AK ka zyrtarizuar nismën e saj për bashkimin Shqipëri-Kosovë, duke depozituar sot në KQZ kërkesën për mbajtjen e referendumit popullor.
Nisma që u bë publike në tubimin e mbajtur në 28 Nëntor në Morinë parashikon anëtarësimin në BE të dy shteteve shqiptare, si 2 pjesë të një federate.
“Federata shqiptare me dy njësi, krijon mundësinë që shqiptarët të hyjnë në BE si federatë shqiptare. Bashkimi do të ndodhë përpara anëtarësimit në BE. Ky është një detyrim që duhet ta kishte klasa politike shqiptare që duhet të provojë se nuk është peng i vendeve antishqiptare”, tha për mediat kreu i kësaj force politike, Kreshnik Spahiu.
Ai e cilësoi mbajtjen e referendumit si një akt historik dhe kërkoi që kryeministri të mos bëhet pengesë për mbajtjen e tij.
“Shqipëria dhe shqiptarët pasi kaluan një vit jubilar të 100-vjetorit të bashkimit, kemi hyrë në vigjilje të 100-vjetorit të copëtimit. Një shekull pas copëtimit barbar të trojeve etnike shqiptare, ne vijmë me një akt historik për të depozituar në KQZ kërkesën për nisje të procedurave për bashkimin e dy shteteve shqiptare. Parimi i vetëvendosjes është themeli i sovranitetit popullor. Kjo kërkesë është një test që shtetasi Berisha të provojë që nuk është peng i Beogradit. Berisha të mos guxojë të pengojë të drejtën e miliona shqiptarëve për vetëvendosje”, deklaroi Spahiu.
