Do të ishte shumë mirë që sot të flisnim për festë dhe jo për halle. Por përpara kësaj problematike nuk vlen të heshtësh. Tekstet shkollore kanë shumë probleme: janë të mbingarkuara, përkthime aspak cilësore, histori e shtrembëruar me data e vite jo të sakta, koncepte të gabuara. Këto janë vetëm disa nga problemet e hasura në tekstet shkollore të arsimit parauniversitar të vërejtura nga mësues, prindër e fëmijë. Në jo pak raste, mësuesit gjykojnë se tekstet shkollore kanë gabime ortografike, por edhe shkencore. “Dita” ka gjetur shumë prej këtyre gabimeve i ka shkëputu sot prej librave, për të kuptuar se ç’ndodh me tekstet që kanë në duar fëmijët tanë.
Dëshira për ta përfunduar tekstin shkollor sa më parë, në mënyrë që ai të bëhet pjesë e tregut, ka bërë që këto gabime të mos rregullohen përpara shtypjes së tekstit, por të përfundojnë në duart e nxënësve duke i shtuar kështu vështirësi të mëdha procesit mësimor. Dhe si për ironi, mësuesit kanë gjetur gabim edhe vitin e themelimit të Mësonjtores së parë shqip (Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë e gjuhës shqipe. Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë) Në lëndën “Qytetari 10”, viti i hapjes është shkruar gabim, duke e ndryshuar atë nga 1887 në 1778.

Një ditë papara Festës së Mësuesit, 7 Marsit, kemi shkuar në shkolla, për të folur me mësues mbi këtë problematikë, pasi ata janë dëshmitarët e parë të këtyre gabimeve. Por kemi takuar edhe prindër, ata që bombardohen nga pyetjet e vazhdueshme të fëmijëve në shtëpi.
Rafaela Marteta është nënë e dy fëmijëve: një vajze 9 vjeçe dhe një djali 4 vjeç. Vajza frekuenton klasën e tretë, djali shkon në kopsht. Ajo është një ndër nënat me të shqetësuara përsa i përket këtij fenomeni. Dita ka bërë një bisedë me Rafaelën, e cila ndan jo vetëm shqetësimin e saj, por edhe të shumë prindërve të tjerë?
Rafaela, jeni ndoshta një ndër prindërit më aktivë për sa u përket problemeve me tekstet shkollore. Kur keni filluar të jeni kaq e ndjeshme për sa i përket gabimeve në to?
Ju falënderoj që m’u drejtuat, e shoh si një rast shumë të mirë për të shprehur për të satën herë publikisht një shqetësim, i cili, besoj, nuk është vetëm personal. Një lloj intolerance kundrejt disa botimeve në gjuhën shqipe e kemi ndier veçanërisht kur kemi filluar t’i lexojmë vajzës sonë. Aty për aty problemi nuk na u duk i pazgjidhshëm, sepse lexonim nga gjuha e huaj dhe i përkthenim gjatë leximit. Kur vajza u bë autonome dhe mundte e dëshironte të kishte kontakt personal me tekstin, u kthye në shqetësim të vërtetë kjo gjë, pasi duke u thelluar e pamë se problematika përfshinte disa nivele: gabimet drejtshkrimore, ortografike, strukturën e fjalisë, praninë e fjalëve të huaja vend e pa vend dhe përmbajtje të papërshtatshme. Në atë rast reagova nëpërmjet një shkrimi në shtypin e shkruar sa i përket cilësisë së botimeve për fëmijë në gjuhën shqipe. Që prej atij momenti, ky problem ka qëndruar gjithmonë në fokusin tonë si prindër, sidomos me përfshirjen e vajzës në sistemin formal të edukimit. Kemi reaguar në vazhdimësi me shkrime më specifike për natyrën dhe nivelet e problematikave në tekstet shkollore.
A keni komunikuar ju me prindërit e tjerë për këtë problematikë?
Sigurisht që po, jo vetëm me prindër të tjerë, që shumë herë janë edhe kolegët tanë, por edhe me mësuesit. Mësueset, sidomos në klasë të parë, janë treguar shumë të mirëkuptueshme dhe të gatshme për të lehtësuar vështirësitë e nxënësve, në momentin që problemet janë identifikuar. Duhet thënë që jo të gjithë kanë të njëjtën ndjeshmëri, mësues a prindër qofshin. Disa shqetësohen realisht dhe bëhen bashkëpunues për identifikimin e teksteve që paraqesin probleme të dukshme. Por, nuk janë shumica. Një pjesë e mirë vënë buzën në gaz dhe e klasifikojnë si “snobe” natyrën e problemit, duke pasur parasysh problemet që ka ky vend. Për disa, arsimi nuk është prioritet. Të tjerë, për arsye që duhen mirëkuptuar, heshtin dhe ngrenë supet duke pohuar me gjeste “kështu janë gjërat këtu”.
A ju bën vajza pyetjet të çuditshme në lidhje me ato çka ka lexuar në libra?
Qasja e saj kundrejt teksteve ka kaluar nëpër disa faza. Në fillim kishte vështirësi me identifikimin dhe fokusimin e idesë kryesore. Këtyre teksteve u mungon një bosht logjik, kohezioni. Janë tekste pa hyrje, me një shtjellim të çalë dhe pa përfundime. Në një moment të dytë filloi të identifikonte gabimet e panumërta ortografike, gjë që e bëri të humbiste besimin tek tekstet dhe të besonte se çdo tekst duhej patjetër të kishte gabime, ndodhi një lloj procesi deligjitimimi i burimit të njohjes, që për një fëmijë është i shenjtë. Tani jemi në fazën kur i identifikon tekstet me përmbajte të papërshtatshme. Ju siguroj që ka shumë dhe i jep një drejtim tjetër tekstit duke aplikuar mendimin e saj kritik.
Si e shikoni problematikën? Sa shqetësuese është situata e teksteve shkollore sipas jush?
Jashtëzakonisht shqetësuese dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Nuk do të dëshiroja kurrë që tim biri dhe ne bashkë me të, kur të hidhet në klasë të parë pas dy viteve, të na duhet të punojmë me të njëjtat tekste, apo edhe me tekste të tjera që bartin të njëjtat problematika. Situata është shqetësuese si në nivel afatshkurtër – një tekst i keq vështirëson ndërmjetësimin, që si prindër dhe mësues duhet të bëjmë mes fëmijës dhe procesit të njohjes, të cilit ai i nënshtrohet – ashtu edhe në nivel afatgjatë, i cili është edhe ai që duhet marrë më seriozisht në shqyrtim, pasi çon në devijime të natyrave të ndryshme e përfshin nivele të ndryshme.
Kush duhet t’i filtrojë këto tekste dhe kujt i bie përgjegjësia?
Përgjegjësia është e të gjithëve, duke filluar nga prindërit, të cilët duhet të imponohen fuqishëm; mësuesve, institucioneve përkatëse e brenda tyre komisioneve përkatëse që kanë mbyllur një sy dhe kanë kaluar tekste të tilla në treg, politikës që ka favorizuar nënsisteme që favorizojnë të paaftët. Falënderoj gazetën Dita për interesimin dhe uroj 7 Marsin. Uroj gjithashtu, që vitin e ardhshëm nëpër shkollat publike të bëhet mësim ditën e 7 Marsit, si shembull i angazhimit serioz të mësuesve në misionin e tyre, pikërisht në ditën e tyre. Kolegët e mi nuk dinë ç’drejtim t’u japin të vegjëlve të tyre nesër, pasi mësimi do mbarojë në ora 9.30. Jo të gjithë fëmijët i kanë prindërit mësues, kështu që shumicës së prindërve u kërkohet të rrinë në punë.
Disa nga gabimet që “Dita” ka gjetur në tekstet shkollore, pasi është konsultuar edhe me mësues të shkollave të ndryshme:
-Tek “Qytetari 10”, shtëpia botuese “Mediaprint”, në fq. 60 viti i hapjes së Mësonjëtores është gabim!
-Tek “Shkenca 12”, “Pegi” algat trajtohen si bimë, ndërkohë që sipas mësuesve algat janë të përfshira tek mbretëria Protista.
-Sipas mësuesve të historisë, figurat historike nuk trajtohen me kujdes. Tek “Historia e Shqipërisë XII”, “Pegi”, fq. 116, Ahmet Zogu cilësohet si i papërgjegjshëm dhe jo vetëm, ndërsa edhe figura e Esat Pashë Toptanit nuk jepet e ekuilibruar.
-Tek “Gjuha Shqipe 9”, “Shkronjë pas shkronje”, fq. 22 jepet paralelizmi figurativ në vend të antitezës, ndërsa në faqen 12 nxënësit mësojnë se fjala baladë, shkruhet balladë (që është gabim)!! Po kështu, tek “Gjuha Shqipe 6”, “Shkronjë pas shkronje” tek formimet e trajtave të bashkuara, ju+e=jua jepet gabimisht ju+e=ua.
-Tek “Edukata Shoqërore 2”, “Media Print” thuhet: “Mami i Benit është shumë e mërzitur, bën shumë punë në familje dhe kërkon ndihmë nga babai i Benit, por ai gjen arsye për të mos e ndihmuar: del me shokët, luan bilardo ose shikon TV. Shpeshherë mami i bërtet Benit, megjithëse ai sillet mirë”. Çfarë stereotipesh u mësohen fëmijëve me këto tekste të pakuptimta dhe jo edukative?
-Tek “Biologji dhe Edukim shëndetësor 6”, “Mediaprint” thuhet: “Megjithëse shumë kafshë për të jetuar zgjedhin pyllin…” (shumë kafshë zgjedhin pyllin”! Është shkencë apo përrallë?! Ashtu si vetëm në përralla, kafshëve u vishet dimensioni i lirisë! Kafshët zgjedhin vetë vendbanimin e tyre, dhe shumë prej tyre pëlqejnë pyllin! Ideja përforcohet në vazhdim, madje edhe me shembuj konkretë: “…Secila prej tyre parapëlqen vende të caktuara në të…” Ndërsa, më pas thuhet: “Një qukapik zgjedh një trung, një shpend e bën folenë mbi degët e pemëve…” (Po qukapiku nuk është shpend?)
***
Ina Kasimati, mësuese e lëndës së biologjisë në shkollën “Andon Z. Çajupi”, në Tiranë
Në dhjetë vjet janë bërë reforma pa standarde, duhet një unifikim i teksteve

Kam tre vite që tek teksti “Shkenca 12”, linja e Biologjisë ( kjo lëndë ka edhe dy linja të tjera: Fizikë e Kimi, dhe e japim tre mësues të ndryshëm që ndërrohemi në çdo tre muaj në klasat e maturës) kam gjetur të njëjtin gabim, që jo vetëm nuk korrigjohet, edhe pse i kam lënë vërejtjet e mia në procesverbalet e mbledhjeve që kemi bërë, por shumica e mësueseve që kanë votuar, sërish kanë zgjedhur këtë tekst.
Së pari, po ju shpjegoj gabimin që për mua është në nivelin shkencor: në këtë linjë studiohet biodiversiteti dhe nxënësve iu bëhet e ditur që në fillim që bota e gjallë ndahet për lehtësi studimi dhe për t’i njohur , mbrojtur apo shfrytëzuar në mënyrë të dobishme organizmat e gjalla, në 5 mbretëri: Monera (ku përfshihen bakteret) protestat, ku përfshihen protozoarët njëqelizorë dhe algat shumëqelizore, kërpudhat, bimët dhe kafshët. Tek teksti që kemi ne, në fq. 145, ku fillohet dhe trajtohet mbretëria e bimëve, në fillim jepet informacioni për algat shumëqelizore dhe madje quhen edhe bimë të hershme. Kështu që unë e kam të vështirë t’ua shpjegoj që algat shumëqelizore duhej të ishin trajtuar te protistet dhe jo te bimët.
Për hartimin e teksteve mendoj se jo çdo mësues apo pedagog është i aftë të bëjë tekst mësimor, për shumë arsye. Për shembull, teksti duhet të ketë lidhje me zhvillimet dinamike që kanë të gjitha sferat e jetës, sociale, shkencore, mjedisore, sportive, shëndetësore etj. Nuk mund të ecim me autorë që dikur kanë bërë ca tekste, i kanë të konservuara prej vitesh dhe shkruajnë po të njëjtat gjëra, madje edhe në tekste të klasave të larta të 9-vjeçares (p.sh. në kl e VII dhe IX, ku studiohet anatomia). I njëjti autor që ka bërë këtë tekst të shkollës 9-vjeçare është edhe tek teksti i gjimnazit, ku studiohet me po të njëjtat informacione anatomia. Po ashtu, në kl. e XI, te Biologjia me zgjedhje, bëhet Bioteknologjia. Libri ka të njëjta informacione, që ky autor ka bërë te teksti i Biologjisë para 10 vitesh.
Përgjegjësia mendoj se është e Ministrisë së Arsimit. Brenda 10 viteve ka ndërruar reforma, pa standarde vlerësime, pa pilotime, ka vënë në fakt kurrikul bërthamë dhe me zgjedhje, për ta lehtësuar nxënësin, por po e vështirësojnë më shumë, duke futur sa më shumë tekste.
Pra në radhë të parë përgjegjësia është e ministrisë, pastaj IZHA, departamenti i kurrikulave, pastaj mësuesit kanë problemet e tyre, pasi ata janë artistë të metodikave gjithmonë e më shumë interesante për të arritur zhvillimet individuale e profesionale të nxënësve, por edhe të tyre njëkohësisht dhe sigurisht që jo çdo gjë ata e bazojnë në tekst. Personalisht, jam për një unifikim, por mendoj që duhet të ketë në grupin e autorëve çdo lëndë, edhe psikologë, veç specialistëve të lëndës, si dhe t’u lëmë hapësirë teksteve të kenë mundësinë të përqasen edhe me ndryshimet që në këto kohëra janë dinamike.

MINISTRI INJORANTE DHE SHTET I KORRUPTUAR!!!
Je e mire shume Entela Resuli. Bravo per kete pune te shkelqyer. Tekstet jane te mbushura gjithe gabime. Duke filluar qe nga librat qe perdorin femijet ne parashkollor. Jane tmerr, te mbushura me koncepte te gabuara. Jo cdo kush qe i teket te bej nje liber duhet lejuar ta bej dhe ta hedh ne treg ate. Duhen filtra. Shpresoj qe sot te kene reflektuar specialistet e ministrise se Arsimit….
Per nga argumenti i trajtuar, sensibiliteti dhe dita e shenuar (7 Mars) ky ishte shkrimi me i mire sot ne median shqiptare
Po kur femijes ne klasen e III i serviret nje trapan me punton e vendosur ne te dhe i thuhet se kjo eshte nje VIDE!?!?!? qe sherben per heqje materiali?
Apo gjeni volumet e ketyre trupave dhe ne vend te nje paralelopipedi i jepet nje DREJTKENDESH!?!?!?
JETOJM KOHEN E DIGITALIZIMIT!
Nje teme e ndjeshme. Ju pergezoj per shkrimin
Po psikologu perse duhet ne hartimin e teksteve?!!!!!!!!
cfar takimit i “rastesishem” me rafaela marteten. aq i “rastesishem” sa i bjen vlera gjith artikullit