Ndryshime rrënjësore pëson edhe lista e barnave që do të jetë në dispozicion të pacientëve që shtrohen në spitalet publike. Një ditë pas shpalljes së listës zyrtare të barnave me rimbursim, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliu bënë me dije se me buxhetin e përcaktuar është hartuar edhe lista zyrtare e barnave që do të jenë vetëm për përdorimin spitalor. Listë, e cila numëron më shumë se 600 lloje të ndryshme medikamentesh, edhe ka pësuar shtime të reja krahasuar me listat e miratuara të viteve të shkuara. Por, ajo që do të marrë vëmendjen kryesore sipas drejtoreshës së QSUT-së do të jetë procesi i kontrollimit të kalimit të barnave nga depoja farmaceutike, e deri tek shërbimet spitalore. Sipas saj, në vitet e shkuara pjesa dërrmuese e barnave zhdukeshin gjatë kalimit nga depoja tek shërbimet e spitalit. “Ne jemi të sigurt për progresin që do të bëjmë, përsa i përket përdorimit me efikasitet të fondeve spitalore, si dhe mirë-administrimit të shpërndarjes dhe konsumit të barnave, nga shërbimi tek pacienti. Nuk është e tepërt të theksoj se sfida jonë mbetet zhvillimi i skemës për kontrollin e konsumit të barnave nga farmacia tek pacienti. Për këtë kemi forcuar sistemin e intranetit në porosinë e barnave dhe materialeve, nga farmacia në shërbim, dhe po zhvillojmë sistemin e verifikimit të shpërndarjes dhe monitorimit të barnave nga shërbimi tek pacienti”, ka deklaruar Manastirliu. Sa i takon barnave të reja të shtuara në listë ministri Beqaj ka deklaruar se : “Ne këtë vit përfshijmë për herë të parë barna të reja në shërbimin Onko-Hematologjik, barna për hepatitin B, për antibiotikët, por sidomos i kemi dhënë rëndësi që të garantojmë furnizim të vijueshëm në urgjencat e spitaleve. Një element i rëndësishëm është edhe rritja e ndjeshme e burimeve financiare për të furnizuar laboratorët e spitaleve me kite dhe reagentë”. Kjo në mënyrë që pacientët të mos sorollaten në dyert e klinikave private për të bërë analizat e llojeve të ndryshme. “Kujtoj që prej dy vjetësh, ky laborator nuk zhvillon aktivitet të plotë. Po kështu, laboratorin klinik biokimik me analizat e tiroides, prostatës apo markuesit tumoralë. Gjithashtu, është planifikuar realizimi i analizave për laboratorin e gjenetikës dhe laboratorit imunologjik, ka pohuar më tej Manastriliu. Lista është zgjeruar për të gjitha kategoritë, por kjo listë sjell risi barnave të futura për herë të parë për përdorim spitalor, për trajtimin e disa sëmundjeve, si ato tumorale, kardiake, neurologji, nefrologji. Kështu për herë të parë në QSUT për trajtimin e sëmundjeve tumorale do të përdoren edhe barna të tilla si bortezomid, everolimus, imatinid, procarbazinë. Prokurimet publike për blerjen e barnave në spitalet e vendit pritet të përfundojnë gjatë muajit maj. Mbyllja e këtyre procedurave do të sjellë një furnizim më të plotë dhe më të shpejtë të spitaleve me barna. ”Kemi nisur një proces që në rastin normal nga mesi ose fundi i majit fillon furnizimin e plotë. QSUT dhe spitale të tjera janë në proces negocimi për të bërë furnizimin e këtyre javëve”, shtoi ministri Beqaj. Buxheti i QSUT-së për barnat është rritur nga 1,7 në 2,2 miliardë lekë.
Ja çfarë është shtuar në listën e barnave spitalore
Është rritur me 2.5 herë sasia e planifikuar për transtuzimabin, citostatik që përdoret si linjë e parë në kimioterapi për tumorin e gjirit. Për shërbimet e Hemodinamikës dhe Kardiokirurgjisë është shtuar me 100 milionë lekë fondi për këto shërbime, si dhe do të sigurohen materialet për koronarografitë dhe për operacionet kardiake. Për shërbimin e Pediatrisë infektive janë shtuar në sasi, barnat kundër leshmanjozës, barnat për rritjen e imunitetit tek fëmijët me sëmundje të lindura, etj
Për vizitat ambulatore barnat do blihen me recetë
Pavarësisht masave të marra në spitalet tona do të ketë ende njerëz që marrin një recetë në dorë dhe më të do të paraqiten në farmacitë jashtë spitalit për të bërë blerjen e barnave. Kjo do të lejohet vetëm në rastin kur pacientët anashkalojnë mjekun e familjes apo atë specialist dhe do të paraqiten për vizita ambulatore në spitale. Konfirmimi vjen edhe nga ministri Beqaj. “Kjo sepse në radhë të parë, në spitalet tona bëhen edhe vizita ambulatore, bën vizitë ambulatore, merr një recetë dhe padyshim do të duhet të shkosh në farmaci. E blen, e merr me rimbursim 100 për qind apo të pjesshëm, është një skemë tjetër”, ka shtuar ministri Beqaj.
Pacientët e shtruar do përfitojnë nga rimbursimi
Aktualisht ndiqet edhe një tjetër procedurë e cila konsiderohet nga kreu i shëndetësisë si jo normale. Konkretisht bëhet fjalë për listën e barnave të rimbursimit e cila u mohohet pacientëve që shtrohen për trajtim në shërbimet e QSUT-së. Por, kjo praktikë do të marrë fund pasi ka nisur puna për hartimin e ndryshimeve të reja ligjore që lejojnë pacientët e shtruar të përfitojnë nga lista e barnave të rimbursueshme. “Me Fondin kemi vendosur këtë vit që të fillojmë ta rregullojmë, sepse ka një rregull që kur je i shtruar në spital, nuk përfiton barna me rimbursim nëse je i sëmurë i tillë. Kjo ka ndodhur në kohën kur Fondi ishte ISKSH dhe financonte vetëm parësorin dhe spitalori ishte pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë. Këtë vit që jemi bashkë, besoj se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit do të vijmë me një ndryshim të rregulloreve tona, në mënyrë që edhe kur je në spital, të mund të vazhdosh të marrësh barna, sepse t’i shtrohesh në spital sot, por ke një sëmundje tjetër kronike që nuk ka lidhje me atë që je shtruar, por ke nevojë edhe për ato barna që janë pjesë e skemës së rimbursimit”, ka deklaruar Beqaj.
