. Kjo më shtyu mua dhe ‘Lidhjen e shqiptarëve në Botë’ të shkonim në Ukrainë për t’i parë ata dhe për t’i afruar. Shqiptarët e Ukrainës flasin në masën 70% shqip dhe pjesën tjetër e plotësojnë me fjalët ruse”, shprehet ai.

Në dokumentar nënvizohet domosdoshmëria e ndërhyrjes së qeverisë shqiptare në mënyrë që identiteti i shqiptarëve të  Ukrainës të mos shuhet, por të vazhdojë të trashëgohet me gjuhën dhe kulturën kombëtare siç ka ndodhur ndër breza: “E drejta e mësimit të gjuhës amtare buron nga Karta e OKB-së për të drejtat e njeriut, janë pushtetarët ata që duhet të venë pikat mbi për këtë problem”.

Për këtë arsye banorët e komunitetit shqiptar në Ukrainë i dërguan një peticion ministrit të asokohe të Arsimit, Genc Pollo dhe atij të Kulturës, Ylli Pango, në të cilin kërkohej veprimi i shtetit për shkëmbimin e kulturave. Tri ishin pikat kryesore në kërkesën e tyre:

1.Mësimi i gjuhës shqipe, dërgimi i librave, i fjalorëve dhe i një mësuesi.

2.Ndihma për meremetimin e Shtëpisë së Kulturës dhe

3.Rindërtimi i kishës së fshatit.

Trashëgimi e së shkuarës

Shqiptarët e Odesës i kanë ruajtur zakonet e të parëve, një fakt i tillë verifikohet kur hyn në familjet që banojnë këtu, në dasmat, në punimet dekorative me dru etj. Ishte kjo arsyeja që kur për herë të parë hyri në oborrin e familjes një vizitor si Agim Xhemali, e zonja e shtëpisë e priti me bukë të bërë vetë, çka nënkupton traditën e vjetër shqiptare të mikpritjes.

Shtëpitë fillimisht qenë ndërtuar prej balte të pjekur, më pas u përdor guri i gdhendur. Hyrja në to bëhet nëpërmjet dhomës së zjarrit. Në njërën anë dhoma e vogël e ndenjës dhe në tjetrën oda e madhe e miqve. Në këto shtëpi gatuhet me oxhak. Si dikur, në oborret e shtëpive gjenden ende furra drush për pjekjen e bukës.

Popullsia shqiptare e këtyre fshatrave i ruan traditat e veta, ka folklorin gojor dhe koreografik, ndërsa gratë tjerrin qilima me motive shqiptare. Në arkivin e shtëpisë së kulturës ruhen një numër i madh fotografish të vjetra dhe kostume që jetojnë prej 195 vjetësh.

Në një familje ruhet si një relike e çmuar albumi i “Artit popullor në Shqipëri”. Kryefamiljari tregon një shishe konjak dhe thotë : “Ne pimë vetëm konjak Korça, sepse lidhja jonë me Shqipërinë është shumë e fortë”. Eventi më i madh që shënohet çdo vit këtu është festa e Shën Gjergjit, në kujtim të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Pjesë nga dokumentari

Fshatrat me origjinë shqiptare në Ukrainë kanë mbijetuar përmes  një lufte të ashpër klasore nga regjimi stalinist. Pas formimit të BRSS dhe vendosjes së sistemit komunist, anëtarëve të minoritetit shqiptar që ishin të kamur, iu morën gjithë pasurinë dhe i internuan në veri, në zona të largëta si Siberia. Asnjë prej tyre nuk u kthye i gjallë.

Nëpërkëmbja e atyre që qëndruan në Ukrainë u bë në mënyrë graduale. Gjithçka në ato katër fshatra me etni shqiptare: që nga infrastruktura, shtëpitë, objektet publike, bujqësia, blegtoria, mënyra e jetesës, flasin për gjendjen e prapambetur të banorëve. Pamjet e këndshme që ofrohen nga gjelbërimi i fushave dhe punët në bujqësi të veniten para syve kur mendon se atyre u është mohuar origjina. Në pasaportat e dikurshme të banorëve shkruhej origjina “albanski” (shqiptare), ndërsa gjatë viteve të fundit ajo u fshi.

Një masë ekstreme që ndikoi në humbjen e qëllimshme të identitetit të kombit ishte edhe shpërndarja e popullsisë në zona të ndryshme të Rusisë. Gjithsesi banorët me origjinë shqiptare në Ukrainë janë gjallë, ata e pohojnë me gojën e tyre: “Jemi me origjinë nga Allbania… Pimë raki allbanie… Kemi heroin tonë Gjergj Kastriot Skënderbeun”. Vitet kanë zbehur përdorimin e përditshëm të gjuhës amë, por nuk e kanë asimiluar plotësisht atë. Në tekstin e këngës popullore që këndojnë vajzat e veshura me kostum popullor dallohen disa fjalë të gjuhës shqipe si: lule, oj nëne, kuptova, oborri, dashuri, dielli, dritare, Shqipëria etj.

Shqiptarët e Ukrainës janë të varfër ekonomikisht, në dokumentar shihet gjendja e banesave të tyre. Delegacioni mirëpritet në një shtëpi të zakonshme fshati. Në oborr ndodhet furra primitive pjekjes së bukës. Hyrja në shtëpi bëhet nëpërmjet dhomës së zjarrit. Shtëpi përdhese me pak orendi brenda, dyer e dritare, perde e mobilie  të vjetra. “Komuniteti shqiptar në Ukrainë është në gjendje shumë të varfër, prandaj ata kërkojnë ndihmën tonë si për kulturën, arsimin edhe për kuzhinën, që ne t’u çojmë kulturën tonë dhe kuzhinën shqiptare të kohëve të sotme”, shprehet i dërguari i shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve në Botë”.

Përgatiti: Dorina Gjuzi

Share This Article
20 Comments
  • Per shqiptaret qe banojne ne rajonin e Karakurdit, ne ish republiken e Ukrahines, sot ne republiken e Ukrahines jashte ish Bashkimit Sovjetik, eshte folur shume, jane bere edhe emisione ku gazetare, mbas vitit 90-te, kane shkuar deri ne ato rajone, ku vetem ne rajonin e Karakurdit, jane 7 fshatra, qe banohet me shqiptare.
    Edhe para 90-tes, televizioni i vetem shqiptar ne ate kohe, ka bere emisione te posacme, por pa shkuar ne teren, per shkak te marredhenieve te keqija me ish Bashkimin Sovjetik.
    Natyrisht qe edhe popullsia shqiptare, per shume arsye te ndryshme, nuk ka qene e interesuar te shifnin emisione, qe mund ti dukeshin te merzitshme.
    Une per vete kam pare disa emisione, ku banore te Karakurdit, kerkonin edhe mesues, per gjuhen shqipe.

  • Po kombesi nuk ka ne ansje vend tjeter or burazer … ku ke pare ti ne pasaportat evropiane te shkruhet kombesia. Vetem shtetesia shkruhet e normal ne Ukraine jua kan hequr te gjitheve, aty ska kombesi ruse, polake, ukrainase, hebrej, shqiptare apo ku di une … Cflisni edhe ca xhevahire

  • I bej thirje Edi Rames kryeministrit te vendit,te riatdhesoje kete komunitet ne ukraine!
    Shqiperia ka vend per te gjithe,e jo per 25oo banore qe i perkasin races dhe identitetit kulturor te babajt te kryeministrit!
    Korca, Pogradeci,Kolonja ka vend per kete komunitet te haruar,prandaj i bej thirje dhe ministris se jashme te shtetit shqiptar te shoh me kujdes kete komunitet,dhe angazhim konkret per ti riatdhesuar permes deshires!

    • Kjo do te ishte nje pergjigjeje qe tu dilet ne ndihme. Tjetra do te ishte dhenja e bursave ku se paku dhjete te rinjeve do tu mundesohet shkollimi ne Shqiperi dhe ne Kosove (me obligim qe te kthehen). Po ashtu, ndihma materiale ne renovim te shtepise se kultures qe kan atje, ne libra (abetare dhe tjera) si dhe renovimi i kishes. Besoj se kaq mund te bejne te dy qeverite ne Tirane dhe Prishtine. Jam i sigurte se edhe diaspora do te ishte e gatsme te kontribuoj… Ne duhet ti jemi mirenjohes ketij komuniteti qe nder shekuj ruajti emrin tone atje. Rrespekt <3

  • Çbënë ministrat Pango dhe … me kërkesat e shqiptarëve të Ukrainës? Asgjë. Turpnga ta dhe shteti ynë. Shqipërisë i duhet patjetër të ketë një ministri për shqiptarët jashtë atdheut,që ti gjurmoi, identifikoi dhe ndihmojë ata. Vetëm kjo ministri mund ta ndryshojë ndihmën për shqiptarët jashtë atdheut

  • Keta Shqiptare me jete gjate dhe jeten e gjate e patshin, te ndihmohen dhe te mundohen te vijne ne Shqiperi me zemer shume te hapur! Te gjithe organizmat shteterore dhe ata te shoqatave kombetare kudo qe jane, ne Amerike apo ne Europe te vihen menjeher ne pune dhe bashkpunim!! Kjo eshte me e pakta qe duhet bere per ata!!

    Te behet se neser nuk pret kjo pune!!

  • Per shqiptaret e Ukraines TVSH ja qe ne pranveren e vitit 91 ka dhene nje dekumentar ne kater pjese te realizuar ne ate kohe nga gazetari i TV Shkup per seksionin shqip Atif Miftari. ishte nje befasi e kendeshme pasi deri ne ate kohe sistemi komunist tek ne nuk kishte thene asnje fjale. por edhe pas ketij dekumentari u hesht perseri per nje kohe teper te gjate. jam njohur me gazetarin dhe realizuaesin e atij dekumentari dhe me ka treguar gjeresisht se si i ka takuar dhe gjithe emociionet qe kaloi mes tyre. Kam pare edhe dekumentaret qe jane realisuar shume me vone si ai i viteve 96-97 si dhe aktivitetin e grupit te gazetereve e studjuesve qe shkaun aty, por qe fatkeqsisht rezulton i dobet dhe i pa plote, kjo edhe per shkak te viteve e situates qe ka evoluar me shqiptaret ne ato treva. Sidoqofte shtetaret tane qe bejne sikur u qan zemra dhe leshojne here pas here deklarata nacionaliste si tollumbace, pothuajse i kane haruar krejtesisht shqiptaret e ukraines. Mbase u deshen ngjarjet e diteve te fundit qe u kujtuam befaqs se ne ate vend ka edhe shqiptare, njerez te thejeshte nga gjaku yne i shprishur. Eshte koha qe te mos i harojme dhe ti braktisim perseri. Shoqatat ne ate vend duhet qe te mendojne edhe per mergimtaret tane te hershem. Eshte detyre edhe e shtetit ame qe te planifikoje e te mendoj seriozisht edhe per jeten e atyre njerezve atje. U bej thirrje universiteteve private, por edhe ati shteteror qe te sigurojne disa bursa per femijet e tyre me qellim qe te te shkollohen ketu per te perçuar gjuhen e bukur shqipe edhe ne ato vise ku jetojne prej shekujsh shqiptaret e migruar prej shekujsh. te mendojme qe te gjithe seriozisht per ekzistencen e gjakut tone.

    • Shume sakte Amant, i kam pare edhe une ato emisione dhe me duhet te them, se u mrekullova kur degjova nje shqipe te vjeter, nga ata banore, qe e kishin trasheguar gjuhen shqipe, brez pas brezi.
      Bashkohem edhe une me komentuesin e meposhtem Osman, qe shteti shqiptar dhe ministria e arsimit, te jape bursa falas, per kete komunitet, pse jo edhe per arvanitasit dhe arbereshet.
      Ka ardhur koha qe ti bashkojme shqiptaret kudo ku jane, panvaresisht shtetit ku jetojne.

  • Zonja Ministre e Aresimit!
    Dergo MENJEHERE te pakten 10 bursa per kete komunitet te mrekullueshem Te vine ne shqiperi keta studente-nxenes per te pakten 8-10 vjet(sipas konsiderates tUaj). Te mesojne gjuhen dhe kulturen shqiptare me detyrmin te kthehen ne vendin e tyre – te perhapin gjuhen dhe kulturen tone atje! Ky komunitet meriton shume me shume per ate qe kane ruajtur kaqe gjate identitetin shqiptar dhe na DETYRUAN NE DHE JU TE MESOJME QE KA SHQIPTARE NE UKRAINE,

  • Shteti shqiptare duhet te kujdeset per keta njerez,jane gjake nga gjaku yne.Duhet qe perfaqesuesit tane ne ukrahine te marrin kontakte,te evidentohen kerkesat e tyre,tu ofrohen disa bursa.Te sponsorizohen disa emisione televizive dhe te vendosen kontakte me te ngushta.Kemi shume shqiptare ne bote ne Egjypte,Argjentine,Siri etj .. etj

