I nderuar lexues! Gjirokastra është një nga qytetet e vjetra dhe më karakteristike të Shqipërisë jugore. Gjurmët e vendbanimit të hershëm u përkasin shekujve të parë të erës së re. Duke pasur një pozitë me rëndësi në rrugët nga brendësia e vendit dhe drejt jugut e drejt detit Jon, u kthye në një kështjellë, që u bë bërthama e zhvillimit të mëtejshëm. Mori pamjen e një qendre qytetare në shek.XIII dhe përmendet në kronikat bizantine më 1336 me emrin Argyropolihne (qyteza e Argjiros). Tiparet kryesore si qytet me rëndësi Gjirokastra i mori në shek.XVII dhe lulëzoi sidomos në vitet 1800-1830, me ndërtimin e grupeve të banesave.
