Gjendja e Fukushimës tre vjet pas katastrofës

anazapta

Në përvjetorin e tretë të fatkeqësisë që goditi centralin bërthamor japonez, rindërtimi vazhdon me hapa të ngadaltë. Mbetet makthi i rrezatimeve

Ishte 11 marsi i vitit 2011 kur një tërmet me magnitudë 9 ballë tronditi rajonin japonez të  Tōhokut, duke shkaktuar një cunami 11 metra të lartë, i cili shkatërroi komunitetet përgjatë bregut dhe më pas goditi centralin bërthamor Fukushima Daiichi. Ky ishte incidenti i dytë bërthamor më i rëndë i të gjitha kohërave, pas atij ukrainas të Çernobilit.

Në përvjetorin e tretë të katastrofës bërthamore, Japonia përkujtoi të martën në orën 14:46, 18 mijë viktimat e saj. Sipas përllogaritjeve zyrtare 15.884 njerëz u vranë nga tërmeti dhe cunami, ndërsa 2.636 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Shtypi japonez kujton se si ende sot janë mbi 267 mijë persona në total që jetojnë në strehëza të përkohshme në zonat e goditura nga fatkeqësia e trefishtë (tërmeti, cunami dhe incidenti bërthamor).

Por jo vetëm: rreth tre vjet më vonë, armiq të padukshëm mbeten rrezatimet. Në rrezen e 30 kilometrave, nga vendi i incidentit bërthamor, gjithçka është kontaminuar.

E gjithë popullata që banon në afërsi të zonës së goditur do të vijojë të jetojë në kushte të ndërlikuara. Është regjistruar një rritje anormale e tumoreve në tiroide. Fëmijët janë subjektet më të prekura. “Gjatë tre viteve të fundit është mundësuar rindërtimi i zonave të prekura falë sensit të fortë të solidaritetit. Jam i prekur nga fakti që kaq shumë persona , në vend dhe jashtë, vazhdojnë t’i mbështesin këto përpjekje në mënyra të ndryshme”, u shpreh perandori Akihito në një ceremoni të zhvilluar në Tokio dje.

Rindërtimi i ngadaltë

Në të vërtetë pavarësisht premtimeve të përsëritura të qeverisë, shumë do të duhet të presin të presin edhe disa vite të tjera, para se të gjejnë një shtëpi të përhershme. Vetëm 3.5 % e banesave “përfundimtare” janë ndërtuar në provincat e Iëates dhe Miyagit. Premtimet e kryeministrit Abe nuk mjaftojnë më. Gjatë 2013-s më shumë se 600 mijë persona denoncuan shtetin  dhe kompaninë që menaxhon impiantin e shkatërruar nga cunami, për shkak të moskompensimit. Për të përballuar dëmshpërblimet e tyre, kompania “Tepco” ka përgatitur një fond të mbështetur  edhe nga shteti, të barazvlefshëm me 36 miliardë euro.

“Strategjia afatgjatë e Tepco-s për menaxhimin e ujit radioaktiv është një çështje që s’më lë të fle natën”, u shpreh ish-presidenti i komisionit për rregullimin bërthamor në Shtetet e  Bashkuara. “Magazinimi i sasive të mëdha të uji të kontaminuar nuk është më një çështje  e përballueshme”, komentoi për të përditshmen britanike “The Guardian”. Sipas ekspertit për menaxhimin e ujit “Tepco” po bën progrese, por ato nuk janë ende të mjaftueshme. “Është frustuese që kompania bën katër-pesë hapa para dhe pastaj tërhiqet”, shtoi.

Kritikat për qeverinë

Bonifikimi i zonës së Fukushimës nuk ka nisur ndonjëherë realisht, po të merret në konsideratë edhe fakti se si Tokio dhe “Tepco”  ia kanë hedhur njëra-tjetrës përgjegjësinë mbi ndërhyrjet. Është krijuar përshtypja se ekzekutivi japonez kërkon ta harrojë  shpejt Fukushimën, për t’iu rikthyer planeve të riaktivizimit të impianteve  bërthamore. Pavarësisht se ato mbeten ende sot të fikura, Japonia arriti t’i garantojë qytetarëve të saj nevojën  energjetike të kërkuar. Por, jo pa pasoja negative për llogaritë e veta ekonomike, duke parë mosndryshimin e peshores tregtare. Kritikat ndaj qeverisë i takojnë edhe zgjedhjes së kryeqytetit japonez për të mirëpritur Olimpiadat 2020, pas atyre të mbajtura në vitin 1964./Dorina Gjuzi

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Rrezatimi radioaktiv mesa di unë kërkon 100 vjet që të zhduket dhe materiali radioaktiv të kthehet né plumb. Mjerë japonezët që i zuri ky hall. Por janë komb puntor e solidar. Po te kishte ndodhur këtu te ne do kishim ngrënë njëri-tjetrin sepse shtetarët e politikanët do t’ja kishin mbathur qysh ditën e parë të tragjedisë. Saliu do té ishte në beograd familjarisht duke bërë mitingje dygishtakësh. Do të shante shqiptarët që nuk ditën t’i dalin përballë cunamit…!?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *