Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut
Debati në seancë. Peçini: Zbatova urdhrin pa ditur se ishte punë armiqësore. Hazbiu: Nuk kam dhënë një urdhër të tillë!
(Vijon nga numri i kaluar)
Dhënia e Platformës së Sigurimit të Shtetit, dosjeve personale të agjentëve brenda e jashtë Shqipërisë KGB-së ruse në fund të vitit 1959, është një akuzë tjetër e rëndë për Kadri Hazbiun e bashkëpunëtorët e tij, anëtarë të ‘Grupit armiqësor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja’, bërë në ditën e dytë të seancës së 9-të të procesit gjyqësor. Llambi Peçini, ish-shef i Sekretariatit, e pranon këtë fakt para trupit gjykues të kryesuar nga Aranit Çela, por Kadri Hazbiu, e mohon të ketë dhënë këtë urdhër….
Vazhdon seanca e nëntë.
Prokurori(Rrapi Mino):- Janë dhënë dhe informacione të ndryshme. Si është bërë kjo, shpjegoja trupit gjykues….
Llambi:- Posi, dakord. Është e vërtetë se në vitin 1959, në dhjetor ka qenë, në ato ditët e para të dhjetorit, unë isha shef i Sekretariatit. Kadri Hazbiu më thirri në zyrë dhe më thotë që duhet të grumbullohen dokumentet. U kishte dhënë urdhër dhe të tjerëve e jo vetëm mua, por dhe mua më kishte dhënë. Pra, më dha urdhër që të grumbullohen Platforma, direktivat, dhe akte të tjera normative, siç ishin deponimet e Dhora lekës, urdhra e udhëzime. Një pjesë e tyre u përkthyen rusisht dhe iu dërguan KGB-së. Tani unë nuk e mbaj mend me saktësi se kur ndodhi kjo, por në ditët e para të dhjetorit ka qenë.
Kryetari(Aranit Çela):- Është dokumenti.
Llambi:- Kur e kam firmosur unë është 20 e ca dhjetor, pra, sa u grumbulluan këto dhe na u bënë gati, e sa ashtu, të gjitha. Tani, për këtë janë thirrur disa. Në dosjen e hetimit, është dëshmitar ai Jorgo Mihali. Këto janë marrë nga drejtoritë e ndryshme dhe sekretaria. Platforma dhe direktiva ishin gjërat më sekrete që kishte Ministria e Brendshme, edhe nuk duheshin dërguar në fakt. Tani, çfarë përgjegjësie kam unë. Unë e dija rëndësinë e sekretit të sajë, por ama mendova, thashë, ky do të jetë marr vesh me Udhëheqësin e Partisë, s’mund ta bënte me kokën e tij. Kështu mendova unë atë kohë….
Kryetari:- Platforma është e Byrosë Politike, apo është rregullorja e juaj?
Llambi:- Platforma është Platformë e Byrosë Politike, është norma bazë e vënies së organeve të punëve të brendshme nën kontrollin dhe drejtimin e plotë të Partisë. Edhe direktiva e ministrit të Brendshëm për kohë lufte. Këto do ti dërgoheshin, do ti përdornin këta studentët tanë që kishin vajtur në Bashkimin Sovjetik e që ishin të zbulimit. Edhe pse duheshin për t’i përkthyer rusisht, unë nuk e kuptova. Këto ishin, dhe nuk duheshin dërguar, se studentët tanë që ishin në Bashkimin Sovjetik nuk kishin pse të njiheshin as me Platformën as me direktivën e ministrit. Edhe këtu, nuk njihen të tërë me Platformën, e sidomos me direktivën e ministrit për kohë lufte. Atëherë, pse do të dërgohej kjo!!
Kryetari:- Prandaj pyesim ne, pse duhej ta dërgonit?
Llambi:- Për këtë e kam dhënë shpjegimin….
Kryetari:- Pse e lejove ti, pse veprove?
Llambi:- Unë e lejova. Unë zbatova, unë kam vepruar në kundërshtim me normat e ruajtjes së sekretit. Por unë mendova se për këtë gjë Kadri Hazbiu ka biseduar me Partinë….
Kryetari:- Kadri Hazbiu thotë se s’di gjë fare, këtë e ka bërë Llambi nga koka?
Llambi:- Mirë, le të thotë. Po qe ashtu, le të më ngarkojë mua gjykata.
Kryetari:- S’ka për të ngarkuar, ne kërkojmë si është e vërteta. Se është një akt i rëndë të dërgosh Platformën e organeve të Sigurimit…
Llambi:- E vërteta është kështu si them unë.
Kryetari:- Se të është dhënë urdhër ty?
Llambi Peçini:- Jo, po ka një logjikë, kryetar i gjykatës. Një herë, Platformën unë nuk e kisha, duhej ta merrja në një vend. Këto administroheshin nga Andon Deçka, nga ish-kryetari i Degës së 10-të. Për të vajtur ta marrësh tek Andon Deçka, pa një urdhër nuk mund ta merrje. Edhe aq më tepër pastaj, të përkthehej rusisht. Pastaj me KGB-në sovjetike, me Drejtorinë e shkollës së KGB-së, unë s’kisha të drejtë të korrespondoja. Unë isha shef i sekretariatit të ministrisë, e pa autorizimin e ministrit, s’bëhej. Se aty është shkruar në shkresë, me autorizim të ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral leitnant Kadri Hazbiu, shef i Sekretariatit, kolonel Llambi Peçini. Por pa autorizim të ministrit, unë s’kisha si e dërgoja këtë. Le që unë nuk e dija, duheshin apo nuk duheshin këto… Ku e dija unë që do të duheshin këto! Unë s’kisha lidhje as me kuadrin, as me shkollën. S’kisha lidhje që duhej të dija unë për këtë punë. Prandaj mua më është thënë nga Kadri Hazbiu që ti bëja këto dhe duhet të ketë pa tjetër edhe njerëz të tjerë që e dinë këtë. Se janë mobilizuar disa njerëz edhe për ti përkthyer edhe për ti grumbulluar këto dokumente.
Kryetari:- Po, por urdhri është nëpërmjet teje, se ata njerëzit e tjerë s’kanë nga ta dinë. Ata dinë të thonë se janë urdhëruar të bënin një punë teknike.
Llambi:- Nuk është ashtu kryetari i gjykatës, se nuk thashë vetëm për përkthimin unë….. Unë them dhe për grumbullimin e materialeve, dhe nga drejtoritë e tjera.
Kryetari:- Po mirë, po, që është punë teknike ajo. Po urdhrin kush e dha?
Llambi:- Urdhrin e dha ministri.
Kryetari:- Që ishte Kadri Hazbiu.
Llambi:- Edhe s’kisha si ta bëja unë këtë edhe sikur të doja ta bëja. S’mund ta bëja dot unë.
Kryetari:- Po lidhur me këtë ti, kur u caktove si sekretar, ç’more vesh para se të bëhesh drejtor, pra atje sekretar para ministrit ti? Si arrite këtu, si u fute këtu në sekretari të ministrit?
Llambi:- Shef i Sekretariatit?
Kryetari:- Po.
Llambi:- E bëri dhe Kadri Hazbiu këtë pyetje, pra, çudi si hyri Llambi Peçini!?. Po unë, nuk isha njeri i pa njohur, kryetar i gjykatës! Shefi i Sekretariatit ishte njëlloj, në një rang me kryetar dege, kategoria e 12-të. Është një post më pak i rëndësishëm se një kryetar dege.
Kryetari:- Po, është një post i rëndësishëm.
Llambi:- Është post i rëndësishëm.
Kryetari:- Tërë dokumentacioni…
Llambi:- Po unë kryetar dege kam qenë që me çlirimin e Shqipërisë, kam qenë drejtor qarku, bile, që me çlirimin e Shqipërisë.
Kryetari:- Kadri Hazbiu thotë. Se jam i bindur se këtu ka ndikuar Mehmet Shehu e bashkëpunëtorët e tij, për të vënë në këtë vend nga ku sigurohej kontroll dhe nga ku Mehmet Shehu mund të bënte manipulim dokumentesh. Këtu është puna.
Llambi:- Më fal, kryetar i gjykatës, po atëherë mua më tha Mehmet Shehu që futu në Sekretariat!?
Kryetari:- Unë nuk e di, ti e di këtë, se unë po të pyes ty tani….
Llambi:- Po si thotë Kadri Hazbiu…..
Kryetari:- Po çdo të thotë Kadri Hazbiu; lidhur me këto dokumente thotë…
Llambi:- E lidh unë me këtë…
Kryetari:- Se ç’u bë kjo, Kadri Hazbiu s’ka dhënë urdhër, dokumente të rëndësishme, shumë të rëndësishme…..
Llambi:- Unë e lidh me këtë pikërisht. Kadri Hazbiu nuk duhej të thoshte kështu në ballafaqim, domethënë, që si u fut Llambi Peçini këtu! Për arsye se Kadri Hazbiu më njihte shumë mirë mua, kam qenë zëvendës i Kadri Hazbiut unë… Për Kadri Hazbiun paska pasur vend që u bë ministër, që ishte kryetar i degës së Sigurimit të Ushtrisë, kurse për mua që isha zëvendës i Kadri Hazbiut, s’paska pasur vend për t’u bërë shef i Sekretariatit, që paskam hyrë unë kontrabandë shef i sekretarisë!? Këtë e thotë ai….
Kryetari:- Është bërë pa dijeninë time, thotë ai.
Llambi:- Se si u fut Llambi Peçini, kështu thotë ai!
Kryetari:- Po, po.
Llambi:- Unë s’isha njeri i panjohur.
Kryetari:- Kështu e shpjegon këtë.
Llambi:- Jo vetëm e shpjegoj, po më duket. Unë s’kam qenë asnjëherë karrierist. Por po ta marrësh, është tepër pak që më jepej mua, në krahasim me tërë përgjegjësitë që kam pasur deri atëherë.
Kryetari:- S’të kanë dhënë më shumë.
Llambi:- Më dhanë më shumë pastaj. Por unë e kam konsideruar gjithmonë, për çfarëdo që më ka dhënë Partia, e kam konsideruar më shumë se sa e kam merituar.
Kryetari:- Domethënë dhe kjo çështja e literaturës që ka shkuar, e dokumentacionit që ka shkuar në Bashkimin Sovjetik, domethënë ti këtë se…..
Llambi:- Unë e kam bërë me urdhër. Po të doni ju, mos e besoni, ma ngarkoni mua.
Kryetari:- Jo, jo, pse qesim do të ngarkohet këtu! Këtu, ne po ashtu, kupton, ndërsa Kadri Hazbiu thotë nuk është e vërtetë.
Llambi:- Më fal kryetar i gjykatës, unë nuk kisha të drejtë, domethënë, të merrja Platformën….
Kryetari:- Mirë, keni ndonjë pyetje tjetër ju?
Llambi:- Kam diçka.
Kryetari:- Rreth kësaj akuzës së tradhtisë ndaj Atdheut.
Llambi:- Rreth kësaj çështje. Në faqen 8-të të aktakuzës, midis të tjerave thuhet: Sovjetikët me agjentët e tyre Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Llambi Peçini, etj, u përpoqën të shfrytëzonin komplotin e Teme Sejkos si një mjet presioni e shantazhi për të nënshtruar Partinë dhe vendin tonë!. Kështu është në faqen 8-të. Ku dhe kur ka dal në hetuesi që unë qenkam vënë në shërbim të sovjetikëve? Ç’farë ka dalë dhe ç’prova ka hetuesia që unë paskam bërë presion e shantazh për të nënshtruar Partinë e vendin tonë?
Kryetari:- O Llambi Peçini! Tani fjalim ti mos na mbaj ne, po na thuaj këtë, se mua të mi bësh pyetjet, unë s’përgjigjem!
Llambi:- I them akuzës.
Kryetari:- Edhe akuza nuk është, se është prokurori ai, është hetuesia që e ka bërë atë, dhe hetuesia ka dhënë disa konkluzione të sajat. Ti je, apo nuk je dakord me këto? Thuaj, unë nuk jam dakord me këto!
Llambi:- Unë nuk jam dakord dhe prandaj po e argumentoj unë që në komplotin e Teme Sejkos as nuk kam ditur gjë, e as jam marrë me komplotin e Teme Sejkos. As nuk jam marrë e as nuk kam ditur gjë.
Kryetari:- Hetuesia arrin në konkluzionin që ti anëtar i kësaj organizate kundër revolucionare, përgjigjesh për punën që ka bërë ajo, në këtë prizëm të ka vënë ty ajo.
Llambi:- Jo, nuk e ka vënë në këtë prizëm.
Prokurori:- Nga pikëpamja juridike, anëtari i organizatës përgjigjet për të gjithë veprimet kriminale që bën organizata…
Llambi:- Po të ishte vetëm për këtë prizëm, pse nuk përmendeshin dhe emrat e tjerë, po vetëm emri im!
Kryetari:- Çfarë ke që nuk je dakord me aktakuzën, thuaj s’jam dakord për këtë e këtë….
Llambi:- Hetuesia ka në dorë prova që vërtetojnë kryerjen prej tyre të detyrave agjenturore në shërbim të sovjetikëve. Çfarë provash u paraqitën!?
Kryetari:- Shiko dosjet hetimore.
Llambi:- I kam parë.
Kryetari:- Sipas teje, nuk ka prova.
Llambi:- Për mua në hetuesi nuk është dhënë, nuk më është dhënë asnjë provë që të vërtetojë që kam qenë në shërbim të sovjetikëve. Edhe thotë, qëkurse nga agjent i jugosllavëve është vënë në shërbim të sovjetikëve!!! Kur ka dalë që unë kam qenë agjent i jugosllavëve?
Kryetari:- S’je dakord…
Llambi:- Nuk jam dakord. Në faqen 117 të aktakuzës thuhet se ‘është Llambi Peçini ndër ata që i ka dhënë OZN-ës jugosllave sekrete shtetërore deri në dosjet e kuadrove të ndryshëm për interesat e tyre agjenturore’. Unë nuk e kam bërë këtë me qëllim armiqësor, nuk jam dakord për këtë….
Prokurori:- Po ti e the vetë dje, që u jepnim çdo gjë!?
Llambi:- Unë e thashë vetë që u jepnim gjithçka, por jo me qëllim armiqësor, prokuror i Përgjithshëm!
Prokurori:- Po mirë, more mirë, ajo është tjetër….
Llambi:- Jo, jo, të dyja bëjnë një të vetme….
Prokurori:- A ju dhatë?
Llambi:- Ja kemi dhënë.
Prokurori:- Kështu thotë akuza.
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Kanë qenë ditët e para të dhjetorit të vitit 1959. Unë isha shef i Sekretariatit. Kadri Hazbiu më thirri në zyrë dhe më thotë që duhet të grumbullohen dokumentet kryesore të Sigurimit të Shhetit. Pra, më dha urdhër që të grumbullohen Platforma, direktivat, dhe akte të tjera normative, siç ishin deponimet e Dhora lekës, urdhëra e udhëzime. Një pjesë e tyre u përkthyen rusisht dhe iu dërguan KGB-së. Tani, këtë e dinë dhe të tjerë në ministri, e jo vetëm unë si Llambi Peçini. Kurse Kadri Hazbiu sot e mohon këtë”
SOM 2
“Në faqen 8-të të aktakuzës, midis të tjerave thuhet: Sovjetikët me agjentët e tyre Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Llambi Peçini, etj, u përpoqën të shfrytëzonin komplotin e Teme Sejkos si një mjet presioni e shantazhi për të nënshtruar Partinë dhe vendin tonë!. Ku dhe kur ka dal në hetuesi që unë Llambi, jam vënë në shërbim të sovjetikëve? Unë nuk kam bërë me ndërgjegje veprimtari armiqësore ndaj Partisë e popullit tim?”
NESËR DO TË LEXONI:
-Llambi Peçini kundërshton Aranit Çelën: Jugosllavëve u dhamë dokumentet sekrete se ishim miq atëherë, brohorisnim Enver-Tito-Stalin.
-Si u përdor Llambi Peçini nga Mehmet Shehu për të rekrutuar anëtarë potencial në ‘Grupin armiqësor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja’.
-Deponimi i Peçinit: Më kanë mbajtur 15 muaj në torturë në dhomë të izolimit dhe nuk më kanë pyetur asnjëherë.

Shikoni kush ka qene spiunazhi i vertet ne shqiperi, te tjerat jane vetem prralla banale. http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww