Inaugurohet në Kavajë Zyra e re e Punës. Në ceremoninë e zhvilluar sot paradite morën pjesë kryeministri Rama, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, përfaqësues të biznesit dhe qytetarë të interesuar.
Kreu i qeverisë u shpreh se kjo është zyra e tretë e këtij lloji, ndërsa thekoi se vetëm gjatë janarit numri i të punësuarve nëpërmjet këtyre zyrave pothuajse është sa dyfishi i punësimeve të kryera nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit gjatë vitit të kaluar.
Rama tha se ky është vetëm fillimi dhe zyra të reja do të hapen së shpejti në Elbasan, Korçë e shumë qytete të tjera.
“Është kënaqësi që hapim këtë zyrë pune në Kavajë, falë mbështetjes së biznesit dhe kryetarit të bashkisë. Nuk është më surprizë për ne që drejtuesit politikë këtu janë pararojë e përpjekjeve për të përmirësuar në vijimësi jetën e komunitetit. Dua të përgëzoj Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për faktin se të gjitha zyrat e punës po çelen njëra pas tjetrës sipas afateve të parashikuara.
Po mbështesim industrinë fasone, e cila ka një tipar që zhvillohet shpejt dhe punëson shpejt. 2588 gra dhe vajza janë regjistruar në Kavajë si punëkërkues. Është koha të shpjegojmë me durim se shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh. Prioriteti ynë kryesor, rritja e punësimit, lidhet domosdoshmërisht me mbështetjen e sipërmarrjes dhe krijimin e kushteve për investime të reja vendase dhe të huaja.
Ka një fakt të thjeshtë, ky është vetëm fillimi fare, por është fillim i mbarë. Vetëm në një muaj, tri zyra të sapoçelura pune kanë ndërmjetësuar mbi 1000 punësime, ndërkohë që gjatë gjithë vitit të kaluar, i gjithë rrjeti kombëtar i punësimit nuk ka bërë më shumë se 600 punësime”, tha Rama.
