Burg dhe 4 të tjerëve të “Xhihadit”: Nuk duam avokat, na mbron Allahu!

redaktor

Gjykata e Krimeve të Rënda përjetoi dje ditën e dytë të shtetrrethimit të saj, edhe pse me tensione në rënie në krahasim me ditën e enjte. Asnjë thirrje për protestë apo grumbullime masive besimtarësh. Gjithsesi forcat speciale me armatim dhe antiplumb kanë rrethuar godinën dhe rritur masat e sigurisë. Përgjatë dy orëve janë zhvilluar të mëvetësishme seancat e masave të sigurimit personal për 4 të arrestuarit e fundit të grupit të dyshuar për terrorizëm, Xhihad dhe rekrutime luftëtarësh për në Siri. Të katër të pandehurit kanë refuzuar të çohen në këmbë gjatë apelit të gjyqtarit Sandër Simoni, duke treguar se nuk e njohin drejtësinë e njeriut, por atë të Perëndisë.
Ashtu sikurse katër të parët, mes të cilëve imamët Genc Balla dhe Bujar Hysa, në “arrest me burg” u lanë edhe të dyshuarit besimtarë ndihmës, financues apo organizatorë, Astrit Tola, Verdi Morava, Orion Reçi dhe Edmond Balla. Seanca u drejtua përsëri nga gjyqtari i gatshëm Sandër Simoni, kurse prokuroria lexoi aktet në dosjen penale. Mes provave u lexuan CD me filmime, videot me thirrje islamike dhe për Xhihad, përgjimet e kryera mes të arrestuarve, armatimet dhe municioni si dhe financimi në donacione. Përballë akuzave për terrorizëm, 4 të arrestuarit që u paraqiten dje në gjykatë nuk pranuan të marrin avokat. Ata thanë se i mbron Allahu, se rruga që ndjekin është e drejtë.

Dhjetëra besimtarë dhe familjarë kanë qenë të mbledhur edhe dje në mëngjes para gjykatës në mbështetje të të pandehurve, por me tensione në rënie dhe pa konfrontime. Të enjten u mor masa arrest me burg për 4 të arrestuarit Bajram Hysa, Genc Balla, Zeqir Imeri dhe Fadil Muslimani. Ata nuk e pranuan se rekrutimi i luftëtarëve për në Siri është një vepër penale apo terrorizëm, duke u mbrojtur se mbështesin vëllezërit myslimanë që vuajnë në Siri. Po kështu u kundërshtua akuza se janë hedhur thirrje për Xhihad, shtet islamik apo në përkrahje të Bin Laden dhe Al Kaedës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *