“China Leaks” dhe llogaritë offshore të politikës kineze

anazapta

Në Kinë, mesnatën midis të martës dhe të mërkurës, 22 janar, adresat online të të përditshmeve të ndryshme ndërkombëtare u bllokuan, pasi raportuan lajmin për një hetim gjigant mbi të ashtuquajturat “parajsa fiskale”. Në këtë hetim shihen si të përfshirë menaxherë dhe politikanë kinezë, disa prej të cilëve shumë të afërt me lidershipin e kaluar dhe atë aktual në shtetin aziatik. Faqet e “Le Monde”, “The Guardian” dhe “El País”, si dhe ajo e “ICIJ” (Qendrës Ndërkombëtare të Gazetarëve Investigativë, e cila përbën edhe burimin origjinar të hetimit), nuk kishin mundësi aksesi

 

Hetimi

Hetimi është quajtur “China Leaks” dhe është realizuar pikërisht nga gazetarë investigativë ndërkombëtarë të ICIJ, një ent me bazë në Uashington që subvencionon kërkimet kundër korrupsionit dhe abuzimeve me pushtetin. Në rastin e Kinës, ai zgjati dy vjet dhe mblodhi më shumë se 200 gigabyte të dhëna financiare duke u bazuar në analizën e 2.5 milionë dosjeve.

Përfundimi i hetimit është një listë e përbërë prej 100 kompanish dhe 21 mijë personash me banim në Kinë, Hong Kong dhe Taivan, të cilët kishin lidhje me shoqëri në Ishujt e Virgjër, Samoa dhe “parajsa fiskale”  të tjera. Kompanitë në fjalë janë krijuar falë ndërmjetësimit të disa prej institucioneve më të mëdha financiare botërore si “Deutsche Bank”, “UBS” apo kolosi bankar zvicerian “Credit Suisse”.

Hetimi përllogarit edhe pasuritë dhe pushtetin e grumbulluar ndër vite nga këta persona e lidhjet e tyre familjare. Sipas një vlerësimi, nga viti 2000, një shumë midis 1.000 dhe 4.000 miliarde dollarëve është zhvendosur prej Kinës pa lënë gjurmë. Midis bizneseve të këtyre kompanive janë ato që merren me naftën, industritë minerare, panelet diellore dhe armët.

Disa emra

Është rasti i një prej njerëzve më të pasur të Kinës: Deng Jiagui, kunat i Xi Jinping, kunati i presidentit aktual të vendit i cili ka investuar shumë mbi imazhin publik si një aktivist antikorrupsion. Deng zotëron rreth 50% të një kompanie imobiliare (Excellence Effort Property Development) e lindur në Ishujt e Virgjër, pjesa e mbetur e të cilës i përket një tjetër shoqërie offshore. Është rasti i djalit të ish-kryeministrit Wen Jiabao. Wen Yunsong, i cili është president aktual i kompanisë shtetërore të telekomunikacionit “China’s Satellite Communications”, që në Ishujt e Virgjër ka krijuar shoqërinë e këshillimeve “Trend Gold Consultants”, në të cilin ishte president deri në shkrirjen e saj, në vitin 2008. Midis protagonistëve të “China Leaks” është edhe Fu Liang, i biri i Peng Zheng, figurë historike e partisë komuniste dhe promovues i revolucionit kulturor në vitet ’60 në krah të Mao Ce Dunit. Po ashtu janë edhe familjarët e Ten Ksiao Pin, të ish-kryeministrit Li Peng dhe ish-presidentit Hu Jintao.

Cili është problemi?

Të kryesh operacione financiare me shoqëritë offshore nuk do të thotë domosdoshmërisht se ke shkelur ligjin. Problemi është kontradikta midis grumbullimit të pasurive nga ana e elitës dhe pabarazisë së fortë me të ardhurat e popullsisë; kontradikta midis lançimit të një fushate të madhe anti-korrupsioni nga ana e lidershipit të ri dhe një ekonomie që i shërben më shumë kompanive të ngritura në vende të mbrojtura nga sekreti financiar. Veç kësaj, ekonomia kineze po rritet më ngadalë se në të kaluarën dhe ekziston ndjesia e përgjithshme se sipërmarrësit kinezë ose të ashtuquajturit “princat rozë” (pra fëmijët ose pasardhësit e politikanëve të rëndësishëm) po sigurojnë pasuritë e tyre: gjithë kësaj i bashkohet një liri e mangët shtypi që vë në diskutim besimin te klasa drejtuese.

Por, ka nga ata që e kanë mbrojtur sistemin e llogarive në kompanitë offshore. Mei Ksiniu studiues në Ministrinë e Tregtisë kineze thotë se ato kanë kontribuuar për zhvillimin e vendit: “Duhet të jemi të arsyeshëm dhe të pranojmë këtë realitet. Natyrisht është e preferueshme që një kompani  ta ketë bazën në vendin e saj të origjinës, por nëse ky nuk ve në dispozicion një ambient të favorshëm për financat, regjistrimi në një vend tjetër që ia ofron atë ambient, është një zgjedhje thjesht pragmatike dhe e leverdishme”. Rezultojnë se Kina dhe Hong Kongu janë klientët kryesorë të këtij sistemi, me një numër të madh shoqërish të regjistruara offshore, gjashtëfish më shumë se ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në prill të 2013-s, Qendra Ndërkombëtare e Gazetarisë zbuloi skandalin botëror të evazionit fiskal që mori emrin “Offshore-Leaks”. Dokumente të fshehta, të cilat hidhnin dritë mbi përmasat gjigante të sistemit të evazionit që fokusohet në parajsat fiskale të sipërmarrësve dhe njerëzve me pushtet nga 170 vende të ndryshme të botës.

Rreth 120 kompani mbulojnë lëvizjet e paligjshme të qindra mijëra bosëve të politikës, financave dhe biznesit, që i depozitojnë thesaret e tyre në ishuj, larg vëmendjes së publikut dhe taksave të përgjithshme. Sipas disa informacioneve, në “parajsat fiskale” janë të depozituara 21 deri në 32 mijë miliardë dollarë. Prapa këtij sistemi gjendet një ekonomi e lulëzuar e përbërë nga ndërmjetësues, kontabilistë, noterë dhe banka, thekson raporti i parë i ICIJ./D.Gjuzi

Hetimi përllogarit edhe pasuritë dhe pushtetin e grumbulluar ndër vite nga këta persona e lidhjet e tyre familjare. Sipas një vlerësimi, nga viti 2000, një shumë midis 1.000 dhe 4.000 miliarde dollarëve është zhvendosur prej Kinës pa lënë gjurmë

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *