Ndërlikimet e veshkave, vuan 1 në 14 shqiptarë

anazapta

Konsumi i disa gotave ujë në ditë, ishte dhe mesazhi i dhënë nga specialistët e shëndetit për moshat e rritura, në mënyrë që këta të fundit të mbajnë nën kontroll ndërlikimet që vijnë prej humbjes së funksionit të veshkave. Autoritetet shëndetësore, dje në Ditën Botërore të Veshkave kanë zbardhur të dhëna shqetësuese sa i takon përhapjes së këtyre ndërlikimeve në vendin tonë, të cilat krahas moshave të rritura po përhapen në masë edhe tek më të rinjtë. Sipas mjekëve në vendin tonë rezulton se 1 në 14 persona vuan nga sëmundjet që prekin veshkat, ku grupmosha më e rrezikuar është ajo pas të 40-tave. Moshë në të cilën krahas problemeve me veshkat shfaqen edhe një sërë sëmundjesh të tjera. ”Shqiptarët pinë pak ujë, natyrisht ata duhet të pinë sa më shumë ujë siç ndodh në të gjithë vendet e Evropës. Studimi i fundit që ne kemi bërë ka treguar se 1 në 14 persona në vendin tonë vuan nga ndërlikimet e veshkave. Ndërsa studimet botërore tregojnë se vuan 1 në 10 persona. Kjo do të thotë që një individ pas 40 vjetësh të ketë 60 për qind shanse të sëmuret nga veshkat, 40 për qind të jenë të sëmurë nga sëmundja koronare dhe 3 për qind shanse të sëmuret nga diabeti”, vuri në dukje mjeku nefrolog Myftar Barbullushi. Krahas shtimit të sasisë së ujit që konsumojmë gjatë ditës nuk duhet të lëmë pas edhe disa masa të tjera të thjeshta , por që janë të domosdoshme. “Lëvizja gjithkujt i bën mirë, duhet të ushqehemi në mënyrë të shëndetshme. Nuk duhet të konsumojmë duhan, nuk duhet të përdorim ilaçet që janë kundra dhimbjeve siç është ibuprofeni . Nuk përdoret pa konsultën e mjekut sepse futet tek ato medikamente që jep dëmtime të veshkave”, shton ekspertja e shëndetit publik Jeta Lakrori. Simptomat që shoqërojnë sëmundjet e veshkave mund të shfaqen shumë kohë më pas nga nisja e sëmundjes, dhe kanë të bëjnë kryesisht me shenja të tilla ënjtjeve në: këmbë, duar apo fytyrë, lodhja, të përziera, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mesi.  

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *