Në pikën më dominuese të vargut perëndimor të kodrave të Myzeqesë, atje, ku shpaloset një pamje mahnitëse e të dy anëve të Fushës së Madhe; atje, ku shijohet lindja dhe perëndimi i bukur i diellit; atje, ku ndihet aroma e detit, e kripës, dhe e pishës; atje ku shijohet bukuria e Ultësirës Perëndimore të Myzeqesë, pra e Libofshës, ngrihet një kompleks arqitektonik madhështor ndërtimi, i njohur prej shumë vitesh me emrin Manastiri i Ardenicës. Brezi i kodrave të Ardënicës, që ndan në dy pjesë Fushën e Madhe, është piktoresk. Sa herë që shkoj në vëndlindje, në Libofshë, nga këtej kaloj.
Parë nga Manastiri i Ardënicës, të dyja anët e Fushës së Madhe duken sikur janë mbështjellë me një tis misteri, mister që lidhet me ngjyrat e saj. Që këtej më duket sikur fusha e Madhe, Tomorri dhe dielli janë sinonime. Prandaj dhe poeti i talentuar Xhevair Spahiu, shkruan: “Mjegulla, ra/Mali s’duket më,/Fusha mbeti pa zot\E pa zë”…
Kushdo që viziton Manastirin e Ardënicës do mrekullohet jo vetëm nga vlerat e këtij tempulli fetaro-mistik, por do të shijojë bukurinë e lindjes dhe të perëndimit të diellit. Nuk dihet me siguri, se kur është ndërtuar ky manastir. Thuhet se është ndërtuar në kohën e despotatit të Epirit, gjatë shekujve 13-të dhe 14-të, nga perandori bizantin Androniku i dytë Paleologu. I këtij mendimi është edhe mitropoliti i Beratit i shekullit të 19-të, Anthim Aleksudhi, i cili ka bërë një përshkrim mjaft interesant mbi manastiret e Myzeqesë në një libër të tij, të shkruar më 15 janar 1868. Po ashtu gjendet edhe një mbishkrim i gdhendur mbi ikonën gravurë të shën Mërisë të Manastirit të Ardenicës. Mbishkrimi është origjinal shqip, me shkronja greke. “Virginë Mame e Perëndis uro pre nee. Fajtorëtoi — 1731″.
Manastiri i Ardenicës është një mesazh shpirtëror dhe ndërtimor i shumë brezave dhe përbën një mozaik të historisë së kulturës dhe artit të shkruar gjatë shekujve nga dora skalitëse e të parëve tanë. Aty kanë derdhur talentin e tyre ikonografët: Kosta dhe Athanas Korçari, të cilët kanë pikturuar në afresk edhe muzikantin e shquar te shekullit te 12 –te, Jan Kukuzelin, me origjinë nga Durrësi, i cili konsiderohet edhe si krijuesi i liturgjisë kishtare bizantine. Ndërsa ato, që quhen si punimet më të bukura si “Shën Gjon Vladimiri”, “Lindja e Krishtit”dhe sidomos ikonostasi i gdhëndur, kanë për autor Kostandin Shpatarakun, i cili ka qenë një miniaturist. Një rëndësi të veçantë kanë miniaturat përreth ikonës së “Shën Gjon Vladimirit”.
Piktori ka paraqitur bukur edhe princin shqipëtar të shekullit të 14-të, Karl Topia, të veshur me petka princi bizantin. Autorët e afreskeve të Ardenicës u larguan nga stili bizantin i të pikturuarit, dhe nga spiritualizmi. Ata u përpoqën që t’u jepnin shenjëtorëve pamjen që i afrohej jetës reale. Po ashtu ata kanë pikturuar shumë skena martirizimesh të ekzekutuara në mënyra të theksuara dramatike. Shumë relike dhe mbeturina arqitekture të ngulura nëpër mure janë sjellë që të gjitha nga Apolonia. Tek porta e madhe e manastirit, në krah të djathtë ndodhet punishtja e vajit ose mëngra. Këtu gjënden gurë të mëdhenj të rrumbullaket me madhësi afro 1.5 metra e me trashësi gjysëm metri, që shërbenin për nxjerrjen e vajit të ullirit. Po ashtu në këtë punishte ndodhen ende sot disa amfora antike të mëdhaja për të mbajtur vajin.
Sipas gojëdhënave, në kishën e vjetër të këtij manastiri, ka vënë kurorë Skënderbeu. Fakti që në pjesën e përparme të “shën Triadhës”, gjendet në mur një bazorelief, në të cilin tregohet hypur mbi një kalë, një kalorës krenar, në këmbët e kalit të të cilit përpëlitet një ushtar armik, është domethënës. Bindjen mbi gojëdhanën na e përforcon edhe fakti që motra e Skenderbeut qe martuar në familjen princërore të Muzakajve, në zoterimet e së cilës u ndërtua ky manastir.
Manastiri i Ardenicës, sipas dokumentave, është ndërtuar në një kontekst historik kur në trevën e Myzeqesë u ndërtua skela e Pirgut të Myzeqesë, e cila sipas një dokumenti venetikas mban datën 13 qershor 1382. Në këtë periudhë historike bregdetin, nga lumi Shkumbin deri në derdhjen e lumit Aps (Seman) dhe gjithë fushën e Savrës, duke përfshirë fshatrat e sotme Bashtovë, Divjakë, Karavasta, Babunjë etj, e sundonte familja princërore e Matarangasve, (Matrëngësve) e përfaqësuar nga Pavli dhe Vlashi, e cila më vonë u shkri nëpërmjet krushqive me familjen e Muzakajve. Duhet thënë se kryeqëndra ekonomike për këto familje mund të ketë qenë Karavastaja, limani i së cilës bashkë edhe me skelën e Pirgut, kanë shërbyer për eksportin e grurit, të leshit, të bulmetrave, zhukës dhe kuajve etj.
Që prej fillimit të shekullit të 17-të dhe 18- të, Manastiri i Ardenicës kishte ndihma të shumta nga një shoqëri, që ishte themeluar në Hungari e Poloni, e cila mblidhte të holla dhe ndihma të tjera dhe ia dërgonte Manastirit ose drejtperdrejt ose me anën e miqëve, që kishin anëtarët e asaj shoqërie në Voskopojë, ku Manastiri kishte edhe çifliqe. Sipas një tradite të vjetër, e cila përmëndej gjer vonë në krahinën tonë thuhej, se në një nga tregjet e Vjenës, Manastiri kishte një kandar me lejen e qeverisë austriake, në të cilin, pasi peshoheshin sendet, që shiteshin në treg, të ardhurat e kandarit i dërgoheshin Manastirit të Ardenicës.
Një pllakë përkujtimore e vendosur në një nga faqet e këmbanores, dëshmon se në vitin 1925 me iniciativen e patriotit të Myzeqesë, Kapedan Llazar Bozo është rindërtuar këmbanorja e madhe e Manastirit. Ky patriot i madh, me shpenzimet e veta qysh në vitin 1922 ngriti edhe një konvikt me ushqim, pranë këtij manastiri, ku mësonin fëmijët e fshatarësisë së Myzeqesë pa dallim feje dhe mësues u caktua prifti i zonës, Ikonom Kozma Dhima nga Rreth Libofsha. Kjo tregon tolerancën e madhe fetare të popullit dhe ndjenjën për arsim – kulturë dhe civilizim.
Një zjarr i vënë në rrethana misterioze në vitin 1931, dogji bibliotekën e pasur të Manastirit dhe bëri që shumë relike të vyera si kupa dhe lugë kungimi të florinjta e të argjëndta, të rrëmbeheshin në këtë manastir.
Çdo vit, me rastin e shën Mërisë së Gushtit, siç e quajnë në Myzeqe, organizohen panaire të bukura. Këtu vijnë mjaft njerëz nga fshatrat përreth, me cilësinë e besimtarëve, por edhe me të drejtën e ekspozimit të produkteve bujqësore, blegtorale dhe të punimeve artizanale.
I vjetër, s’dihet se sa, rindërtuar disa herë…
Në një shkrim të studiuesit austriak Karl Patç, të botuar në vitin 1904, ndër të tjera shkruhet: “Sapo hyjmë tek porta e madhe, na presin me buzë në gaz dy vëndalinj – njeri ishte një burrë i pashëm, inteligjent dhe gjithë gjallëri. E quanin papa Kristo Leshi, ndërsa tjetri ishte një prift mjekër çilë dhe quhej papa Marko Mërtiri, burrë i heshtur, me kokë shume të hijshme, të cilët na urojnë mirëseardhjen…Na shtruan në një odë dhe zunë të këndojnë në driten e qirinjëve të dyllit të bletës, këngë të moçme shqipëtare të krahinës së tyre. Përmbi portën e madhe të manastirit nga ana e brëndëshme duket e gërryer mbi gur kjo datë e thjeshtë: “1 maj 1477”, e cila ndoshta në kohërat e lashta qe vënë mbi kishë dhe kur u rindërtua gjatë viteve 1743- 44, ky mbishkrim u vendos këtu, ku gjëndet sot… Te qilari i druve gjëndet në mur një kokë e gurtë me mjekërr dhe tek këmbanorja në mur ndodhet një kokë e rruar e një perandori, e stolisur me një kurorë dafine. Tek një burim i vogël (sot pa ujë) në oborrin e manastirit, ndodhet fundi i një shtylle të vjetër”.
Një disk fluturues në afresket e kishës
Ajo që të bën përshtypje është se në muret e kishës së shën Marisë së këtij manastiri ka shumë afreske me fytyra njeriu që fluturojnë në qiell apo dragonj. Pse janë pikturuar këto afreske?! Por ajo që është më interesante në këtë manastir është një vizatim ku shihet një disk fluturues, i cili nuk ka ndonjë ndryshim nga ato objekte jashtëtokësore që shohim sot nëpër ekranet televizive. Këto afreske i përkasin periudhës së ndërtimit dhe rindërtimit të këtij manastiri, pra në mesjetë. Ky disk fluturues gjendet në hyrje të kishës së shën Marisë, në pjesën e murit, mbi derën kryesore. Fakti një manastiri ndodhet në majën më të lartë të kodrave përreth dhe ka një kambanore të lartë vertikale në drejtim të qielli; fakti që të gjithë shenjetorët në afreske shohin me duar të kryqëzuara me sy nga lart dhe prezenca e diskut fluturues e bëjnë jo vetëm atraktiv këtë tempull, por njeriu i vëmendshëm vë në lëvizje edhe imagjinatën.

Shkrim shume interesant i historianit te mirenjohur, zotit Jovan Jano. Urime; te tjera shkrime te kesaj natyre, zoti Jovan, shkrime qe i sherbejne formimit historik e kulturor te njerezve.