Në ditën e sotme mbushen 15 vjet që nga ndërhyrja e forcave ajrore të Aleancës Veriatlantike, NATO, kundër caqeve ushatarake e policore të Serbisë.
Sulmet kishin pasuar dështimin e konferencave ndërkombëtare në Rambouillet dhe Paris.
Pas 78 ditë sulmesh, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke vendosur kështu administratën e përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe duke fuqizuar praninë ushtarake të NATO-s në Kosovë, që do të njihej me emrin KFOR.
Miratimi i rezolutës pasoi nënshkrimin e Marrëveshjes Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe ushtarake e policore serbe nga Kosova dhe zbarkimin e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.
Fundi i luftës, Kosovën e gjen me më shumë se 11,000 të vrarë dhe 5,000 të zhdukur, për fatin e të cilëve nuk dihet gjë.
Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it u vendosën rreth 50, 000 ushtarë nga 36 vende të ndryshme botërore, nga të cilët 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.
Për udhëheqësit e Kosovës dhe qytetarët e saj, data 24 mars e vitit 1999 shënon një fillim të ri të historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësimit të saj.
Sot ndërkaq, 15 vjet më vonë, me një numër shumë të vogël, forcat paqeruajtëse të NATO-s, vazhdojnë operimin e tyre nëpër Kosovë. / REL
