Karaibet kërkojnë dëmshpërblim për vitet e kolonizimit

anazapta

Fuqitë evropiane duhet t’i shpërblejnë për dëmet e skllavërisë ishujt e mrekullueshëm të pozicionuar para Gjirit të Meksikës. Në pjesën më të madhe, ata u kolonizuan nga Britania e Madhe, Franca, Spanja, Portugalia, Holanda; e pastaj edhe nga Norvegjia, Suedia e Danimarka. Sipas organizatës “Trans-Atlantic Slave Trade Database” në Karaibet britanike u dërguan për të punuar rreth 2.3 milionë skllevër, në ato franceze 1.1 milionë, në spanjollet 1.3 milionë dhe në ishujt e kolonizuar nga holandezët mbi 445 mijë skllevër.

Idea për të kërkuar dëmshpërblim i erdhi së pari  Ralph Gonsalves, kryeministrit të shtetit ishullor St.Vincent – Grenadine, i frymëzuar nga  precedenti i rebelimit Mau Mau të Kenias (zhvilluar në Kenian britanike midis viteve 1952-1960), për të cilin qeveria e Mbretërisë së Bashkuar u detyrua t’iu paguante 33 milionë dollarë 5.228 të mbijetuarve të torturave gjatë revoltave.

Pasi lexoi lajmin mbi këtë fakt, Gonsalves kontaktoi me studion ligjore angleze “Leigh Day” që kishte përfaqësuar çështjen “Mau Mau”, që të vlerësonte nëse ekzistonte një mundësi analoge për të ngritur një padi edhe në emër të vendeve karaibiane. Avokati Martyn Day i ktheu një përgjigje pozitive dhe kështu javën e ardhshme do të jetë në St.Vincent për të vlerësuar aksionet që duhen ndërmarrë.

Në planin ligjor rruga për t’u përshkuar është e vështirë sepse skllavëria ishte e ligjshme në vendet ku praktikohej, nuk ekzistonin rregullat ndërkombëtare dhe vetëm nga mesi i viteve 1800 u arrit që ajo të ndalohej kudo nëpër Karaibe.

Londra nga ana e saj ka deklaruar se e konsideron skllavërinë një akt të turpshëm që duhet luftuar me çdo kusht, por se rruga që duhet ndjekur nuk është edhe aq përmes korrigjimeve të së shkuarës se sa te angazhimi për ta luftuar skllavërinë në të tashmen.

Ekziston edhe hipoteza e kompromisit: evropianët duhet të pranojnë përgjegjësinë e tyre, të kërkojnë falje dhe pastaj të financojnë ndërtimin e shkollave, institucioneve kulturore dhe muzeve për të dokumentuar historinë e skllavërisë në Karaibe dhe përmirësimin e arsimimit të të rinjve./D.Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *