Filluam nga puna si zakonisht. Doktori në krye të tavolinës drejtonte ekipin e opozitës që përbëhej nga unë, Kaçi e Ylli, që me sytë para ekranit ndiqnim lajmet online nga shtypi i përditshëm.
– Doktor! – ulërita unë.
– Hë se më trembe, – u hakërrye Doktori, – ç’pate?!
– Kanë filluar arrestimet e këtyre që venë në Siri, do ketë protesta thonë…
– Nuk na intereson ta prishim prapë me Amerikën, pastaj ngrihen sot ata edhe nesër ikin hanë pilaf në shtëpi.
– Duket serioze Doktor, do marri përmasa të mëdha.
– Nuk më besohet!
– Ore fol një herë me Lulushin, se nuk i dihet.
– Shikoni, gjeni lajme të tjera se e rregulloj unë këtë punë.
Doktori mori Lulin:
– Dëgjo, – i tha, – shikoje këtë punën e Sirisë.
– Ç’të them? – tha Luli me zë të fikur.
– Thuaj që jemi dakord parimisht, po nuk jemi dakord nen për nen.
Pasoi një heshtje nga ana tjetër e telefonit, pastaj u dëgjua murmurima e Lulit:
– E mirë…
Doktori u kthye prapë nga ne:
– Ti Kaçi ke ndonjë lajm të rëndësishëm?
– Paskan rrahur Çanin këta horrat e Rilindjes!
– Arjan Çanin?? Urgjent, mbledhje kryesie…
– Jo Arjanin o doktor, është një Artur…
– Kush është ky, – pyeti Doktori, – ndonjë nga futbollistët tanë që luajnë jashtë?
– Jo or jo, është ai tipi që u bë gazetar, pastaj u bë biznesmen, pastaj u bë gazetar prapë, po paska një thes me borxhe me atë binanë e madhe në mes të Bllokut
– Merr Laurën në telefon i thuaj të dalë në konferencë për shtyp, të mari atë tekstin e fundit që lexoi Bumçi, t’i ndërroj emrin dhe datën dhe… Leqë lëre se e marr vetë… – Alo, digjo Laura…
– Kaçi, – u ktheva unë nga Kaçi ndërkohë që Doktori fliste – me këtë rrahjen e këtij Arturit as që kemi për ta marrë statusin!
– Kjo i vuri vizën përfundimisht! – u përgjigj Kaçi gjithë qejf. Do ti them doktorit ta shkruaj direkt në Facebook
U ktheva edhe nga Ylli.
– E o Ylli, – e ngacmova, – po ti ke gjetur ndonjë lajm të fortë apo jo?
– Në Angli po bëjnë foto nudo për bamirësi…
Kaq u desh dhe ne burrat e opozitarizmit kibernetik, duke kaluar tavolinat tona u gjendëm në të njëjtën kohë rekord mbi kokën dhe kompjuterin e Yllit. Pasi soditëm me endje fotot që Ylli i lëvizte gjithë delikates me mausin e tij, ulëritëm të tre në një zë:
– Batakçi, kurvar! Nuk hoqe dorë nga këto gomarllëqe ti!
Dhe u vendosëm përsëri në pozicionet tona opozitare kibernetike.
