Një HEC me “spec” në kanionet e Përmetit

anazapta

Berisha për 8 vite e trumbetoi fort skemën e tij të koncesioneve. Në emër të tyre më pas u krijuan monopolet në disa sektorë kyç të ekonomisë. Por një tjetër kapitull përfaqësojnë koncesionet hidrike, pra të ndërtimit të HEC-eve. Ato janë dhënë me qindra, shumica u përdorën si letra që shiteshin në treg të zi nga sekserët që më parë kishin siguruar “VKM” e qeverisë. Por brenda kësaj pakete të koncesioneve hidrike, ka disa prej tyre që shfaqen dhe më spektakolaret, më të pabesueshmet. Janë koncesione të dhëna për të ndërtuar aktivitete në zona të mbrojtura me ligj si parqe kombëtare. Koncesione të dhëna për të ushtruar aktivitet industrial, pikërisht në territorin e parqeve të mbrojtura kombëtare, në të cilat është kategorikisht e ndaluar të zhvillohen aktivitete industriale. Të tilla janë dhënë në të gjithë vendin edhe në zonën e Parkut Kombëtar të Valbonës në Tropojë apo dhe në zonën e Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës në Përmet. Filozofia e ndërhyrjes vulgare dhe primitive në shkeljes së ligjit në emër të “koncesionit” nuk ka njohur kufi. 

 

Kanioni  që thahet

Kanioni i Bënjës në Dangëlli është një nga perlat e bukurisë shqiptare. Kanioni është shpallur me vendim qeverie zonë e mbrojtur. Në baze të ligjit nr.8906, datë 06.06.2002 për Zonat e Mbrojtura, të ndryshuar, neni 7 pika 2 dhe neni 8 pika 5 në një monument natyre, zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes dhe sipas nenit 18, pika 5, monumentet e natyrës, pronë publike, janë të patjetërsueshme. Ajo ndodhet në komunën e Petranit dhe është pjesë e Parkut të Mbrojtur Kombëtar të Bredhit të Hotovës në Përmet. Por së fundmi aty janë shtuar së tepërmi dhe me intensivitet të lartë punimet për ndërtimin e hidrocentraleve.

Bëhet fjalë për hidrocentralet “Langaricë 1-2” dhe hidrocentralin “Langaricë-3”. Dy të parat kanë nisur procedurën e tyre që në vitin 2007, kur një vendim i qeverisë Berisha i hapi rrugë ndërtimit të tyre.  Posjellim sot në vëmendje mënyrën se si u sigurua koncesioni i parë ai për ndërtimin e “Langarica 1-2”. Gjithçka nisi seriozisht në vitin 2007, kur qeveria Berisha i hapi rrugë një kompanie private të quajtur “Hasi Energji” që të niste aktivitetin e saj për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve. Por dy vite më vonë, në vitin 2009, kjo kompani private e rishikon kontratën e saj të lidhur me Ministrinë e Ekonomisë së drejtuar asokohe nga Genc Ruli dhe e riformulon për së dyti kontratën. Në kontratën e dytë kompania rrit të drejtën për të instaluar fuqinë e saj prodhuese nga 6200 KV në 8. 906 KV. Pasi i merr qeverisë dhe këtë avantazh kompania më pas nis të rikonfigurojë paketën e saj të aksionarëve dhe ndodhi që në Gusht të vitit 2013, kompania që u shfaq si pronare e këtij koncesioni të ishte “Langarica Energy” me një paketë të rinovuar pronarësh në letra. Pikërisht në Gushtin e vitit të kaluar, në orët e fundit të qeverisjes së tij, Berisha i dha dhe dorën e fundit këtij koncesioni duke e miratuar me vendim të posaçëm KRTRSH-je ekzekutimin e tij.

 

Fijet pas ish-pushtetit

Është e kotë të shohësh paketën e pronarëve, të rinjtë apo dhe ata të vjetrit e vitit 2007. Cilido që do rezultojë emri është e sigurt se ose ka qenë “sekser qeveritar”, ose “pronar fundor që ka paguar tek vendi”. Interesant është fakti se pas aprovimit të marrë në KRTRSH në lojë ka hyrë direkt kompania “Treema Enginering”. Ajo është në pronësi të biznesmenit Ilir Trebicka. Ai ka aplikuar para dy muajsh në Ministrinë e Mjedisit për të siguruar një leje dhe për të kryer punime në zonën e koncesionit, brenda Parkut Kombëtar. Leja që kishte aplikuar Trebicka ishte për ndërtimin e një “landfilli”, pra të një grope për depozitim mbetjesh. Nuk janë gjë tjetër veçse mbetjet nga gërmimet dhe nga ndërtimi i një rruge që po ndërtohet aty për të bërë të mundur kalimin e kamionëve me ngarkesë.  Pasi u mbyll e gjithë procedura, është Ilir Trebicka ai që del në fund si një biznesmen që po punon intensivisht në terren. Leja në fjalë i është refuzuar përpara dy muajsh, por a mjafton vetëm kaq?

 

Një kasapanë e ligjëruar

Koncesioni i Langaricës mbledh si një buqetë të gjitha tiparet e vandalizmit me territorin dhe parqet kombëtare, korrupsionit,  linjës së sekserëve të koncesioneve, shitjes së tyre në oligarkë dhe më pas ekzekutimit të një vepre të ndaluar. Nisi çdo gjë në vitin 2007 edhe pse qeveria Berisha që i vuri vulën asokohe e dinte mirë se po jepte një leje dhe një koncesion në një zonë ku po ajo qeveri e kishte ndaluar rreptësisht ndërtimin. Fillimisht iu dha një kompanie të panjohur, e cila pas një 2 vitesh e rinegocioi me qeverinë kontratën e parë dhe fitoi më shumë të drejta për këtë koncesion. Pasi i fitoi dhe këto të drejta, me letrat gati doli në treg të madh dhe nisi të gjente dhe oligarkët që mund ta financonin duke i futur si aksionarë e duke u shitur aksione ekskluzive falë vulave dhe firmave të qeveritarëve që i kishin hapur rrugën.

Ky është itinerari i ndjekur, brenda 6 vitesh u kopsit skema, qeveria shkeli me vandalitetin më arbitrar të gjitha ligjet që mbronin zonën dhe sidomos kanionin dhe më pas në lojë u futën kompanitë seksere që e shitën në kompani oligarke të drejtat vandale të fituara.

 

Pakëz reflektim në fund

Shkelja dhe përdhosja e ligjeve është aq e qartë në rastin e këtij koncesioni sa është e pamundur sot të mos veprosh. Si mund të kesh dilema në këtë situatë? Çfarë do ai HEC aty dreqi ta hajë? Paligjshmëria është arbitrare. Kemi paralelisht dhe një HEC që po ndërtohet me leje dhe kontratë qeveritare por edhe një Park që është shpallur zonë e mbrojtur sërish nga një vendim dhe vullnet qeveritar. O njërën o tjetrën, pasi ekzistenca e të dyjave, jo vetëm na korrupton, na dëmton natyrën dhe na pasuron ish-qeveritarët, por paralelisht duke na i bërë të gjitha këto edhe na tall na vendos në paradoks. Është e mbrojtur apo jo, ajo zonë? Nëse është e mbrojtur dhe dikush dëshiron ta kthejë në industriale atë zonë  për të ndërtuar hidrocentrale dhe për të tharë kanionin hiqeni nga lista e zonave të mbrojtura.  Të dyja bashkë nuk mund të ekzistojnë. Por edhe sikur sot kjo zonë të humbë statusin e saj si zonë e mbrojtur, kjo nuk zhbën shkeljen ligjore që është bërë me lejen në fjalë. Pasi në momentin kur është dhënë leja ajo ka qenë e mbrojtur. Ç’ka do të thotë, se pa kushte kjo histori ka përgjegjës, më së pari përgjegjës shtetërorë, zyrtarë të lartë e jo vetëm, duke vijuar me përgjegjësit e tjerë përfituesit e këtij koncesioni. Është një koncesion i turpshëm, është koncesioni që vazhdon edhe sot e kësaj dite të na mbajë gjallë devizën e Berishës: Natyrën bëj sikur e Mbroj, sekserët i lëshoj, hidrocentralin e ndërtoj. Kësaj devize i do dhënë fundi sa nuk është vonë.

Marrëveshja e rishikuar në vitin 2009 ku kompania private  siguron të drejtën për të shtuar fuqinë prodhuese të hidrocentaleve
Marrëveshja e rishikuar në vitin 2009 ku kompania private siguron të drejtën për të shtuar fuqinë prodhuese të hidrocentaleve

Aplikimi i bërë për leje mjedisore  nga kompania e Ilir Trebickës i refuzuar dy muaj më parë

Aplikimi i bërë për leje mjedisore nga kompania e Ilir Trebickës i refuzuar dy muaj më parë
Share This Article
3 Comments
  • Si kudo Genc ruli hajduti ordiner bashke me familjen mafioze berisha and co. Rilindja duhet te veproje se po i mbaron vaji kandilit, nuk pritet kater vite pa futur ne burg kriminelet dhe te korruptuarit … durimi po soset, zgjedhjet lokale jane pas nje viti…

    • Burg per keto plehra qe vepruan me pasurite e shqiperise sikur ti kishin te babait te tyre….burg per berisheb dhe konfiskim pasurise sepse nuk kishte breke ne bythe e mezi gjeti valixhe druri kur zbriti nga mallet dhe erdhiu ne tirane si komuniust e pa asnje aktivitet e bisnnes na u be shume I pasur…..vertete kandilit I eshte mbaruar vajiky kriminel e banda e tij duhet patjeter te marrin denimin e merituar dhe ti sekuestrohen gjithe pasurite. besoj se eshte e lehte te verifikohet e te vertetohet katerciperisht vjedhje dhe krimi I tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *