Ishin stërvitur në bazën detare të Sebastopolit në Krime. Tashmë edhe këto kafshë kanë ndërruar pronar
Në vjeshtën e 2012-s, nga Kievi mbërriti një lajm që solli jo pak polemika në botë: ushtria ukrainase kishte nisur stërvitjen e një grupi delfinësh, që do të përdoreshin për qëllime ushtarake. Ata do të mësoheshin të pikasnin rreziqe të mundshme detare si p.sh. mina apo nëndetëse të ushtrive armike. Qendër e stërvitjes ishte baza detare në Sebastopoli, Krime, me një traditë të gjatë në stërvitjen e delfinëve, ku një personel i kualifikuar i stërviste këta gjitarë të sulmonin armiqtë në sajë të një arme të montuar në kokë.
Tani që gadishulli në Detin e Zi i ka kaluar Rusisë, edhe delfinët e luftës kanë ndryshuar zot, duke u bërë pjesë e ushtrisë ruse. Sipas asaj që raporton “Huffington Post”, i cili citon “RIA Novosti”-n, Moska jo vetëm është e interesuar për ata delfinë lufte, po ka edhe për qëllim t’i pajisë me aparatura të reja: “Inxhinierët oqeanografë po zhvillojnë instrumente të reja për të rritur efiçencën e delfinëve, – shpjegoi një zëdhënës i ushtrisë ruse. – Ekspertët tanë kanë zhvilluar aparatura që lejojnë përkthimin e sinjaleve të tingujve të delfinëve në impulse vizive mbi një monitor. Ushtria ukrainase nuk kishte para të mjaftueshme për t’i çuar përpara këto programe”./D.Gjuzi
