Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, ka ndryshuar axhendën e tij në minutë të fundit. Pas përfundimit të vizitës në Arabinë Saudite, Kerry do duhej të fluturonte drejt Uashingtonit, por ka vendosur të shkojë në Paris për bisedime rreth krizës në Ukrainë.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, ka thënë se në fillim të javës së ardhshme Kerry pritet të takojë Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.Dy zyrtarët kanë biseduar sot përmes telefonit, por nuk janë dhënë detaje nga biseda e tyre.
Ndërkaq më herët, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar për televizionin shtetëror se Rusia nuk ka as qëllim, as interes që të urdhërojë forcat e saj për të kaluar kufirin me Ukrainën. Lavrov ka thënë se ndarjet midis Moskës dhe Perëndimit për krizën në Ukrainë po bëhen gjithnjë e më të mëdha.
Komentet e tij vijnë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka bërë thirrje Presidentit rus, Vladimir Putin, që të tërheqë trupat ruse nga kufiri me Ukrainën. Shtëpia e Bardhë ka thënë se gjatë bisedës njëorëshe në telefon, Obama ka kërkuar nga Putini që të shmangë provokimet e mëtejshme.
