Kryediplomatët Kerry and Lavrov do të takohen në rezidencën e ambasdorit rus sot, pas një bisede telefonike që zhvilluan të premten Presidenti Putin dhe Presidenti Obama lidhur me nevojën për një zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë.
Shtëpia e Bardhë thotë se zoti Obama i tha presidentit rus se Moska duhet të tërheqë trupat dhe të mos futet më thellë në Ukrainë. Kremlini thotë se presidenti rus po sugjeron “hapa të mundshëm që mund të ndërmarrë komuniteti ndërkombëtar për të qetësuar situatën”.
Në bashkëpunim me qeverinë e përkohëshme në Kiev, Uashingtoni po i bën presion Rusisë të hapë bisedimet për të zbutur tensionet dhe për të lejuar vëzhguesit ndërkombëtarë në rajonin e Krimesë për të garantuar sigurinë e ukrainasve atje.
Në një referendum të mbështetur nga Moska, banorët e Krimesë votuan të shkëputen nga Ukraina dhe të bashkohen me Rusinë, pas rrëzimit të qeverisë pro-ruse në Kiev muajin e kaluar. Por pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar nuk pranon të njohë rezultatet e referendumit dhe shumë vende perëndimore kanë miratuar sanksione ekonomike kundër Rusisë.
Shpresat për përparim në zgjidhjen e këtij ballafaqimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë pason premtimin e Moskës se për momentin nuk ka plane përtej aneksimit të Krimesë. Zoti Lavrov foli dje në televizionin rus.
Zoti Lavrov thotë se Rusia nuk ka synime, nuk ka as interes për të kapërcyer kufirin me Ukrainën. Ai thotë se “Moska do që përpjekjet për të ndalur krizën të jenë shumëpalëshe dhe të ndalin trazirat që po përpiqet t’i mbulojë Perëndimi”.
Kerry dhe Lavrov ulen sot në bisedime me pikëpamje krejt të ndryshme lidhur me situatën në Ukrainë, shpjegon Profesori i Universitetit Amerikan Keith Darden. Moska, thotë ai, e analizon situatën si një rebelim me mbështetjen e Uashingtonit, i cili kërcënon interesat ruse; Uashingtoni e shikon situatën si një përpjekje pak kaotike drejt një regjimi përfaqësues.
“Për ne amerikanët, revolucioni ishte një mobilizim demokratik. Për rusët ishte një ndryshim regjimi me mbështetjen e Perëndimit. Mendoj se hendeku do të vazhdojë të ekzistojë. Ky është një dallim themelor në mënyrën se si secili nga këto dy vende e sheh botën. Ky ndryshim nuk pritet të zhduket së shpejti”.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë po kërcënojnë vendosjen e sansioneve më të rënda mbi ekonominë ruse nëse trupat ruse penetrojnë më thellë në Ukrainë. / VOA

NUK MEREM ME PLITIKE….