“OK”-ei
Sipas një varianti shpjegimi, kjo fjalë ka lindur në Amerikën e Veriut në kohën e fushatave të evropianëve kundër popullsisë vendase, të ashtuquajtur indianë. Kur një komandant gjatë një inkursioni erdhi dhe u raportoi eprorëve të tij se detyra ishte kryer, ndër të tjera përdori shprehjen “Zero okilled”, dmth, “Zero të vrarë”, “Pa dëm”. Fillimisht kjo shprehje përdorej e plotë “Zero okilled” në kuptimin e fjalës “mirë”, “në rregull”, “pa merak”, “dakord”, ndërsa më pas ajo u shkurtua në “Okej” dhe shkruhet “OK”.
Kjo shprehje e përdorur më shumë në Amerikë, tani ka marrë një përhapje të madhe botërore në kuptimin e një aprovimi.
“Paqja romane”
Perandoria romake sundoi për gati 1000 vjet me radhë, deri në gjysmën e parë të shekullit V pas Krishtit, me perandorë të racave të ndryshme. Duke imituar kulturën e lashtë greke ajo krijoi kulturën e saj, me qytete të një stili të veçantë në të gjithë perandorinë ku, megjithëse me popullsi të ndryshme, qarkullonin lirshëm mallrat dhe idetë.
Shprehja “Paqja romane” (Pace romana) përdoret në kuptimin e një bashkëjetese paqësore, pa paragjykime e pa konflikte.
“Pas një maratone të gjatë”
Maratona është vendi ku u bë beteja e madhe midis grekëve dhe persëve, 15 milje larg Athinës. Këtë betejë e fituan grekët. Për t’u dhënë lajmin e fitores qytetarëve të Athinës u nis një atlet, i cili, sapo dha lajmin, vdiq nga lodhja. Tani maratona është një garë e gjatë vrapimi sportiv.
Përdoret si shprehje për të treguar rrugën e gjatë e të mundimshme për realizimin e një pune.
“Pësoi fiasko”
Fiasko italisht do të thotë shishe. Një komik i njohur, Bakoneli, në shfaqjet komike që jepeshin në rrugë, u përpoq të kryente një numër me shishe në skenë, por dështoi dhe iu thye shishja. Që atëherë kjo shprehje përdorej për artistët kur dështonin në skenë. Më vonë dalëngadalë hyri në të folurin e përditshëm për të gjitha dështimet. Pra, “pësoi fiasko” do të thotë dështoi.
