Operacion i koduar “Shëtitësit”, çoi dje në prangat e policisë së Gjirokastrës tre persona të dyshuar për plaçkitjen me thyerje në mënyrë të përsëritur të banesave në zonën e Dropullit, të njohura si minoritare. Të arrestuarit janë kontigjente krimi të njohur dhe dënuar më parë për këtë akuzë. Burime zyrtare thanë se arrestuan Florenc Mahmudi, 20 vjeç, nga Elbasani, Fatmir Braho, 23 vjeç, nga Cërriku dhe Albion Shahu, 32 vjeç, nga Kuçova, të tre të dënuar më parë.
Nga hetimet e kryera rezultoi se Florenc Mahmudi është kapur në flagrancë, në një banesë në fshatin Jergucat, duke vjedhur. Kurse krahasimet e gjurmëve dhe marrja në pyetje e të dyshuarve zbuloi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë të një numri të madh bastisjesh gjatë muajve të fundit, në fshatrat e Dropullit, si Dhuvjan, Terihat, Jergucat e Bularat. Sipas policisë, “dyshohet se kanë hapur pa kryer vjedhje me qëllim krijimin e panikut tek banorët e minoritetit një numër të konsiderueshëm banesash të pabanuara”. Materialet në ngarkim të të dyshuarve i kaluan Prokurorisë së Rrethit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “vjedhjes kryer në bashkëpunim”.
