Vrasja e Karelit, valë arrestimesh, 4 në pranga, 10 arratisen

anazapta

 Valë arrestimesh në Burgun e Nigritas në Selanik të Greqisë, ku mbeti i vdekur pas torturave çnjerëzore deri në elektro-shok, shqiptari i dënuar Ilia Kareli (Kudret Kume). Pak orë pasi në Zhupan të Fierit iu dha lamtumira me ceremoni mortore dhe rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore që konfirmuan 15 shenja dhune vdekjeprurëse të palës shqiptare, Prokuroria greke ka prerë 14 fletë-arreste. Mësohet se 3 gardianë të burgut të Nigritës dhe shefi i tyre, janë vënë në pranga nga policia greke për vrasjen e të dënuarit shqiptar Ilia Kareli. Ndërsa 10 të tjerë u shpallën në kërkim, pasi nuk u gjetën as në punë dhe as në banesa në zonën e Serresit. Dyshohet se ata mund të jenë informuar paraprakisht se do arrestoheshin, ose kanë kuptuar fundin me burgosje për incidentin e rëndë. Disa prej gardianëve janë edhe të Burgut të Malandrinos, prej nga u transferua 42-vjeçari para se të jepte shpirt i torturuar.

Mediat greke bëjnë me dije se është ekzekutuar urdhër-arresti për Haris Konsolidis, shefin e rojeve të brendshme të burgut në Nigrita dhe për tre gardianë emrat e të cilëve nuk bëhen ende të ditura.

Më herët Prokuroria greke ka lëshuar fletë-arrestet për 8 nga 14  gardianët e burgut të Nigritës, të cilët akuzohen si përgjegjës për vdekjen e Ilia Karelit. Por më pas u mësua se numri i tyre do të jetë 14 persona nën akuzën penale të vrasjes. Mediat greke theksojnë se prokurori i çështjes ka ngritur padi për tre vepra penale kundër institucioneve përgjegjëse, por edhe ndaj personave të veçantë. Paditë kanë të bëjnë me torturë ndaj personit, torturë me pasojë vdekjen dhe dhunë e rëndë fizike.

Për këtë çështje akuzohen gjithsej 14 punonjës të burgut të Nigritas, ndërsa pritet të lëshohen dhe urdhëra të tjerë arresti për zyrtarët e burgut të Malandrinos dhe policët e Komisariatit të Policisë ITEA.

Sipas hetimeve përgjegjësia bie mbi burgun e Nigritës dhe Malandrinos si dhe Komisariatit të Policisë ITEA në Seres. Prokurorët të cilët po hetojnë çështjen, kanë në dispozicion të tyre informacion po edhe deklarata që tregojnë se i dënuari Ilia Kareli është torturuar për tre ditë dhe tre ditë rresht. Fillimisht Kareli është rrahur nga oficerët e burgut në Malandrino, menjëherë pas vrasjes së Jorgos Tsironis.Torturat kanë vazhduar edhe gjatë transferimit në komisariatin e policisë, por edhe në burgun e Nigritës. Ekspertiza që bëri Prokuroria e Fierit dhe Mjekësia Ligjore zbuloi plagë në syrin e majtë, për të cilin familjarët thanë se ishte nxjerrë, goditje në gjoksin e majtë dhe dëmtime të zemrës të shkaktuara nga elektroshoku, brinjë të thyera, hematoma në kurriz dhe kokë, gjymtyrë dhe po ashtu në organet gjenitale.

 

Kamerat e sigurisë kapën gardianët duke e tërhequr zvarrë Karelin pas torturës

Sipas pamjeve të siguruara nga kamera e sigurisë e vendosur në korridorin e burgut të Nigritës, duket qartë se në orën 16:00 të së enjtes së kaluar gardianë të këtij burgu e fusin Karelin në një qeli brenda së cilës nuk ka kamera sigurie. Regjistrimet tregojnë se dy orë më pas dy gardianë të burgut, kanë tërhequr zvarrë jashtë qelisë Ilia Karelin, i cili duket se ka qenë pa ndjenja. Çështja ka filluar të sqarohet pas dëshmisë së një zyrtari në burgun e Nigritës, i cili ka rrëfyer të gjithë ngjarjen. Ndërkohë pas rastit të Ilias, në mediat greke, shumë persona që kanë qenë të burgosur në Nigrita, kanë denoncuar se atje dhuna ka qenë e vazhdueshme dhe për arsyet më të parëndësishme. Ndërkohë, vazhdojnë hetimet intensive për identifikimin e personave përgjegjës, duke përfshirë gardianët, rojet, policët dhe të gjithë ata që kanë pasur kontakt me të deri disa orë përpara se të vdiste. Hetimet janë përqendruar në mënyrë të veçantë për periudhën 25-27 mars, që nga vrasja e Jorgo Tsironit deri në vdekjen e Ilia Karelit

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *