Një deklaratë disi të pazakontë lëshoi pardje Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Në intervistën e dhënë të përjavshmes Welt am Sonntag gjatë vizitës së tij në Ukrainë, ai tha shkoqur se “Nëqoftëse Rusia shkon përtej Krimesë, në Evropë ne do të vendosim për të marrë masa të ashpra edhe sikur të përballemi me dizavantazhe ekonomike si rrjedhojë e këtyre masave.” Deklaratat e një personaliteti si Steinmeier meritojnë gjithnjë vëmendje, por çka e bën më intriguese këtë të fundit është paralelizmi me një tjetër deklaratë, këtë radhë të Presidentit rus Putin të lëshuar disa ditë më parë, i cili citohet të ketë thënë se “Unë besoj se evropianët, së pari gjermanët, do të më kuptojnë…jo të gjitha vendet që ishin aleatë të Gjermanisë e mbështetën tamam idenë bashkimit në atë kohë. Vendi ynë, përkundrazi, e mbështeti në mënyrë eksplicite dhe sinqerisht aspiratën e Gjermanisë për bashkim kombëtar. Unë jam i sigurtë se ju nuk e keni harruar këtë dhe unë e përllogarit që qytetarët gjermanë do ta mbështesin aspiratën e botës ruse dhe Rusisë historike për të rikthyer unitetin.”
Në dukje fjala është për Krimenë, por në thelb, ajo është vetëm mbulesa.
Për shekuj të tërë Krimea ka ndërruar shpesh zot për t’u bërë sa pikëmbështetje e romakëve aq edhe e Bizantit; sa e Gjenovës, aq edhe e Venecias; sa e mongolëve dhe e otomanëve, aq edhe e rusëve. Napolon Bonaparti u përpoq më kot të pushtonte Rusinë, kur humbi më shumë se gjysmën e trupave. Në atë luftë, Rusia humbi më shumë se një të tretën e trupave. Një fuqi kryesisht tokësore siç ishte Franca e asaj kohe, nuk pati aq shumë punë me Krimenë.
Në messhekullin e nëntëmbëdhjetë u shkul pothuaj e tërë Europa për të shpëtuar Ngushticat Otomane nga rreziku e kërcënimi rus. Fati i Ngushticave u vendos pikërisht në Luftën e Krimesë. Ajo luftë u shqua jo aq shumë për zgjidhjet ushtarake, sesa për humbjet më të mëdha njerëzore që pati në krahasim me të gjitha konfliktet e zhvilluara në Evropë përgjatë një shekulli nga viti 1815 deri në 1914. Një pjesë e madhe e këtyre humbjeve erdhi për shkak të sëmundjeve, por pjesa dërmuese e tyre si pasojë e lidershipit të dobët. Rusët nga ana e tyre, humbën edhe për një arsye akoma më të thellë: ushtarët rusë, edhe pse luftuan trimërisht, ishin gjithsesi pjesë e një sistemi mesjetar bujkrobërie, sipas të cilit fshatarët rusë ishin të detyruar t’u shërbenin feudalëve jo vetëm si bujkrobër, por edhe si ushtarë. Pikërisht heqja e këtij sistemi bujkrobërie do ta rikthente Rusinë në lartësinë e një perandorie që bëri epokë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare duke konkurruar me sukses me fuqitë e tjera evropiane.
Përkundër, Hitleri, në rrjedhën e operacioneve për pushtimin e Rusisë, do të detyrohej të devijonte një armatë me mbi njëqindmijë ushtarë të mirëmbështetur nga një korpus ajror për të kryer pushtimin e Krimesë dhe të kryeqendrës së saj, Sevastopolit. E megjithatë, as Krimea nuk e shpëtoi Hitlerin nga humbja e luftës.
Kësisoj, Sevastopoli do të mbante dy herë mbi supe gradën e qytetit të krenarisë ruse. Ndoshta për këtë krenari më shumë sesa për resortet e shquara klimaterike, Stalini do të mikpriste pikërisht në Jaltë të Krimëse Konferencën e radhës të Tre të Mëdhenjve që udhëhoqën Luftën e Dytë Botërore. Në Krime do të vendoseshin fatet e Evropës së pasluftës. Aty do të vendosej dorëzimi pa kushte i Gjermanisë naziste, e cila do të copëtohej pjesë-pjesë deri në kryeqytetin e saj. Paslufta e gjeti Rusinë fitimtaren e madhe, për pasojë e së cilës ajo përfitoi gjysmën jugore të Ishujve Sakhalin, Ishujt Kurile, gjysmën e Gjermanisë, kontrollin e Finlandës e të Polonisë e madje edhe heshtjen për aneksimin e tre republikave Baltike (Estoni, Letoni, Lituani).
