Fitorja e Shqipërisë me Maltën përmblidhet e tëra me një gol spektakolar të Alban Mehës, që nuk ishte realizimi i vetëm në “Niko Dovana” por që pasqyron më së miri lojën e kuqezinjve, që ishte e fortë dhe e bukur për t’u parë ashtu si goditja e mesfushorit me këmbët magjike. Shqipëria fitoi 2-0 testin miqësor ndaj Maltës, ashtu siç dhe pritej në fakt, por skuadra e De Biasit pavarësisht se ndaj një kundërshtari modest duhet thënë që dha përgjigje pozitive në fushë duke qënë dominuese dhe duke luajtur mbi të gjitha një futboll modern falë dhe mesfushës kreative, me Kaçe, Basha, Meha, Hyka dhe Rama. E vetmja notë e stonuar, është një gabim në mbrojtje në minutën e 4-tërt, që i dha mundësinë Mifsud të realizonte në portën e Berishës, por për fat shënjestra e sulmuesit maltez ishte e gabuar.
Më pas nga kjo goditje e Hykës në minutën e 7-të e deri në fund gjithçka ishte një dialog i vazhdueshëm mes futbollistëve kuqezinj dhe portierit maltez, aq sa portën kundërshtare e kërkojnë të gjithë që nga Rama, Meha, Hyka por dhe Basha, që në minutën e 26-të zhbllokoi rezultatin me një goditje të saktë me kokë brenda në zonë pas harkimit nga këndorja. Shqipëria mund të kishte dyfishuar shifrat dy minuta më pas nëse Rama do të ishte treguar i saktë, ndërsa në të 31-tën provoi dhe Kaçe nga jashtë zone. Në të 39-tën, Kapllani kishte shansin për të shënuar përballë tifozëve të qytetit të tij të lindjes, por nga pak metra goditi ngjitur me shtyllën. Pjesa e parë u mbyll me bindjen se rezultati duhet të ishte më i rrumbullakosur për ne. Gjithsesi tifozëve kuqezi në “Niko Dovana”, që e kishin mbushur stadiumin si në rastin e ndeshjeve zyrtare, nuk ju desh të prisnin gjatë për të festuar sërish dhe këtë herë britma e gëzimit ja vlejti, pasi goli i Alban Mehës ishte thjesht një bekim.
Rezultati mund të ndryshonte sërish në minutën e 57-të, por Basha gjeti shtyllën në rrugën e tij drejt golit. Në minutën e 80-të, shtylla thotë sërish jo për Shqipërinë, teksa ndal goditjen e Memushajt. Mbyllet me kuqezinjtë në sulm por rezultatin që nuk ndryshon më. Testi i parë drejt Euro 2016 është pozitiv dhe pse ndaj një kundërshtari modest.
