Trojka: Greqia po i jep fund ngërçit ekonomik

anazapta

Trojka ndërkombëtare e kreditorëve të Greqisë ka konfirmuar se miratoi vlerësimin e fundit për zbatimin e programit të mbështetjes të ekonomisë greke, duke i dhënë fund ngërçit të gjashtë muajve të fundit. Ky zhvillim pritet të shpjerë në disbursimin e një kësti të ri të kredisë, me vlerë rreth 9 miliardë euro.

Sipas deklaratës së përbashkët të Komisionit Europian dhe FMN, që u publikua njëkohësisht në Bruksel dhe në Uashington, disbursimi i këstit të ri pritet të bëhet javët e ardhshme, pasi ta miratojnë edhe formalisht FMN dhe ministrat e financave të Eurozonës. Sipas të gjitha gjasave, kjo do të bëhet në fillim të prillit, gjatë takimit të Eurogrupit në Athinë.

Në deklaratën e vet trojka vë në dukje se ekonomia e Greqisë “po fillon të stabilizohet “ dhe po shkon “drejt një rikthimi gradual të zhvillimit”. Vihet gjithashtu në dukje se çmimet “po korrigjohen” dhe se “inflacioni mbetet shumë më i ulët nga mesatarja e eurozonës”.

Ndërkaq, trojka nënvizon se ka mundësi që bankat të nevojiten një shifër kapitalesh më të lartë nga ç’parashikojnë autoritetet greke, sidomos nëse nuk zgjidhet në kohë problemi i kredive të këqija. Gjithsesi, trojka vë në dukje angazhimin e autoriteteve greke për të marrë gjithë masat e nevojshme për t’u garamntuar se bankat vendase do të mbeten të shlëndewtshme dhe me kapitale të mjaftueshme për të mbështetur rimëkëmbjen e ekonomisë greke.

Komisioneri europian për financat, Olli Rehn, e cilësoi si “lajm shumë i mirë” arritjen e marrëveshjes midis trojkës dhe qeverisë greke.

Sipas komisionerit europian, misioni i trojkës ka vërtetuar se ekonomia greke po fillon të stabilizohet dhe se pritet të rikthehet gradualisht, brenda vitit 2014, në ritme pozitive zhvillimi. “Performanca fiskale ndodhet në kursin e duhur dhe është gjithashtu e rëndësishme që reformat bazike strukturore janë dakorduar”, deklaroi Rehn.

Sipas tij, veç të tjerash, do të përshpejtohen përpjekjet për t’u forcuar rrjeti i mbrojtjes së shtresave më të dobta dhe do të ketë gjithashtu më shumë programe për punësimin e të papunëve edhe nga brezi i ri, me përdorimin e fondeve komunitare. Dhe kjo përbën pjesë të marrëveshjes, theksoi Rehn.

Komisioneri për financat theksoi se mbetet me rëndësi esenciale vazhdimi i reformave, sidomos tani që investitorët po tregojnë interesim të madh për Greqinë.

Si përmbyllje, ajo që po dëshmohet është se Greqia po kthen faqe dhe po hyn në rrugën e zhvillimit, gjë që është padyshim lajm pozitiv, jo vetëm për grekët, po për gjithë europianët, nënvizoi Rehn.  I.K

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *