Batutat e carit që gudulisin krenarinë ruse

anazapta

“Ne kundër tyre”, ky është çelësi i nacionalizmit rus. Evropa ndryshon njëherë e përgjithmonë strukturën e saj gjeopolitike. Një klimë e tillë duket se rilind presidencën e Putinit

Para se Vladimir Putin të nënshkruante me udhëheqësit e rinj të Krimesë marrëveshjen që përfshin gadishullin në Federatën Ruse, mbajti fjalën e tij para kombit ku nuk i kurseu metaforat të tipit: “Nuk mund të tërhiqeshim më pas, të ulnim kokën dhe të gëlltisnim fyerjen”. Apo fraza të marra nga manualet sovjetike si “Kievi nëna e qyteteve ruse”, “Sebastopoli qyteti i lavdisë sonë ushtarake”, “kolona e pestë e nacional-tradhtarëve” e shoqëruar me dënimin e Hrushovit që dekada më parë ia dhuroi Krimenë Ukrainës si “një thes me patate”. Sociologu Lev Gudkov thotë se Putini ringjalli të gjitha klishetë dhe komplekset e Bashkimit Sovjetik.

Putin, ashtu si sovjetikët klasikë të obsesionuar mbas krahasimeve me Shtetet e Bashkuara thotë: “Nëse ata e bënë me Kosovën, përse nuk mund ta bëjmë ne me Krimenë?”. Alibia se në Kosovë ishte vënë në zbatim një masakër refuzohet. Moska që nuk shprehu kurrë ndonjë ngushëllim për të rënët e protestave në Kiev, rendi të ndalonte “masakrën” e mundshme në Krime, që gjithsesi do të humbej si nga rusët edhe nga ukrainasit sepse do të mbërrinte NATO-ja. Presidenti rus ndjek një ideologji të vetme atë të bashkimit “të popullit më të madh të ndarë nga katastrofa që përfshiu BRSS-në”. Izolimi Moskës, më parë nga e kaluara e saj komuniste dhe tani me ribashkimin e trojeve të populluara nga rusofonët jashtë territoreve të Rusisë, është kthyer në një konstante historike. Kundërshtimeve të Perëndimit i kundërvihet një leksik i pasur familjar në fjalën e presidentit rus: “Krimea kthehet në shtëpi”, “ukrainasit mbeten vëllezër”, madje “ne jemi një popull”.

Kohët e Bashkimit Sovjetik duken shumë të largëta, por çështja e Krimesë ka ndryshuar plotësisht kuadrin gjeopolitik të Kontinentit të Vjetër. Të gjithë aktorët e përfshirë kanë marrë një goditje të fortë pas aneksimit të kryer de facto nga shteti rus. Tani Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Rusia kanë një qasje dramatike, shumë të ngjashme me atë të Luftës së Ftohtë. Referendumi i zhvilluar ndërsa tanket ruse nga larg i bënin rojë qendrave të votimit në gadishull, ka një vlerë të dyshimtë nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare. Një situatë që të kujton menjëherë atë që ndodhi me Gjeorgjinë në verën e 2008-s. 

Ndryshimi cenon para së gjithash Ukrainën, që në muajt e ardhshëm do të përballet me një makth të vërtetë. Kievi e di mirë se kërcënimi rus nuk është ezauruar me shkëputjen e gadishullit. Pa Krimenë Ukraina mund të mbijetojë, por disa fraksione radikale që i kundërvihen kursit të ri post Janukoviç, tani shpresojnë në një ndërhyrje ruse edhe në pjesën lindore të vendit. Presidenti Vladimir Putin, përsëriti sërish se si Moska është e shqetësuar  për nivelin e dhunës në një territor të gjerë, nga Kievi deri drejt kufijve rusë. Nëse situata do të destabilizohej edhe më tej, Rusia do të valëvitë të “drejtën” për të ndërhyrë dhe për të tuteluar interesat e saj në Ukrainë.

Ndërhyrja në Krime ka përcaktuar një kosto të lartë edhe për Rusinë që tani duhet të manovrojë në territorin e nxehtë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Raportet midis Moskës dhe Perëndimit gjatë dekadave të fundit  nuk kanë qenë kurrë kaq të tendosura. Askush nuk flet më për partneritet me Rusinë, apo për një pjesëmarrje të Putinit në NATO, siç ndodhi në vitin e largët 2002, për momentin diçka e tillë duket fantashkencë. Një klimë që reflektohet edhe në shtypjen e lirive që Moska ka ushtruar ndaj qytetarëve të saj. Janë goditur format e komunikimit të lirë si rrjetet sociale dhe mediat alternative. Në sheshet e kryeqytetit mijëra rusë kanë marshuar kundër luftës (kjo nuk përfaqëson aspak një shpresë se ajo nuk do të nisë). Por kush del në to për të manifestuar, perceptohet automatikisht si një ekstremist, fashist, uzurpues i blerë nga perëndimorët.

Qëndrimi kundra Ukrainës, megjithatë, nuk është vetëm fryt i propagandës televizive të medieve ruse, por miratohet nga pjesa më e madhe e popullsisë ruse që e konsideron të ligjshme sulmin ndaj Krimesë: një mbrojtje kundër agresionit të Perëndimit për të tuteluar nga anarkia kufijtë e tyre. Pushtimi i Krimesë e ka dëmtuar Putinin në frontin ndërkombëtar, por nga ana tjetër i ka dhuruar një valë të re popullariteti në vendin e tij, gjë për të cilën presidenca e tij kishte një nevojë të dëshpëruar. Pas një rizgjedhjeje disi të vështirë krahasuar me pritshmëritë, i ndjekur nga një 2013 e karakterizuar nga vështirësi të shumta ekonomike, presidenti rus arriti kështu të modifikojë trajektoren drejt mandatit të tij të tretë në Kremlin./ Dorina Gjuzi

Share This Article
1 Comment
  • miremengjes o interes kjo eshte bota sot ku realiteti nuk egziston dhe gazetat jane vetem nje mjet propagande e atyre interesave qe i financojne keto gazeta. nje gje eshte e qarte qe nuk jemi kaq budallenj sa duan te na bejne me keto dizinformacione duke na e bere te bardhen te zeze dhe te zezen te bardhe. jeni turp i gazetarise

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *