Një zyrë e re pune edhe për Elbasanin, i cili konsiderohet si një ndër tre qytetet që raportojnë nivelin më të lartë të papunësisë në vend. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të zyrës së re të punës në këtë qytet, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se hapja e zyrave të tilla ndihmon në punësimin e sa më shumë njerëzve, pasi afron vendet e lira të punës që shpallen nga bizneset, me punëkërkuesit. Por, nga ana tjetër ai ka shtuar se jo të gjitha kërkesat për punë mund të plotësohen nga shteti, ndërkohë që ka garantuar se qeveria e tij, do të jetë një nxitës i vazhdueshëm për bizneset që të punësojnë sa më shumë të papunë.
Sipas tij, paralelisht me këtë synim duhet të punohet edhe me zhvillimin e arsimit profesional, sidomos në profesionet që janë më të kërkuara nga tregu i punës. Elbasani bëhet qyteti i pestë, pas Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe Kavajës, ku qytetarët mund t’i drejtohen Zyrës së re të Punës për të kërkuar punë. “Hapja e zyrës së punës nuk është garanci për më shumë punë, por ajo është një vendtakim që prodhon punësim dhe histori suksesi”, tha ministri Veliaj në fjalën e tij. Duke falenderuar përfaqësuesit e biznesit si kompanitë “Kurum”, “Albchrome” dhe “Biznes Albania”, duke i vlerësuar për punën dhe investimin e tyre në hapjen e zyrave të reja të punës, Veliaj ka shtuar se së shpejti zyrat e punës do të funksionojnë edhe në qytetet e tjera të vendit.
“Që kur hoqëm tarifat për qendrat e formimit profesional, në janar të këtij viti, numri i atyre që i frekuentojnë është rritur ndjeshëm. Më parë, vetëm gjatë një viti në Tiranë trajnoheshin 189 vetë. Tani, në njërën nga qendrat tona të formimit, brenda një jave janë regjistruar mbi 380 vetë”, tha ministri Veliaj, duke vënë në dukje progresin që është bërë në vendosjen e një standardi të ri në shërbimin që ofrojnë sot zyrat e reja të punës për qytetarët që kërkojnë punë.
Gjatë aktivitetit u prezantuan edhe tre histori suksesi, të punësuar me ndërmjetësimin e zyrave të reja të punës, të cilët edhe pse kishin vite pa punë, i besuan këtij shërbimi të ri. “Më vjen mirë që zyra e punës është shndërruar në një vend takim që përcjell siguri edhe për të kthyerit nga emigracioni”, shtoi Veliaj. Shumë shpejt pritet të hapen zyra të reja pune në Korça dhe Shkodër, ndërkaq brenda vitit, MMSR dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit synojnë të çelin zyra të reja pune në të gjitha rrethet e Shqipërisë.
