Kur isha i vogël, Baba më tregonte një histori si punë përralle për një “të Bukur të dheut që me një qerre të artë tërhequr nga Zogjtë e qiellit, çdo vit, dy javë të para të marsit zbriste andej lart nga Çerma e Nikajve (Çermenika) dhe vinte që të “trembte” acarin e shkurtit, për të gëlu jeshillëkun, për të lulëzuar lulen dhe për të rinuar gjethen. Kudo ku shkelte kama e të bukurës së dheut ledhatohej nga menekshet dhe karakaftet që përpara saj i “hardhonin” në tokë Zogjtë e qiellit.
Për të pritur të Bukurën e dheut dhe Zogjtë e qiellit njerëzit vishnin rrobat ma të reja dhe ma të bukura, vendosnin ne kyçin e dorës verore bërë nga fije shumëngjyrëshe lini ose pambuku, hapnin sepetet prej dru lisi, nxirrnin zairet të ruajtura nga viti i shkumë, pala fiku, arra, lajthi, mollë e ftonj të thatë, e tjera dhe ja falnin. Ndërsa për zogjtë e qiellit gatuanin një lloj ambëlsine, të thatë, pa sherbet. Kjo lloj ambëlsine duhet të shkërmoqej thërrime, thërrime dhe të vendosej në pllaka guri e vende të thatë që Zogjtë e qiellit ta çukisnin. Thërrimet e saja nuk duhet të binin përdhe sepse “ishte gjynaf”. Atje mund të “fëlliqeshin”, nga kjo, Zogjtë e qiellit mund të “idhnoheshin” dhe mund të mos ta binin siç duhet ta binin erën luleve dhe jeshillëkun e barit…
Kjo rrëfenjë e vjetër, si edhe shumë rrëfenja të tjera, kanë të bëjnë me simbolin e festës së Ditës së Verës, ballakumet. Por është dhe një ambëlsinë në Elbasan që quhet FULI. Është një ëmbëlsir’ “e that’” pa sherbet.n Një ëmbëlsirë me disa karakteristika tepër të veçanta. E para: Ka qenë dhe është ambëlsirë vetëm e qytetit të Elbasanit dhe e askujt tjetër. Çuditërisht as e rrethinave të Elbasanit. E dyta: Gatuhet me miell gruri me vaj ulliri dhe tlynë. (Thonë edhe me miell thekre.) E treta: Bëhet si ëmbëlsirë vetëm kur lind fëmija ose në përvjetorë lindjesh dhe në asnjë gëzim tjetër. Pra ka të bëjë me “lindjen”, me ripërtëritjen, me vazhdimin. E katërta: Kur hahet nuk duhet, asnjë thërrime t’i bjeri në tokë se është gjynah. (Zogjtë e qiellit) E pesta: Është e “detyrueshme”, qoftë edhe me një kafshatë të mbahet në dorë dhe të hahet me dorë nga të gjithë të pranishmit… U zgjata shumë.
Por lexova dikë që shante ditën e verës dhe e quante “festë të diktaturës”. Asgjë nuk mund ta cenojë lashtësinë e Ditës së Verës. Në historinë e kombit tonë shumë ditë të shënuara “grinden” për vendin dhe peshën që kanë. Le të “grinden”. Por… Lëreni “rehat” “DITËN e VERËS” sepse është Dita më paqësore, më paqësorja sepse ajo vjen nga larg, nga shumë larg, thellë nga fëmijëria e shoqërisë njerëzore. Vjen ashtu siç vjen gjithmonë fëmijëria: Me lodra dhe lojëra. Ta lenë rehat edhe “krerët”. Ndofta kjo Ditë ka të drejtën të urohet për mbarë shqiptarët vetëm nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit. Nga askush tjetër. Ju lutem, mos e lëndoni “DITËN E VERËS”, “DITËN E FËMIJËRISË”! Largojini ata që jua fëlliqin ardhjen e fëmijërisë me ndyrësirat që ushqejnë lakminë për pushtetin…
*Artist i Merituar
