Doktori po numëron ditët

anazapta

Unë dhe Doktori po rrinim deri natën vonë në zyrë tonë opozitare dhe po shikonim për lajme të ndryshme në faqet online të gazetave. Befas, e thyen heshtjen Doktori:

– E di, o Hysni, edhe sa ditë ngelen?

– Nga Kampionati Botëror? – ia bëj unë.

– Nga mbarimi i mandatit të PS-së, ore Hysni…

– Ëhë, pse po i numëron ti, Doktor?

– Jo or jo për kuriozitet ta dimë ku jemi! Kanë ngelur edhe 3 vjet e 86 ditë!

– Po pse prapë do konkurrosh në zgjedhje ti, Doktor ëëëë?! – më shpëtoi mua.

– Pse ke ndonjë dyshim ti!

– Jo po njerëzit menduan se dhe dorëheqjen…

– Ti Hysni, je me mua apo kundra meje?

– Unë jam me ty, po sikur bën vaki të humbasësh, o Doktor? Ti nuk humbet ore, po kot për të patur një ide, po humbe prapë si e ke bërë planin?

– Unë nuk humbas, ndaj nuk harxhoj kohën me të bërë plane kot

– Po ti humbe njëherë në qershor…

– Nuk është e vërtetë!

– Si nuk është e vërtetë? A fituan socialistët?

– Po ja ta zëmë se fituan…

– Domethënë ti humbe?

– Jo, unë nuk humba.

– Po pse ndodh, që edhe të fitojë ai tjetri, edhe ti të mos kesh humbur?

– Ndodh, si nuk ndodh…

Unë e humba fare dhe po rrija si guak. Doktori propozoi që atë natë ta gdhinim në zyrë. Mua m’u këput koka për gjumë mbi kompjuter. Nuk e di sa fjeta, por në një moment zgjohem i tromaksur dhe shoh Doktorin të përgjumur edhe ai me kokë mbi kompjuter.

– Je gjallë Doktor?? Dhe e shkundja!

– Gjall jam, ore Hysni, po pse ma prish gjumin!

– Ore po shyqyr që qenke gjallë, se pashë një ëndërr të shpifur edhe u tromaksa!

– Po si me pe?!

– Sikur po ngisje një rul edhe u ngrite në këmbë me dy gishtat lart i eksituar, si bën gjithmonë edhe dole fishek nga dritarja edhe të shtypi ruli, edhe të bëri petë, ja kështu si kjo gazeta Dita, edhe sikur të mora unë me Kaçin edhe të çuam tek shtëpia, edhe të futëm poshtë derës si gazetë, edhe sikur shkuam dhe i dhamë Lirisë lajmin e zi.

– Po Liria çfarë tha?!

– Nuk ka mundësi, na thoshte, edhe pyeti, po ku është tani

– E çuam në shtëpi, i thashë unë me Kaçin.

– Tani më gënjyet, – tha. Po çelësin e derës e kam unë si u futet brenda ju?!

– Epo të thamë e shtypi ruli e ke në shtëpi, e futëm poshtë derës si gazetë!!

– Bobo, çfarë ëndrre të keqe ke parë, o Hysni. Tani nuk duhet të lexoj gazeta për një javë rresht!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *