Lumturia, impulsi që na motivon

anazapta

Ambasada Amerikane në Tiranë, do të kujtonte paraditen e djeshme se, 20 Marsi ishte Dita Ndërkombëtare e Lumturisë shpallur nga Kombet e Bashkuara.  Sipas saj, iniciativa për të shpallur një ditë të tillë erdhi nga Bhutani (një vend në Azinë Jugore), qytetarët e së cilit konsiderohen si disa prej njerëzve më të lumtur në botë. Kjo ditë pranon se lumturia është një objektiv themelor i njeriut, dhe u bënë thirrje vendeve për të hartuar politika publike në mënyra që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë popujve.

Jeta, liria dhe përpjekja ose synimi për të qenë i lumtur (Life, Liberty and Pursuit of Happiness), është një frazë nga Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që në të vërtetë nënvijon rëndësinë kyçe që themeluesit e SHBA-ve i kushtonin këtij trinomi, duke deklaruar para pothuaj 250-vjetësh se, “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se Perëndia u ka falë atyre disa të drejta të pamohueshme dhe këto janë Jeta, Liria dhe e drejta për të synuar arritjen e lumturisë.”  E për ta shtruar këtë ditë në realitetin shqiptar, duke kuptuar pak më shumë se çfarë është lumturia dhe, si e ku mund ta gjejmë atë, na vjen në ndihmë psikologia Jorida Rustemi, nëpërmjet një analize mbi këtë ndjesi të bukur që përjeton njeriu.  Sipas saj, një përgjigje e menjëhershme e gjithëpërfshirëse për këtë pyetje nuk do të ishte e lehtë. Kjo pasi çdokush i aftë për të gjykuar, ka një mënyrë të vetën peshimi e interpretimi të lumturisë, që ndikohet si nga niveli i mprehtësisë së mendimit, sikurse edhe nga përvojat jetësore. Më poshtë Rustemi shpjegon:

 

Çfarë është lumturia?

Personalisht, në formë të thjeshtuar, lumturinë do ta konceptoja si një formë guximi për ta lënë vetën të lirë për të jetuar e përjetuar. Tashmë besoj e keni të pranuar idenë se mënyra si gjykojmë ka ndikim në sjelljet tona. Një gjë është e sigurt: ata që priren të jenë të lumtur, e përballojnë jetën në mënyrë më të vendosur e pozitive. Zgjidhja është te ju … Autorët e psikologjisë pozitive, ata që studiojnë personat e lumtur, thonë se kanë analizuar sjelljet e tyre për t’i bërë ato të kuptueshme dhe nga të tjerët. Le të hedhim një vështrim mbi dijet shkencore që zotërojmë në nivel shkencor mbi lumturinë.

 

1. Lumturia ekziston dhe është e matshme

Jorida_Rustemi_profileStudimet tregojnë se 90% e francezëve, 50% e anglezëve, dhe 42% e amerikanëve, deklarojnë se janë të lumtur për jetën që bëjnë. Përveç këtyre statistikave mund të thuhet se edhe shkenca e pohon që lumturia ekziston. Studimet më të fundit shkencore kanë vërtetuar hipotezën se emocionet pozitive përkthehen në një rritje të aktivitetit neutral në lobin prefrontal të majtë, (pjesa përkatëse e kores së trurit nën anën e majtë të ballit), gjë kjo lehtësisht e matshme përmes instrumenteve përkatëse.

Lumturia, ose të paktën ideja e lumturisë, është e domosdoshme për të jetuar. Kur jetohet një moment i bukur, ritmi kardiak zvogëlohet, kimia e trupit dhe sistemi imunitar përmirësohen. Kush është i lumtur ka më shumë imunitet ndaj sëmundjeve. Lumturia pra është një impuls jetësor, që na bën mirë e na motivon për të bërë përpara.

 

2. Nuk është e standardizuar

Një lajm tjetër i mirë është se lumturia nuk pyet për moshën, gjininë, pamjen, paratë, nivelin e inteligjencës apo arsimin. Të gjithë njohim raste të kronikës që na thonë se personazh e shumë të njohur dhe të realizuar kalojnë në vetëvrasje, bëhen viktima të drogës dhe varësive të ndryshme. Ndërkohë që ka plotë të tjerë që fatkeqësitë i kanë ndihmuar të bëhen më të ndërgjegjshëm për çfarë gëzojnë.

 

3. A mund të parashikohet?

Vështirë se mund të ndodhë, e kjo për një arsye të thjeshtë. Kur mendojmë rreth lumturisë imagjinojmë të ardhmen bazuar në të shkuarën. Por kujtesa në këtë rast na mashtron disi…Ashtu si dashuria, karriera dhe çdo gjë tjetër në jetë edhe lumturia është çështje metode, rregulli i parë i së cilës është të shmangësh kurthin e dëshirave të pamundura.

 

4. Gjendet në lidhje me të tjerët

Lidhjet njerëzore dhe sasia e kohës që kalohet me miqtë dhe familjarët janë treguesit më të mëdhenj të lumturisë. Ndërsa vetmia afektive është burimi më i madh i palumturisë. Kur janë të lumtur, njerëzit kanë dëshirë të flasin, të rrinë me të tjerët, të kultivojnë dashuri. Dhe aspak për çudi, ndjesia më e lumtur, “orgazma trunore”, nuk është e lidhur me seksin, por me “të ndjerit i dashur e i respektuar”.

 

5. Kërkohet përpjekje

Lumturia është një sfidë, kërkon përpjekje dhe ka ligjet e saj të forta: të duash shumë veten, të dëgjosh, të respektosh, të jesh pranues e jogjykues ndaj të tjerëve. Personat që e pranojnë veten ashtu siç janë, edhe kur janë të predispozuar për të ndryshuar, janë më të lumtur. Në fund të fundit lumturia nuk vjen vetiu: disa e ndjekin, ndërsa disa të tjerë e krijojnë.  Një gjë është e sigurt: ata që priren të jenë të lumtur, e përballojnë jetën në mënyrë më të vendosur e pozitive. Zgjidhja është te ju…

 

Lajme të lumtura nga Jorida..

Psikologia, 6-muajshe shtatzënë

Dhe meqë Rustemin e kemi pjesë të faqes sonë sot, ia vlen edhe të themi një lajm të lumtur për të. Jorida, psikologia simpatike, pritet që së shpejti të bëhet nënë. Miq pranë pedagoges së Psikologjisë bëjnë me dije se aktualisht Jorida është në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe se gjinia e bebit është djalë. Lindja do të kryhet në Greqi, prej nga është edhe babai i fëmijës. Bill Stahos është emri i djalit që i ka rrëmbyer zemrën bukuroshes brune me sy të shkruar dhe nga sa është zbuluar më parë, ai është sipërmarrës i një biznesi kompjuterësh.

 

 

Popujt më të lumtur, shqiptarët renditen në vendin e 62-të

Shqipëria është e 62-ta në listë për sa i përket nivelit të lumturisë. Në renditjen e World Happiness Report 2013, i cili hartohet për llogari të OKB, janë vendet nordike ato që vazhdojnë të kryesojnë. Kështu, vendi më i lumtur në botë është Danimarka, e pasuar nga Norvegjia, Zvicra, Holanda dhe Suedia. Në Evropë, vendet më të palumtura janë ato që janë prekur nga kriza ekonomike si  Greqia, Italia, Spanja e Portugalia. Greqia ndodhet në vendin e 70, ndërsa Portugalia në vendin e 85. Sipas raportit, turqit janë edhe më të palumtur se shqiptarët, pasi renditen në vendin e 77.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Lumturi bla bla bluuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuu !

    Eshte antiproduktive dhe hipokrite nji iniciativ e tille kur lancohet pikerishte nga ata qe mbjellin fatkeqesite ne bote ,apo akoma jane duke menduar kta se jane duke pas perball disa dele diku ne irak .
    S’ja ka ber dikush pyetjen vehtes se a eshte e mundur dhe si arrihet kjo lumturi ne kushte mjerimi e mizerje ?
    Lumturia arrihet mes njerezve qe sprucojn lumturi dhe emocione pozitive ,dashuri e rrespekt per te miren ,per njerzit ,jo duke krijuar kriza artificale e cuar ne depresion -mjerim e vetvrasje -njerezimin ,kur “TIIIIIIIIIIIIIII” je lodhur duke i vrare vet !!!
    Cfar hipokrizie .
    Ksaj i thone te kerkosh lumturi ne arkivol .(Organiza.Karrne Bio.)
    Lumturia s’mundet te arrihet nga hici , por ne disa kushte te caktuara jetese, qe do te thot vetem ateher ku njeriu jeton ne nji shoqeri normale dhe nuk i mungojn ne jeten e tij te mirat materiale , te cilat do mundesonin nji nevojat e domosdoshme te jetes.
    Fakti qe se cilet popuj jane testuar sa te lumtur jane ,qe si shifim qart vetem vendet me mireqenje te lart pra mbi normalen e jetes ,flasin per lumturi . (Apo OKB-ja flet vetem per kto vende ,sepse vetem kto i shikon si njerez !!!)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *