SMS në DITA
Në 0689073730
Miq të “Ditës”! Një qytetar i Tiranës me emrin Artur Çani, biznesmen dhe gazetar, para disa ditësh filmoi veten e vet në ambientet e kullës së tij në zonën e bllokut dhe e shfaqi në Tv “Njuz 24”, në emisionin e tij “Ajsberg”. Trim, cub, halabak, i revoltuar përleshej me policët e shtetit që kishin shkuar në mbështetje të inspektorëve e administratorëve të CEZ-it. Këta të fundit, gjatë gjithë kohës mbajtën një qëndrim gjakftohtë, të sjellshëm, në etikën e plotë të nëpunësit të shtetit në krye të detyrës. Çani ulërinte: “jashtë, jashtë, kjo është prona ime!” A thua se po i rrëmbenin pallatin. E pse? Sepse inspektorët e CEZ-it po bënin detyrën, ndërprerjen e energjisë elektrike për mospagesë të konsumimit të saj. Në mes të Tiranës, në shuma kolosale, nga një “biznesmen e gazetar”?! Ky shoku A.Çani është debitor prej vitesh në shumën 41.690.641.20 lekë të reja, pra mbi 400 milion lekë të vjetra. Dhe që të dalë sikur mbron parimin, thotë: “nuk i kam unë, i ka ‘Artel’ sh.p.k.” Një vazhdim komiko-tragjik i kësaj historie është reagimi i menjëhershëm e qëndrimi i asaj që quhet “Partia Demokratike”, e cila “inkurajon” gazetarin Çani në rrugën e tij (pra të mospagimit të detyrimeve dhe kundërvënies ndaj shtetit ligjor). E gjitha kjo histori që konsumohet në media, në mes të Tiranës, është një spekulim dhe tallje e madhe me lirinë e në emrin e saj. Mospagimi i 400 milion lekëve nga shoku Çani është një krim e vepër penale në gjuhën juridike dhe hajdutëri në gjuhën popullore. CEZ-i t’i ndërpresë urgjentisht energjinë këtij personi, të denoncohet për kundërshtim me dhunë e fyerje të forcave të rendit etj., që i dinë institucionet e shtetit të drejtë e ligjor që duam të ndërtojmë. Që Çani e çanërat e tjerë ta kuptojnë se me institucionet, rregullat, detyrimet e ligjet e shtetit demokratik nuk mund të tallen më, qofshin edhe biznesmenë apo gazetarë të “nderuar” si Çani! Me respekt, Th.N.
