Nga Blerina Ago
Rrugës për Berat, duke menduar si zakonisht për gjërat më të rëndësishme në jetë, personat e dashur kuptova se është koha për të pranuar edhe një tjetër lloj dashuri timen… atë për lumin. E solla pak nëpër mend këtë gjë, dhe vendosa të hedh në letër këto fjali, jo për të të justifikuar maninë time, por për të shpjeguar sesi u përfshiva në gjithë këtë që doli ne fund një histori e vërtetë dashurie.
Aty ku nisi gjithçka
Lidhjet me lumin fillojnë që në fëmijërinë time. Shëtitjet e gjata nëpër Berat pranë Osumit deri te Ura me shtatë harqe e Goricës. Në kulmin e verës gjendeshim pranë bregut të lumit Osum (*kuptohet larg zonave të ndotura e qytetërimit). Imagjinoni një ditë me temperature mbi 40 ° Celsius, me valët e të nxehtit nëpër rrugicat e lagjes. Një erë e djegur pluhuri ndihet dhe unë nuk isha e sigurt nëse ishte era e Tokës së përvëluar, e asfaltit të nxehtë apo e lëkurës sime tek digjej nga temperaturat e larta. Nuk ka pothuajse asgjë që e doja më tepër sesa një zhytje në kutin e të nxehtit në ujin e freskët të lumit. Kështu doli se ky ishte i pari interesi i imi ndaj lumit.
Lumi dhe shkolla
Do të dukesha tepër romantike nëse do shkruaja se në shkollë mësova gjithçka mbi funksionin e lumenjve dhe rëndësinë e tyre. Do gënjeja nëse do tregoja se çdo muaj kishim orë praktike në breg të Osumit, ku vëzhgonim biodiversitetin dhe proceset e ndryshme të natyrës, ekosistemet dhe lidhjet midis tyre dhe specieve të ndryshme etj. Madje nuk mbaj mend të kemi bërë ndonjë aksion pastrimi apo ndonjë aktivitet argëtues pranë Osumit. Ajo që me ka shtuar kureshtjen më tepër është sesi legjenda e krijimit të qytetit tim lidhej me lumin i krijuar nga lotët e dëshpërimit të një zane të dashuruar.
Adoleshenca
Mosha më e bukur e jetës? Kaluar në një periudhe trazicioni, në një qytet të mbyllur e të harruar si Berati, mbushur me ditë monotone do të ishte shume sfiduese që një adoleshent ta quante periudhën më të bukur të jetës. Po për mua PO! Aty zbulova se “Lumi është Jetë”. Në moshën 14 vjeçare mora guximin dhe ndoqa djemtë e” krisur” të zonës, të cilët na kishin bërë të gjithëve përshtypje me makinat me katër rrota dhe gomonet plot ngjyra sipër. Kështu u gjenda buzë Kanioneve të Skraparit. Në buzë lumenjve të gjitha gjërat kalojnë shpejt kështu që të jeni vigjilent dhe të me këmbë në tokë , por edhe mos harroni se pavarësisht dinamikave lumi është i përjetshëm. Një ujëvarë, një rrëmbesë e shkumëzuar, një kthesë e heshtur, të gjitha në të njëjtin lumë. Në çdo moment lumi ka ndryshuar plotësisht por ai është gjithmonë e njëjtë lumi .
Dhe kështu lind një ëndërr
Pikërisht nisur nga një aventurë e tille, sot është krijuar Federata Shqiptare e Rafting. Tashmë jemi një skuadër e madhe që përditë përpiqet për promovimin e lumenjve, sporteve argëtuese që mund të ushtrohen aty, mbrojtjen e tyre. Jemi të gjithë bashkë për të edukuar në lidhje me rëndësinë e lumenjve dhe për të kërkuar përmirësime në praktikat e vendimmarrësve. Çdo ditë mësojmë në lidhje me ujin si një e mirë e njerëzimit që kërkon veprime të përbashkëta, pasi kjo nuk është një çështje thjesht lokale, por ka përmasa globale.
Dashuria
Qytetërimet më të forta janë vendosur afër lumenjve . Unë mendoj kjo do të thotë që ne të gjithë I duam ata. Bimët, kafshët dhe tërë krijesat ushqehen në afërsi të lumenjve . Por pse kthehem gjithmonë te lumi? Kur ulem pranë lumenjve gjithçka zbutet nga tingujt e tyre. Lumenjtë marrin frymë, përshpërijnë, rrjedhin , jetojnë. Ekziston një ekuilibër i brishtë mes nesh . Lumi mund të bëhet i zemëruar dhe të trazuar. Forca e tij mund te dëmtojë dhe të përmbysë tokat prej nga ushqehet. Lumenjtë rriten dhe ndryshojnë me stinët. Ata janë zjarri i ndezur nga drutë e pemëve që ushqehen me lumin.
Unë ndihem në harmoni afër lumit. Mund të shpenzoj orë, ditë, javë duke u kënaqur dhe argëtuar plotësisht. Kur shikoj ne thellësitë e lumit, me vështrimin zhytur në ujë mundohem te kuptoj se çfarë më bën kaq paqësore me të dhe pikërisht në ditët e kthjellëta aty gjej pasqyrimin e syve të mi, reflektimin e vetes sime. Në betejën mes lumit dhe gurit, lumi gjithmonë fiton. Nëpërmjet këmbënguljes dhe jo forcës. Edhe pse kanë një burim dhe një destinacion lumenjtë asnjëherë nuk pushojnë.
Dedikuar lumenjve. 14 Mars- Dita Ndërkombëtare e Veprimit për Lumenjtë
* Sekretare e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Rafting
