Ditë pasi nga krerë të Mjedisit u shpall se nisi aksioni për pastrimin e shtratit të lumit Erzen, buzë ujrave të ndotura të tij u asgjësuan 1.6 ton drogë, një sasi kjo e sekuestruar kohët e fundit. Kështu, Erzeni vijon të jetë një vendekzekutimesh, që nga armiqtë e komunizmit që kanë lënë eshtrat buzë tij, e më pas me djegien e fletëve të votimit, e tanimë dhe me drogën e kapur nga aksionet e Policisë, të konsideruara të sukseshme.
Erzeni nuk njihet ndërkombëtarisht për këtë lloj “mallkimi” që e kapluar, por ja vlen të konsiderohet si e kundërta e Gangut në Indi, ku mileti i atjeshëm kridhet çdo viti çmendurisht, në një bindje kolektive absolute se aty shpërlahen gjithë të këqijat e tyre e të botës prej hyjnores në ato ujëra. Kështu që Erzeni ka një shans që të përftojë dhe ai një nam tej kufijve shqiptarë, nëse do vijohet të zgjidhet për t`u asgjësuar, si ndonjë shpirt njerëzor e si ndonjë mall i keq, përfshirë dhe fletëvotimet, te ardhura dhe nga vende të tjera. Është rasti për t`ja marrë përfitimet këtij lumi. Nga “turizmi i budallallëkut”!
