Kukësi ka fituar kundër Teutës në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, por kualifikimi do të zgjidhet pas ndeshjes që do të luhet në “Niko Dovana” të Durrësit. Rezultati 3-2, edhe pse bën që skuadra e Starovës ta nisë në avantazh ndeshjen tjetër, e lë plotësisht të hapur çështjen e kualifikimit në finale, ku Kukësi synon të shkojë për herë të parë. E nëse shifrat e arritura nuk japin asnjë garanci, të paktën Kukësi mund të marrë zemër nga fakti që e djeshmja ishte fitorja e parë kundër Teutës, të cilën nuk e kishte mundur deri tani. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Zeqir Ymeri” ishte emocionuese, çka e tregojnë edhe golat e shumtë. Pasi u mund nga Laçi në gjysmëfinalet e vjetshme, skuadra e Starovës tregoi shumë dëshirë për të pasur më tepër sukses në këtë sezon, duke u hedhur menjëherë përpara, në kërkim të golit. Mund ta kishte gjetur që në fillim, por Osmani shpëtoi portën mike nga një gjuajtje e Prognit. Në aksionin tjetër të vendasve, Hoxha krosoi dhe aty Izuçuku shënoi golin e avantazhit. Por gëzimi i Kukësit nuk zgjati shumë, pasi Teuta u përgjigje menjëherë, duke barazuar me Ahmatajn. Durrsakët madje rrezikojnë të kalojnë në epërsi me Samb, por Halilaj shpëton portën. Pas dy golave të shpejtë, skuadra e ulin disi ritmin, duke u shfaqur më të kujdesshme dhe u desh një gjuajtje Prognit në minutën e 35-të, për ta zgjuar takimin. Rizvani u përgjigje siç duhej, duke bërë të njëjtën gjë edhe pas gjuajtjes së fortë të Cikalleshit. Rrezikon edhe Boja, veçse pak minuta pas pushimit. Teuta kundërpërgjigjet me Ahmatajn, gjuajtja e të cilit këtë herë ndalohet nga traversa. 13 minuta para fundit, është Vilfor Hysa që i rikthen epërsinë Kukësi. Durrsakët reagojnë dhe mund të kishin barazuar, por janë përsëri vendasit ata që shënojnë, këtë herë me të zakonshmin Cikalleshi, goli i të cilit nuk mund të mungonte në këtë ndeshje të rëndësishme. 3-1 ishte një rezultat i mirë për Kukësin, por Jakupi shkurton diferencën pas një krosimi nga këndi. Ndeshja mbyllet 3-2 dhe të dyja skuadrat kanë arritur diçka nga objektivat e tyre. Vendasit dëshironin të shkonin në ndeshjen e kthimit me fitore, ndërsa miqtë synonin të shënonin gol në fushën kundërshtare, gjë që ia arritën, për ta bërë vërtet intrigues takimin e 9 prillit në “Niko Dovana”.