Por Konferenca e Krimesë ka hyrë në analet e historisë për një zgjidhje tepër të veçantë: rregullimi i influencës në vendet e Evropës Lindore. Pikërisht në atë Konferencë Çërçilli do të hidhte idenë e famshme të ndarjes në përqindje të influencës së Tre të Mëdhenjve në këto vende. Ai do të sugjeronte që Bashkimi Sovjetik të kishte 90 përqind influencë në Rumani dhe 75 përqind në Bullgari. Mbretëria e Bashkuar do të kishte 90 përqind influencë në Greqi. Në Hungari dhe Jugosllavi do të kishin përkatësisht 50 përqind influencë Mbretëria e Bashkuar dhe po aq edhe Bashkimi Sovjetik.
Por siç e thotë edhe historiani i shquar ukrainas Serhiy Jurcenko, “Stalini, Çërçilli dhe Ruzvelti e dinin se sistemi i Konferencës së Krimesë do të zgjaste 50 vjet. Çfarë vinte pastaj ishte e panjohur për ta. Në fund të fundit, sistemet ndërkombëtare në kushtet e komunikimit dhe të faktorëve të tjerë të shekullit të njëzetë zgjasnin vetëm një apo dy breza njerëzorë.” Dhe me të vërtetë, askush nuk do ta parashikonte me aq saktësi që procesi i pasluftës së Ftohtë që filloi në vitin 1990 të rrugëtonte në krah të kundërt, për të përfunduar pikërisht në Krimenë e vitit 2014 – një sistem që zgjati saktësisht një brez njerëzor.
Po tej Krimesë?
Nga shekuj të tërë luftërash, edhe Lindja, edhe Perëndimi, këtej e andej Krimesë, kanë dalë të humbur. Sipas vlerësimeve të historianëve, vetëm në Luftën e Dytë Botërore ish Bashkimi Sovjetik humbi rreth 26.6 miljonë njerz, Polonia 5.6 deri në 5.8 miljonë, Gjermania rreth 5.3 milionë dhe vendet e Komonuelthit Britanik rreth 600,000 njerz.
Tre të Mëdhenjtë ranë dakord në Jaltë që, në vendet e çliruara nga pushtimi nazist, ashtu si edhe në ish vendet e Boshtit nazist, të zhvilloheshin zgjedhje të lira. Këto zgjedhje do të duhet të zhvilloheshin përmes një procesi që t’i lejonte këto vende të krijonin institucione demokratike sipas zgjedhjes së tyre. Por nuk ngjau kështu. Rrjedhim i influencës “miqësore” sovjetike kryesisht në vendet e Evropës Lindore ishte vendosja e regjimeve komuniste, të cilat i përqendruan në një çështjeje të humbur energjitë krijuese të popujve të tyre. Ndërkohë, sipas Stéphane Courtois – botues i librit të famshëm “Libri i Zi i Komunizmit,” shtetet të cilat iu nënshtruan regjimeve komuniste referohet të kenë humbur për ndëshkime politike rreth 94 milionë njerëz, që do të thotë sa trefishi i numrit të humbjeve në luftëra të mirëfillta ushtarake.
Kështu, Evropa dhe Rusia, Perëndimi dhe Lindja, në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të ’21-të gjenden përpara një përvoje shumëshekullore nga ku të gjithë kanë dalë të humbur. Zor se ka aq dritëshkurtër sa t’u besojnë e t’u drejtohen për ndihmë instrumenteve të deritanishëm ideologjikë, ushtarakë e politikë. Konflikti i Luftës së Ftohtë ishte më së shumti një konflikt ideologjik edhe pse u vendos nga gara ekonomike. Sistemi i pasluftës së Ftohtë rezultoi të rrëshqiste më së shumti në terrenin e një konflikti nacional krahas krijimit dhe forcimit të ekonomisë së tregut dhe institucioneve demokratike.
Revolucioni i fundit në Ukrainë, pavarësisht nga këndvështrimet apo interesat politike, nuk ishte një konflikt nacional, as një spastrim etnik sikurse ishte, për shembull, ai në Kosovë. Përkundrazi, ky revolucion ishte, në radhë të parë, një goditje ndaj sistemit paternalist e kleptokratik të oligarkëve rusë, të cilët, jo vetëm që e patën rrjepur atë vend aq të pasur për gati dy dhjetëvjeçarë duke e lënë në nivele varfërie, porse donin të shuanin çfarëdo aspiratë të natyrshme evropiane të tij.
Konflikti aktual që u shfaq përmes nacionalizmit në Krime, është në fakt, konflikti midis demokracisë dhe ekonomisë së tregut që ka prirjen historike të përhapet nga Perëndimi në Lindje, me autokracisë dhe ekonominë oligarkike që synon të përhapet nga Lindja në Perëndim. Presioni për të gjunjëzuar popuj e shtete sipas klauzolave nacionaliste, duke përdorur rubinetin e gazit si armë politike, e akoma më keq, pushtimi ushtarak, nuk janë shfaqje të ekonomisë së tregut, por e kundërta e saj dhe, si të tilla, janë kundërprirje e prandaj zor se do të gjejnë terren.
Tani, pas një brezi njerëzor, sistemi i marrëdhënieve Lindje-Perëndim duket se ka hyrë përfundimisht në një terren tjetër, apo më saktë, në terrenin që përbën themelin e të gjitha konflikteve: atë të ekonomisë së tregut. Tashmë, valët e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut janë një realitet që u binden të gjithë.
Ekonomia e BE-së është e lidhur ngushtë me atë të Rusisë. Sipas vlerësimeve, Evropa investon rreth 460 miliardë dollarë në bizneset në Rusi, shumicën e të cilave në sektorin energjetik duke u bërë partneri më i madh tregtar i Moskës. Më shumë sesa gjysma e investimeve të huaja në Rusi vijnë nga shumëkombëshet dhe institucionet financiare Evropiane. Nga ana e saj, SHBA-ja, edhe pse nuk është ndër 10 partnerët më të mëdhenj tregtarë të Rusisë, kjo e fundit mbetet një treg kyç për kompanitë e shitjes me pakicë, të ndërtimeve, sektorit energjetik si dhe për disa nga bankat më të mëdha amerikane.
Gjermania përfaqëson më pastër dhe më qartë këtë prirje: lufta e ardhshme nuk do të jetë as deterrencë bërthamore, as garë armatimesh klasike konvencionale. Përkundrazi, ajo do të jetë thjeshtë një konvertim e integrim interesash pragmatiste të ekonomisë. Kjo shpjegon ndoshta edhe habinë e Kancelares Gjermane Merkel, e cila citohet t’i ketë thënë homologut të saj Amerikan Barack Obama se “zoti Putin dukur sikur rron në një botë tjetër.” Nuk është pa domethënie që, në Rusi operojnë rreth 6,000 kompani gjermane biznesi. Është e vërtetë që Gjermania blen thuajse çerekun e eksporteve ruse të gazit natyral, por nga ana tjetër, Gjermania eksporton në Rusi rreth 2.1 miliardë euro më shumë mallra sesa në çdo vend tjetër të botës. Gjermania mban marrëdhënie më të ngushta me Rusinë sesa me çdo vend tjetër të BE-së. Me rritjen e tregtisë midis dy vendeve, aq më shumë ato bëhen të varura me njera tjetrën. Gjermania eksporton BMË-të, makineri dhe kimikate në Rusi, ndërsa Rusia i shet Gjermanisë një të tretën e gazit natyral dhe të naftës.
Krimea pra, ndan dy botë, dy histori, dy epoka dhe jo thjeshtë Ukrainën me Rusinë. Çka po ndodh në Ukrainë nuk ka të bëjë aspak me frikën e ndonjë lufte. Askush nga aktorët nuk e do këtë alternativë. Krimea është thjeshtë sinjali se atij procesi që nisi në Jaltë afro 70 vjet më parë, tashmë i ka ardhur fundi, duke u xhiruar në krah të kundërt, për të përfunduar pikërisht aty ku nisi, në Ukrainë. E shumta që mund të pritej (dhe ashtu ndodhi) ishte bashkëngjitja “vullnetare” e Krimesë në Federatën Ruse. Siç flasin edhe deklaratat e mësipërme, ndoshta kjo ishte një zgjidhje, apo një marrëveshje.
E rëndësishme është Krimea sinjalizoi fillimin e një loje me rregulla të tjera. Pas-Krimea do të dëshmojë për një spektër të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare, të cilat nuk do të bazohen në numrin e ushtrive e të armëve, por në forcën e konkurrencës së ekonomisë së tregut, jo në Luftën e Ftohtë, por në atë që analisti Peter Baker në New York Times do ta cilësonte “Rivalitet i Ftohtë”. Prej këtij çasti e tutje, Ukraina 50 milionëshe e Rusia 140 milionëshe nuk do të përbëjnë më objekte statistikash për milionat e të vrarëve, sikurse janë dëshmuar historikisht, por objekte të hapjes demokratike dhe të investimeve milionëshe si pjesë natyrale e Evropës. Vendin e konfrontimit do ta zënë natyrshëm shkëmbimet, komunikimi, bashkëpunimi dhe prosperiteti. Ashtu si dikur në Luftën e famshme të Krimesë kur rusët hodhën poshtë bujkrobërinë si pengesë e zhvillimit dhe si shkak i humbjes së asaj lufte, edhe sot në shekullin e ’21 – të rusët do të hedhin poshtë oligarkinë dhe nacionalizmin arkaik për të fituar vlerat e vërteta që lartësojnë si vendet e kombet, ashtu edhe qytetarët e tyre.
Çka po zhvillohet në dhe për Krimenë paralajmëron një epokë të re në historinë e kontinentit. Duket se Gadishulli strategjik dy milionësh i Detit të Zi nuk do të jetë më një mollë sherri midis Rusisë e Ukrainës, por një pikë nevralgjike e marrëveshjes midis Perëndimit e Lindjes për të ndërtuar një infrastrukturë të re marrëdhëniesh midis tyre, ku lufta dhe gjeopolitika do t’i lërë përfundimisht vendin gjeoekonomisë. Gjermania dhe Rusia rreth të cilave vërtiten këto zhvillime, i kanë kapacitetet dhe gjeografinë për ta promovuar ndryshimin.

Napolon Bonaparti u përpoq më kot të pushtonte Rusinë, kur humbi më shumë se gjysmën e trupave … (artikulli)
Po sjell kete shtese, sic e kam postuar me pare tek Dita/postimet.
Rusia vs N. Bonaparti
__________________
Nese do eleminonte Rusine ne Lindje, do kish marre fuqi te papare. Kjo lufte njihet nga Historia (me emrin qe i dha Napoleoni) si Lufta e II-te Polake. Ky ishte qellimi zyrtar i “liberatorit” Napoleon: “te clirojme Polonine nga roberia” por presion indirekt ndaj Britanikeve duke kercenuar Ruset te mos bejne tregti me ta.
Me 500.000 ushtare nga disa shtete, ai niset te 1) shkaterroje nje perandori (Ruset) 2) te ndikoje/friksoje nje tjeter (Britaniket) dhe 3) te behet favorit i pales se trete (Polakeve) Ketu ti mbyllte hesapet ne Europen me 100 armiqesi mes vetes. Perfundimi? U kthye ne shtepi me 20.000 ushtare. 380.000 te vrare e 100.000 te kapur rob. Ketu ra Hegjemonia e tij ne Europe.
Aleatet interesaxhi (Prusia / Austria) sa e pane te dobet kaluan ne krahun tjeter. 3 vjete me vone ne Waterloo, Britaniket (e Prusianet) i dhane goditjen perfundimtare. Nje akti tille nga Ruset eshte nga me te lavdishmit ne Historine e Botes. Ushtria e Napolon Bonapartit ishte me e madhja qe kishte pare Europa deri ne ate kohe, gjysme milione ushtare ne nje fushate.
—-
Prsh, shume I sakte autori ne analizen e tij ne lidhje me krimene, ajo do jete gjithnje shume rendesishme per rusine! Por po aq edhe per perendimoret, pasi sot veshtire te pranohen zgjidhjet e njeanshme ne boten e sotme, ne emer te ideve nacionaliste,
Do shtoja vetem se rusia duam apo jo, eshte fuqi ne ‘ngjitje’, ajo eshte pjese e vendeve brik. Bota e sotme ecen drejt idese se disa qendrave, pra jo me ne formen e pare re epoks se pas luftes se ftofte ‘nje polare’! Dhe nje nga qendrat natyrale besoj se do te jete gjithnje moska. Kjo eshte deri diku edhe inreres I te tjereve, ndonese fuqizimi I metejshem I rusise ngjall edhe fantazmat e se kaluares se bs.
Komplimente per analizen e thelle.
Urime per analizen!
Pergezime Profesor Zeno. Si gjithnje, i sakte edhe ne kete analize.