Procedura të reja për pagesën e rentës minerale

redaktor

Në bazë të një udhëzimi të publikuar në Fletoren zyrtare, kanë ndryshuar procedurat se si do të paguhet renta minerare. Sipas vendimit të publikuar, në udhëzimin nr. 26, datë 4.9.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, në pikën II të pikës 2.4.1, paragrafi i tretë dhe i katërt zëvendësohen nga paragrafët me këtë përmbajtje: “Në momentin kur subjekti eksportues, eksporton mineralin që ka blerë nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit apo nënproduktin mineral, ai paguan rentën minerare vetëm për diferencën ndërmjet vlerës së rentës së përllogaritur në bazë të çmimeve të eksportit, që është çmimi FOB në Shqipëri, dhe vlerës së rentës të paguar nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit në përputhje me pikën 3 të vendimit nr.7, datë 4.1.2012 “Për përcaktimin e procedurave dhe të dokumentacionit të nevojshëm për arkëtimin e taksës së rentës minerare”. Në momentin e eksportit në degën doganore, në bazë të deklaratës së eksportit dhe dokumentacionit shoqërues, përllogaritet vlera e plotë dhe shuma e rentës minerare për sasinë e mineralit apo nënproduktit që po eksportohet. Subjekti deklarues është i detyruar që në momentin e eksportimit, pranë organit doganor të vetëdeklarojë shumën e rentës minerare të paguar (pranë organeve tatimore) për sasinë e mineralit apo nënproduktit që po eksportohet, si dhe të depozitojë dokumentet përkatëse. Shuma që do të paguhet në doganë, do të jetë diferenca ndërmjet shumës së llogaritur për vlerën e plotë të rentës dhe shumës së rentës së vetëdeklaruar si të paguar pranë organeve tatimore. Organet tatimore, në bazë të të dhënave që marrin nga organet doganore, verifikojnë saktësinë e vetëdeklarimeve të bëra nga subjektet eksportuese dhe marrin masa për rregullimin e situatës në rast konstatimi të diferencave, si dhe njoftojnë organet doganore.”

Të ardhurat nga renta ranë në janar

Të ardhurat nga renta minerare ka shënuar në janar të këtij viti rënie për herë të parë gjatë pesë viteve të fundit. Në fund të muajit janar 2014 u arkëtuan 539 milionë lekë të ardhura nga renta minerare, me një rënie prej 18.2 për qind kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë. Gjatë janarit 2013, renta minerare kishte arritur edhe vlerën maksimale të saj, duke shënuar 659 milionë lekë. Rënia e rentës minerare ka ardhur si pasojë e tkurrjes së eksporteve të karburanteve gjatë këtij muaji, duke regjistruar kështu një performancë negative të një prej zërave më të rëndësishëm të shitjeve tona jashtë vendit. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, eksportet e lëndëve djegëse minerale kanë zbritur në afro 4.9 miliardë lekë, me një rënie prej rreth 16% kundrejt janarit 2013. Kjo është rënia e parë që eksportet e këtij grupi mallrash shënojnë gjatë 4-5 viteve të fundit. Por një efekt shumë negativ tek ecuria e të ardhurave nga renta ka ardhur edhe si pasojë e rënies së ndjeshme të eksporteve të mineraleve. Sipas Doganave, eksportet e mineraleve në muajin janar 2014 u tkurrën me 36 për qind kundrejt janarit 2013, duke zbritur në 886 milionë lekë. Kompanitë e eksplorimit të nëntokës do të vijojnë të paguajnë të njëjtin nivel të rentës minerare, tarifa e së cilës nuk ka ndryshuar as në paketën e re fiskale. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, eksportet në total kanë rënë 1.5 për qind në muajin e parë të këtij viti kundrejt janarit 2013, duke frenuar rritjen e shpejtë të shënuar në vitet e mëparshme. Gjatë muajit janar 2014 është shënuar tkurrje e eksporteve dhe nga ana tjetër, rritje e importeve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *