Kryetari i bordit të Bajernit, Karl-Hainc Rumenige u shpreh i shqetësuar nga debatet në distancë midis Matias Samer dhe Jurgen Klop. Trajneri i Dortmundit tha disa ditë më parë se Samer është me fat që punon te Bajerni, duke shtuar se bavarezët nuk do të kishin asnjë pikë më pak pa drejtorin sportiv. Për Rumenigen, nuk është e drejtë të tallesh me punën e një drejtuesi kundërshtar. “Ky koment më ka shokuar fillimisht, pastaj jam ndjerë i nervozuar. Samer ka fituar Champions League si lojtar dhe më pas titullin si trajner me Dortmundin. Te ne, askush nuk do të guxonte të thoshte diçka rreth dikujt që ka qenë më parë te Bajerni dhe më pas ka suksese me Dortmundin. Duhet të rikthehemi te respekti reciprok”, tha Rumenige, i cili sqaroi edhe zërat në lidhje me Julian Draksler: “Ju siguroj se nuk do ta blejmë Drakslerin gjatë merkatos së verës. Nuk e di se çfarë dëshiron lojtari, por ne nuk kemi biseduar me agjentët e tij”.
