Flamurtari e Skënderbeu lënë gjithçka për në Korçë

redaktor

Flamurtari dhe Skënderbeu kanë shtyrë gjithçka për në ndeshjen e kthimit, pasi kanë barazuar pa gola dje në Vlorë, në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Ndryshe nga sa tregojnë zerot e golave, ishte një takim ku të dyja skuadrat kërkuan të fitonin dhe krijuan disa raste të mira. Skënderbeu rrezikon i pari, me anë të Shkëmbit, ndërkohë që më pas është Alikaj që hyn në zonë me top, por përplaset me portierin Moçka. Flamurtari përgjigjet me Abilaliajn dhe Likën, pa pasur sukses. Me kalimin e minutave të pjesës së parë korçarët tërhiqen disi, por janë të rrezikshëm me kundërsulme. Vlonjatët hidhen përpara me të gjitha forcat dhe lënë mjaft hapësira prapa, ku depërton Ribaj dhe rrezikon Pejiç. Pjesa e dytë përgjithësisht është e Flamurtarit, që ngulmon me forcë për të shënuar, ndërsa Skënderbeu mbrohet mirë. Një dorë ia japin edhe vetë vendasit, të cilët nuk janë të qartë në sulme dhe gabojnë shpesh në pasimin e fundit. Në përfundim, Skënderbeu largohet me një pikë nga Vlora, por do t’i duhet të fitojë patjetër në fushën e tij për t’u kualifikuar. Për Flamurtarin, ndeshja larg publikut të tij mund të jetë më e qetë dhe ka në favor çdo barazim të mundshëm me gola. Problem madhor për vlonjatët mbetet fakti që ata duhet të luftojnë në kampionat, ku kanë rënë shumë dhe i janë afruar zonës së ftohtë, ndërsa Skënderbeu pret vetëm sigurinë matematike për titullin kampion.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *