I nderuar lexues! Rryma letrare e bejtexhinjve ishte prodhim letrar i autorëve shqiptarë në shek.XVIII-XIX, i shkruar në alfabetin arabo-turk. Kjo rrymë letrare ishte produkt i disa kushteve historike të veçanta. Ajo shprehte kërkesën për të shkruar shqipen si gjuhën e vendit, për ta përdorur edhe në praktikën fetare e për t’u çliruar nga ndikimet e kulturave të huaja. Një pjesë e këtij prodhimi letrar pati tematikë fetare, ndërsa pjesa më e madhe karakter laik. Në këtë letërsi gjetën pasqyrim aspekte të ndryshme të jetës shqiptare të kohës dhe u trajtua tematika shoqërore me një sens kritik të fortë.