  • “Në tekstin e këngës popullore që këndojnë vajzat e veshura me kostum popullor dallohen disa fjalë të gjuhës shqipe si: lule, oj nënë, kuptova, oborri, dashuri, dielli, dritare, Shqipëria etj.” – U preka thellë; u mallëngjeva deri në lotë … 🙁

  • duhet qe te dy qeverit ,si ajo e kosoves edhe ajo e shqiperis te veproin shpejta , per shqipetaret e ukraines.sepse atje ka per te shperthyer ,keshtu qe se paku te shpetoim diqka,toke kemi boll,pse mos tju ndaim diqka atyne.por sigurisht ne te dyja qeverit ka hajna shume e mendoin per veten,

    • Nese shteti Ukrainas i njeh si minoritet shqiptar tu jepet nga qeveria jone nenshtetesia shqiptare.

  • bravo qi kini mujt ta runi emnin shqiptar ne at regjim komunist dhe i kini nderimet emia te przemrta .
    dhe duhet te dyt qevrit ti ndihmojn kta njerz

  • Pajtohem me komentuesit te cilet e shohin si zgjidhje kthimin e ketyre bashkeatedhetareve ne trojet shqiptare.Pra do te ishte zgjidhja me e mire edhe pse jo e lehte por gjithesesi e mundshme.Me nje organizim te mire te te dy qeverive tona dhe me ndihmen e mergates shqiptare do te arrihej kryerja e kesaj detyre sa atedhetare aq edhe humane.Jane pjese e trungut dhe gjakut tone,andaj duhet vepruar sa me shpejte.Nuk besoj se ata do te ngurronin te kthehen ne token meme,perndryshe do te duhej te benim q’mos per tu ndihmuar ne menyra te tjera.

  • me respect te madh duhet ti pranojm keto atdhetar ,te lasht te ikur qe para 300 viteve ,edhe te jemi te gjith krenar per keto,qe ne nje shtet komunist .si rusia te ruajn traditat dhe gjuhen e nenes shqip,dhe me veshjen e tyre te bukur ,te kuqe qe na bie nderment kohet e vjetra .pra kjo povinc e lasht e ilireve e arberesheve te vjeter na ben krenar qe kan ruajtur at tradit shiptare ,pra nuk mund te gjesh fjal te flasish per kete qe ato kan ber dhe kan respekuar origjinen qe kaq vite duhet te bejme dicka per kete popull shqiptar te lashte. ato jan legjenda e shqiptareve ,e them kete sepse nuk jan si popujt e tjer qe kan jetuar ne vende te ndryshme ,sepse kan jetuar ne nje shtet qe skan pas edhe te dejten me te vogel ,nga ish bashkimi sovjetik,dhe ukraina ,me respekt te gjith shqiptaret kudo qe jan qe ruajn traditen dhe gjuhen e memes shqipetare,

  • Me respect te madh duhet ti pranojm keto atdhetar ,te lasht, te ikur qe para 300 viteve ,edhe te jemi te gjith krenar, per keto,qe ne nje shtet komunist si rusia, te ruajn traditat dhe gjuhen e nenes shqip,dhe me veshjen e tyre te bukur te kuqe qe na bie nderment kohet e vjetra, pra kjo povinc e lasht e ilireve, e arberesheve te vjeter, na ben krenar qe kan ruajtur at tradit shiptare ,pra nuk mund te gjesh fjal te flasish per kete qe ato kan ber ,dhe kan respekuar origjinen qe kaq vite, duhet te bejme dicka per kete popull shqiptar te lashte, ato jan legjenda e shqiptareve ,e them kete sepse nuk jan si popujt e tjer qe kan jetuar ne vende te ndryshme te botes,sepse kan jetuar ne nje shtet qe skan pas edhe te dejten me te vogel ,nga ish bashkimi sovjetik,dhe ukraina ,me respekt te gjith shqiptaret kudo qe jan qe ruajn traditen dhe gjuhen e memes shqipetare,

  • Do ishte gjeja me modeste ne bote qe kryeministri te bente dicka per ata njerez se jane me shum shqiptare se te gjithe ne…nje lutje nqs gazeta juaj mund tja percjelli kto fjale shefit QEVERIS. KRYEMINISTRI BEJ DICKA PER ATA NJEREZ.

  • Ju lutem me dergoni nje adrese t’ju dergoj tekste te Abetares per femijet shqiptare te Ukraines.Ju kam derguar 30 komplete edhe para 7-8 vjetesh nepermjet firmes Rira por nuk kam konfirmim nga komuniteti.
    Botuesi

    Rolamd Cano

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *